Telekom Albania është shitur tashmë zyrtarisht te kompania bullgare Vivacom. Burime Brenda Telekom bëjnë të ditur se negociatat janë mbyllur me sukses dhe bullgarët do të jenë pronarët e rinj.
Vivacom ka blerë 75% të aksioneve, ndërsa 25%, të paktën zyrtarisht, do t’i takojnë biznesmenit shqiptar-bullgar Elvin Guri. Guri prej afro 20 vjetësh ushtron aktivitet në Bullgari, me disa kompani të suksesshme në sektorin financiar.
Në Shqipëri, ai njihet për lidhje me një nga biznesmenët më të mëdhenj në vend, Samir Mane. Të dy kanë qenë ortakë në kompaninë e mikrofinancës Final, para se ajo t’i shitej këtë vit estonezëve të IuteCredit.
Ka arsye për të besuar se pas Elvin Gurit mund të qëndrojë figura e Samir Manes, gjithnjë e më i pranishëm në sektorë strategjikë të ekonomisë.
Vlera e shitjes së Telekom Albania nuk bëhet e ditur, megjithatë oferta e Vivacom dhe Elvin Gurit ishte më e ulët se ajo prej 61 milionë eurosh e paraqitur nga Telekom Srbija.
Telekom Srbija ishte blerësi i përzgjedhur nga Cosmote, por kundërshtimi i qeverisë shqiptare për të pranuar pronësinë e kompanisë publike serbe në një sektor strategjik bëri që negociatat të dështonin. Rrjedhimisht, Cosmote hyri në bisedime me ofertuesin e dytë më të lartë, Vivacom.
Vivacom është kompania më e madhe e telekomunikacioneve në Bullgari, me mbi katër milionë klientë. Vivacom e mbylli vitin 2017 me një xhiro në vlerën e 455 milionë eurove.
Telekom Albania është ndërkohë kompania e dytë më e madhe e shërbimeve celulare në Shqipëri, me rreth 1.1 milionë klientë. Ashpërsimi i konkurrencës dhe rënia e fitimeve në vitet e fundit e shtyu grupin grek Cosmote ta nxirrte në shitje kompaninë e parë të shërbimeve celulare në Shqipëri. Grekët e blenë kompaninë AMC nga qeveria shqiptare në vitin 2000, për 85 milionë euro.