MENU
klinika

Ylli Pata

Pse Mitsotakis u bë Gaz Bardhi i Foltores?

04.03.2024 - 22:08

Arsyeja që qeveria greke sulmoi gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka, nëpërmjet medias greke që ka një lidhje me PASOK, ka një shkak të thjeshtë. Sepse Sali Berisha u bë njeriu ose më saktë politikani që i dha Athinës kartën politike që kërkonte për tu përplasur me Tiranën.

Partia Demokratike nuk pa pasur asnjëherë një kimi me Omonian e Himarën apo PBDNJ-në. Nëse do të kishte një logjikë normale kandidimi nga baza, asnjëherë PD e Himarës nuk do të kandidonte një personazh të OMONIA-s. Aq më pak Fredi Belerin, i cili është një njeri që në vitin 1995 ishte kyç në komandon që sulmoi ushtrinë shqiptare, ku gjetën vdekjen dy oficerë në kazermën e Peshkëpisë në Gjirokastër.

Por edhe sikur most ë ndodhte kjo, PD e Himarës nuk ka qenë një grup politik i afërt me PBDNJ-në, edhe pse personazhe të lidhur me Greqinë u afruan me PD-në që në vitin 1991.

Himara është një bashki me disa fshatra, ku vetëm dy kanë një afërsi me PBDNJ-në. Vasil Bollanon si kryetar i bashkisë së Himarës e solli Sali Berisha në vitin 2007. E këtë e bëri vetëm pas një pakti me Nikolas Gage, që në fakt ishte një pakt me lobin grek të SHBA. Ky pakt i dha Sali Berishës realisht një riafrim me qarqete pushtetit në Partinë Republikane të SHBA, pasi ishte shpallur thuajse Non Grata në vitin 1997. E çmimi që Sali Berisha pagoi atëherë për këtë riardhje në pushtet ishte i madh: varrezat e ushtarëve grekë në Përmet e Këlcyrë(pasi socialistët kishin ngritur ato të Bularatit) si dhe pakti famekeq i detit me motrën e kryeministrit aktual grek, Dora Bakojanis-ministre e Jashtme dhe ministrin Kostas Karamanlis.

Kur doli në opozitë, Sali Berisha e ka mbrojtur fuqishëm paktin e tij të detit, duke e quajtur marrëveshjen më të mirë që ka ndërmarrë ndonjëherë Shqipëria. Ndërkohë, zonja Bakojanis e ka quajtur: Maser of Art.
Në rastin aktual të Belerit, simfonisë së Micotaqisit nuk se i ka shkuar kush prapa. Madje, kanë shprehur edhe besdi, siç ka qenë ajo e kancelarit gjerman apo edhe zyrtarëve të tjerë të vendeve kryesore të Bashkimit Europian.

Shkurt, Athina ka vënë re se askush me peshë në Europë nuk se e ka vënë ujin në zjarr për Fredi Belerin. Kjo jo vetëm sepse procesi ndaj tij është në dorë të SPAK që është një institucion ën monitorimin europian, por edhe sepse personazhi në fjalë është një i njohur i letrave të shërbimeve sekrete europiane.

Ndaj sot qeveria greke ka kaluar në një nivel të ulët, duke qarkulluar akuzat e Sali Berishës, i cili dy ditë më parë sulmoi gjyqtaren e tij se ka pasur emra të tjerë. Sot qeveria greke ka bërë partneren e doktorit thuajse në një ditë që Gaz Bardhi ka pranuar të jetë pjesë e foltores.

Një zhvillim dukshëm i lidhur, që thjesht rithekson marrëdhëniet e vjetra Berisha-Micotaqis që me babain e tij që Edi Rama i ngriti shtatore në jug të Shqipërisë, edhe pse ndaj tij ka mjaft kontestime nga qindra mijëra shqiptarë.

Sot gjithsesi ka një gjë të qartë. Foltorja ka një aleat të madh: Qirjako Micotaqisin, si dhe një hero edhe më të madh se doktorin: Fredi Belerin. Berisha, sado që ndodhet në arrest shtëpiak, miku i tij Qirjako nuk thotë asnjë fjalë, edhe pse merr për bazë letrat e stafit të tij. Sa për kujtesë: Andreas Papandreu, që ditën e parë që u arrestua Fatos Nano, kërkoi lirimin e menjëhershëm të tij. Pasi më shumë se cunat e minoritetit, ai partner njihte Fatos Nanon. Ndërsa Qirjako, së pari kërkon lirimin e Belerit, për doktorin as e përmend…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN