Amnistia nuk është thjesht një akt juridik mëshirues. Është një akt politik në shumicën e rasteve, edhe pse në sistemin e kaluar u kthye në një rutinë, por që realisht nuk ishte e tillë.
Shteti, d.m.th Parlamenti vendos që për disa që kanë bërë shumë burg por jo për vrasje apo krime të tjera të rënda e kanë 2-3 vjet edhe mund t’i lirojnë. Nga ana tjetër në këtë logjikë, ofrohet edhe një “lirim” për disa akte të forta të policisë apo Prokurorisë ndaj disa personave, që janë në proces të një ndjekje penale.
Në vitin 1992, Italia u përfshi në një fushatë të madhe e të gjerë antikorrupsion të udhëhequr nga grupi i prokurorëve “Mani Pulito” të prokurorisë së Milanos. Fushatë që pati një numër të madh, shumë të madh të paraburgosurish. Oligarkë, politikanë, zyrtarë, mashtrues të vegjël. Një armatë e madhe me një fjalë.
Në marsin e vitit 1994, i ndjeri Silvio Berlusconi fitoi zgjedhje dhe u zgjodh kryeministër i Italisë. Një nga ligjet e para që mori mazhoranca e Forza Italia-s ishte amnistia. Që liroi ish-ministrat e paraburgosur nga Di Pietro, biznesmenët, por edhe mashtrues e fajdexhinj nga më të regjurit. Një zv.ministër i Lega Nord, i cili kishte ardhur nga radhët e ushtrisë, prej popullaritetit që kishte rrahur ca emigrantë të dhunshëm, pa një ditë se në listën e amnistisë, ishte edhe njeriu që kishte bërë që kishte vrarë babain e tij.
Në atë moment, ai lëvizi të gjithë gurët dhe rrëzoi mazhorancën e Belusconit, edhe pse nuk ishte një lojtar i madh dhe politikan kalibri, por çoi në media thelbin e amnistisë. Berusconi kishte nxjerrë nga burgu ata që ishin akuzuar për korrupsion.
Berlusconi e mbrojti deri në fund, duke thënë se një prokurori jakobiniste ishtë kundërshtarja e së djathtës libertarie. E në Itali, debate prej vitesh këtu luan. E djattha nuk ndëshkon madje edhe liron, e majta është më e rreptë ndaj disa akuzave.
Në Itali tashmë është e qartë kufiri: e djathta është tolerante edhe ndaj korrupsionit, edhe ndaj evazionit fiscal, edhe ndaj budallallëqeve që shkojnë edhe në rrahje, por në fund marrin amnisti. E majta thotë jo!
Po te ne? Amnistia është një biznes i fortë, ku dikur presidenca e mazhoranca bënin një lloj konsensusi. Në vitin 1997, këtu u bë një amnisti edhe ndaj vrasëesve të tmerrshëm. Amnistia është një akt politik, ku palët nuk kanë pse fshihen. Natyrisht logjika është të shpopullojnë burgjet, ku realisht është një problem i madh i krijuar nga biznesi i quajtur drejtësi.
Në vitin 2012 Edi Rama përdori një simbol për amnistinë me një grua të moshuar të dënuar për kanabis për ta iustruar logjikën socialiste për amnistinë. Sot kjo logjikë është më e paqartë. PD e Bashës kërkon të lirohen të gjithë ata që janë akuzuar për sulm institucionesh, Saljanji do të amnistojë Babalen, panelet thonë që do amnistohet Safet Gjici.
Jemi në një trekëndësh të qartë: Mazhoranca kërkon sipas draftit të amnistojë sipas parimit klasik ata që kanë 2 deri tre vjet për të bërë, por opozita kërkon një shtesë. Ka të drejtë? Jo, fare. Një amnisti nuk jep pafajësi, të gjithë ata që ndiqen penalisht apo janë dënuar mbeten të tillë. Edhe sikur të marrin amnisti, kryqi i dënimit apo i ndjekjes penale i mbetet mbi shpinë, e kjo nuk është zgjidhje.
Opozita, njerëzve të vet që kanë qenë protestues, duhet t’i asistojë që tu japë pafajësinë, se në fund të fundit, sipas tyre ata nuk kanë bërë rrumuja për interesat e tyre por për atë të publikut. Nëse një opozitë nuk i siguron pafajësi njerëzve të vet, duke shfrytëzuar të gjithë rrugët e gjyqësorit, atëherë nuk është opozitë.
Amnistia nuk u jep pafajësi, thjesht i liron nga akuzat. Një opozitë nuk mund të jetë asnjëherë një opozitë amnistie, por pafajësie, duke mos u lodhur deri në Strazburg. i shkreti Saljanji, mund të amnistohet për Babalen, por sërish në kartelën e tij penale do t’i përmendet vazhdimisht. Madje edhe kur të kërkojë nuse. “Je amnistuar, por ke bërë një proçkë” do t’i thotë kandidati për krushk.
Po çfarë mund të bëjë një opozitë në rastin e një diskutimi të amnistisë? Duhet të bëjë një logjikë të ndershme, sepse burgjet janë të mbushur realisht me njerëz që nuk kanë pse rrijnë atje, por nuk duhet të negocojë as për deputetë e as me militant. Për këta duhet të kërkojë pafajësinë në gjykatë. Pikë!