MENU
klinika

Vdes një grua dhe 22 plagosen nga armë të zjarrit

Festa e triumfit të Super Bowl kthehet në tragjedi

15.02.2024 - 13:53

Momente paniku në Kansas City, në Misuri, gjatë paradës së organizuar për të festuar fitoren në Super Bowl 2024 të skuadrës së Chiefs. Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në momentet e parakalimit të ekipit fitues me trofe, që kanë sjellë një viktimë dhe disa të plagosur.

Qindra e mijëra njerëz ishin mbledhur në qendër të qytetit të Kansas City për të festuar fitoren e “Chiefs” në Super Bowl. Të pranishëm ishin të gjithë yjet e ekipit të futbollit, përfshirë edhe Travis Kelce. Nga dëshmitë e mbledhura menjëherë pas ngjarjes, disa persona kanë nisur të qëllojnë mbi turmën.

Sipas thashethemeve, origjina e ngjarjes ka qenë një larje hesapesh mes bandave vendase, ndonëse policia mbetet e kujdesshme për motivin dhe nuk ka përjashtuar asnjë pistë. Policia lokale konfirmon se ka ndaluar tre persona pranë stacionit të Unionit.

Policia kishte vendosur mbi tetëqind persona në rrugë për të garantuar sigurinë e ngjarjes dhe pas incidentit u kërkoi njerëzve të lironin zonën për të ofruar ndihmë. Mediat amerikane konfirmojnë për një person të vdekur dhe 22 të plagosur.

Personi i vdekur besohet të jetë Lisa Lopez-Galvan, nënë e dy fëmijëve, një disk jokeje e famshme nga Kansas City, e cila nuk i mbijetoi plagëve të rënda të marra nga të shtënat. Megjithatë, pasi janë transportuar në spitale të ndryshme të qytetit, shifrat e të lënduarve përditësohen vazhdimisht.