MENU
klinika

Negociohet me Vivacom

Telekom drejt bullgarëve

21.12.2018 - 12:47

Grupi grek Cosmote ka hyrë në negociata për shitjen e Telekom Albania me kompaninë më të madhe bullgare të telekomunikacioneve, Vivacom. Megjithatë edhe bullgarët mund të jenë një pretendent me probleme.

Pas refuzimit të qeverisë shqiptare për të pranuar shitjen e kompanisë te Telekom Srbija, Cosmote është tërhequr nga negociatat me serbët dhe ka hyrë në bisedime me ofertuesin e dytë më të lartë, Vivacom.

Megjithatë, pretendenti i tretë, Albtelecom është ende në garë. Sipas burimeve, oferta e grupit turk Çalik është pak më e ulët, por ka arsye të mendohet se edhe Vivacom mund të jetë një blerës i papërshtatshëm, për arsye politike.

Në fakt, situata e pronësisë së Vivacom prej disa vitesh ka qenë mjaft e ndërlikuar. Zyrtarisht, kompania tani kontrollohet nga një konsorcium i kryesuar nga biznesmeni bullgar, Spas Rusev. Por, prej tre vjetësh, biznesmeni rus Dmitry Kosarev pretendon se është ai pronari i ligjshëm i shoqërisë dhe se marrja e pronësisë nga Rusev u bë përmes një ankandi të trukuar nga banka ruse e investimeve VTB Capital.

Pasiguritë e lidhura me çështjet gjyqësore, problemet e natyrës reputacionale të pronarëve ekzistues dhe fakti që aksioneri i cili pretendon pronësinë është një rus, mund ta bëjnë edhe Vivacom një pretendent të padëshiruar për blerjen e Telekom Albania.

Telekom Srbija kishte paraqitur ofertën më të lartë për blerjen, për një vlerë prej 61 milionë eurosh, ndërsa vlera e dy ofertave të tjera ende nuk është publike.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Telekom Albania është kompania e dytë më e madhe e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri. Në fund të muajit shtator, Telekom raportonte afërsisht 1.1 milionë përdorues aktivë.

Në vitet e fundit, forcimi i konkurrencës e përkeqësuar ndjeshëm performancën financiare të kompanisë. Vitin e kaluar, për herë të parë Telekom Albania raportoi rezultat financiar me humbje të rëndë, në vlerën e 5.4 miliardë lekëve ose rreth 43 milionë eurove. KJo e ka shtyrë grupin grek ta nxjerrë kompaninë në shitje.

Cosmote privatizoi 85% të aksioneve të AMC në vitin 2000, për 85 milionë euro, ndërsa në vitin 2009 bleu edhe aksionet e mbetura të qeverisë shqiptare, për 48 milionë euro. Vlera e shitjes së Telekom sot pritet të jetë në më pak se gjysmën e shpenzuar nga Cosmote për blerjen e kompanisë.

Megjithatë, blerja e AMC do të rezultojë padyshim një operacion shumë fitimprurës për Cosmote, po të kemi parasysh se shoqëria sot ka fitime të pashpërndara për 44 miliardë lekë ose afro 360 milionë euro.