MENU
klinika

Analiza

A jemi pranë një lufte NATO-Rusi dhe pse Macron trazoi ujërat?!

28.02.2024 - 09:30

Deklarata e Macron se NATO mund të dërgojë trupa në Ukrainë ka sjellë bum reagimesh…

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri një deklaratë të fortë, kur tha se nuk përjashtohet dërgimi i trupave tokësore evropiane në Ukrainë. Ai vuri në dukje se të gjitha opsionet janë të hapura për të parandaluar që Rusia të fitojë luftën. Deklarata e tij shkaktoi një reagim të furishëm nga Kremlini, por edhe nga Evropa, drejtuesit e së cilës thonë se nuk do të ketë trupa të dërguara në Ukrainë.

Çfarë tha Macron?

“Nuk ka konsensus për dërgimin e trupave në këtë kohë. Por asgjë nuk duhet të përjashtohet. Ne do të bëjmë gjithçka që Rusia të mos fitojë”, tha Macron në një konferencë për shtyp.

Ai shtoi se Franca do t’i bashkohet nismës çeke për të blerë municion për Ukrainën.

“Disfata e Rusisë është e nevojshme për sigurinë evropiane”, shtoi Macron.

Ai tha se vendet evropiane do të vendosin sanksione shtesë ndaj atyre shteteve që ndihmojnë Rusinë të anashkalojë masat kufizuese të vendosura ndaj saj. Në samit morën pjesë rreth 20 liderë evropianë, të cilët donin t’i dërgonin një mesazh presidentit rus Vladimir Putin për vendosmërinë evropiane kur bëhet fjalë për mbështetjen e Ukrainës.

Reagimi i stuhishëm i Kremlinit

“Zbarkim i ushtarëve të NATO-s në territorin e Ukrainës do të çojë në një konflikt të drejtpërdrejtë me Federatën Ruse dhe një përshkallëzim të situatës”. Kështu tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, në një përgjigje pas deklaratave të Macron.

Peskov, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për rrezikun e përshkallëzimit dhe konfliktit të drejtpërdrejtë me NATO-n në rast të paraqitjes së ushtarëve të Aleancës në territorin e Ukrainës, theksoi se në atë rast nuk duhet të flasim për probabilitet, por për pashmangshmërinë e konfliktit, raporton Interfax.

“Të gjithë elementët e tjerë në fjalimin e presidentit francez tashmë janë paraqitur në një mënyrë ose në një tjetër dhe ne i kemi marrë tashmë parasysh”, tha Peskov, duke shtuar se Moska e di mirë qëndrimin e Macron se “Rusisë duhet t’i jepet një disfatë strategjike”.

Ai shtoi se një numër vendesh që morën pjesë në takimin e djeshëm në Paris për mbështetjen për Ukrainën kanë një “vlerësim mjaft të matur të rrezikut të mundshëm të një lëvizjeje të tillë dhe rrezikut të mundshëm për t’u tërhequr drejtpërdrejt në një konflikt të ndezur”.

Scholz: Nuk do të dërgojmë trupa në Ukrainë

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se vendet evropiane dhe anëtarët e NATO-s nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë. “U diskutua që ajo që u ra dakord mes aleatëve që në fillim vlen edhe për të ardhmen, që është se nuk do të ketë ushtarë të vendeve evropiane apo anëtarëve të NATO-s në tokën e Ukrainës”, tha Scholz pas samitit të BE-së.

Ai theksoi se vendet evropiane janë të gatshme të marrin armë nga vende të treta, jashtë Evropës, në mënyrë që të përshpejtojnë dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë.

Të njëjtën gjë kanë thënë edhe liderët e Greqisë, Spanjës, Kroacisë, Britanisë së Madhe, Hungarisë, Polonisë, Republikës Çeke, si dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Jens Stoltenberg kundër Macron

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përgënjeshtruar presidentin francez Emmanuel Macron në lidhje me dërgimin e trupave në Ukrainë.

Ai tha për “Associated Press” se aleanca ushtarake nuk ka plane të ndërmarrë një hap të tillë.

“Aleatët e NATO-s po ofrojnë mbështetje të paprecedentë për Ukrainën. Ne e kemi bërë këtë që nga viti 2014 dhe jemi rritur pas pushtimit në shkallë të gjerë. Por nuk ka plane për trupat luftarake të NATO-s në terren në Ukrainë”, tha Stoltenberg.

Pra duket se të gjithë kanë frikë nga një përballje NATO-Rusi. Vetë Moska nuk e do një gjë të tillë, por as shtetet e Aleancës së Atlantikut.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Stoltenberg tregon përpjekjet e aleancës

“NATO përgatitet t’u përgjigjet sfidave të reja”