Artistë e dashamirës të artit morrën pjesë në mbrëmjen përmbyllëse të ekspozitës së fotografes Blerta Kambo, “Man of the Castle”.
Pjesë e “finissage” të kësaj ekspozite dhe mbrëmjeje artistike ishte edhe prezantimi i katalogut me të njëjtin emër, që tashmë do të jetë në duart e admiruesve të artit bashkëkohor. Në faqet e këtij katalogu ka tematika që mbeten tabu edhe në ditët e sotme: Lindja vajzë apo djalë; Jeta/Vdekja nën simbolikën e kullave të ngujimit; dashuria/martesa, rrjetet sociale dhe realiteti virtual; të cilat mbyllin ciklin e kësaj ekspozite.
Ekspozita e artistes Blerta Kambo qëndroi në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, për 1 muaj (13 janar – 14 shkurt 2024)
COD e nisi zyrtarisht sezonin artistik për vitin 2024 pikërisht me çeljen e kësaj ekspozite e cila në thelb pati artin instalativ dhe atë bashkëkohor, dhe përbëhej nga 13 fotografi dhe 2 instalacione.
Në fokusin e artistes u sollën imazhet e ndërtesave që i përngjajnë kështjellave, por dhe ndërhyrja digjitale dhe elementi rozë, që nxit akoma debat në shoqërinë tonë.