MENU
klinika

“Një apartament privat kushton afërsisht 10 euro nata”

“La República”: Shqipëria, vendi mesdhetar që ruan ende hijeshinë natyrore

11.03.2024 - 21:40

Për shumë amerikano-latinë, dëshira për të eksploruar Evropën është mjaft e madhe. Megjithatë, të vizitosh qytete si Parisi, Roma apo Barcelona mund të jetë shumë e shtrenjtë, shkruan Rosario Ticona në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “La República”.

Kjo situatë bën që shpesh shumë njerëz t’i shtyjnë këto dëshira, duke i shndërruar ato në ëndrra të paarritshme.

Në këtë kontekst, një turist kolumbian, i njohur për udhëtimet e tij në kontinentin evropian, ndau informacione për vendin më të përballueshëm në Kontinentin e Vjetër, duke ofruar detaje rreth kostove që lidhen me akomodimin, ushqimin, atraksionet dhe transportin.

Cili është shteti më i lirë për të vizituar në Evropë? 

Vendi më i lirë për të vizituar Evropën është Shqipëria, e vendosur në juglindje të Gadishullit Ballkanik.

Shqipëria ofron çmime të favorshme për akomodimet. Përveç kësaj, ndër atraksionet e saj kryesore janë plazhet e Rivierës Shqiptare, kështjellat dhe disa zona arkeologjike.

Gjithashtu, vendi mesdhetar ruan ende hijeshinë natyrore pasi nuk është pushtuar nga turmat e turistëve, si Parisi.

Pse Shqipëria është një destinacion turistik i lirë?

Shqipëria është një vend i lirë për t’u vizituar. Vendi ofron një përvojë unike me çmime shumë të përballueshme. Për shembull, një apartament privat kushton afërsisht 10 euro nata.

Gjithashtu, turistët mund të zgjedhin akomodimin që dëshirojnë sipas nevojave dhe buxhetit të tyre, pasi shumë pronarë operojnë përmes platformave “Booking” dhe “Airbnb”.

Një mënyrë tjetër për të shijuar udhëtimin tuaj është të merrni me qira një makinë që kushton afërsisht 25 euro në ditë.

Gjirokastra, e njohur si Qyteti i Gurtë, është një nga qytetet më të bukur në Shqipëri e shpallur një sit i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO.

Atraksionet e saj kryesore përfshijnë kështjellën e saj mbresëlënëse, shtëpitë e stilit osman të ruajtura mirë dhe Muzeun Etnografik.

Berati, një tjetër qytet i trashëgimisë së UNESCO-s, i famshëm për shtëpitë e tij të bardha me dritare që duket sikur ju shikojnë, dhe i quajtur qyteti i “një mijë dritareve”.

Ju mund të vizitoni Kalanë mbresëlënëse të Beratit, nga ku mund të shijoni pamjet spektakolare të zonës përreth.

Riviera Shqiptare, bregdeti shqiptar njihet për plazhet e bukura dhe ujërat e kristalta.

Destinacionet e njohura në Rivierën Shqiptare përfshijnë Sarandën, Ksamilin, Himarën dhe Dhërmiun.

Këto zona ofrojnë mundësi të shkëlqyera për të notuar, për të bërë banjo dielli dhe për të shijuar kuzhinën bregdetare.

Si është moti në Shqipëri?

Klima në Shqipëri ndryshon në mënyrë të konsiderueshme midis bregdetit dhe zonave malore. Në përgjithësi, vendi ofron një klimë të këndshme gjatë gjithë vitit.

Bregdeti ka një klimë tipike mesdhetare me verë të nxehtë, të thatë dhe dimër të butë e të lagësht, ku temperatura mesatare gjatë verës është 24°C.

Nga ana tjetër, malet kanë një klimë më kontinentale me dimër të ftohtë subarktik dhe verë më të freskët, veçanërisht në majat më të larta.

Temperaturat në bregdet janë pak të ftohta për të notuar në qershor, por bëhen të pranueshme ose të ngrohta nga korriku deri në shtator.

Në Tiranë, kryeqyteti që ndodhet rreth 30 kilometra nga bregdeti, klima është e ngrohtë. Dimri është i butë dhe me shi, dhe vera është e nxehtë dhe me diell.

Prandaj, për një udhëtim në Shqipëri, këshillohet të merrni veshje të përshtatshme për stinën dhe rajonin specifik që planifikoni të vizitoni, duke pasur parasysh ndryshimet klimatike midis bregdetit dhe rajoneve malore.

Cilat janë festat e Shqipërisë?

Disa festa shqiptare përfshijnë Ditën e Bajramit, festa islame që feston fundin e Ramazanit, Festa e Mësuesit, Dita e Nënë Terezës, Dita Kombëtare e Rinisë, Dita e Çlirimit, Festa e 1 Majit, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.