Deputetja Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka patur një komunikim me mediat pas përfundimit të Konferencës së Kryetarëve.
Spiropali deklaroi se opozita më në fund ka arritur në përfundimin se nuk mund t’ja vësh zjarrin Kuvendit. Ajo theksoi se radikalizmi nuk është flamur fitoreje. Sipas Spiropalit, sot nuk janë bërë marrëveshje apo pazare, por janë plotësuar detyra, që duhen bërë për të mirën e Shqipërisë.
“Pushteti nuk vjen nga bilbilat në parlament. Jam e lumtur që dëgjoj deputetë opozitarë, që mendojnë se radikalizmi nuk është flamur fitoreje. Jemi në një fazë të rëndësishme të integrimit të vendit dhe konsensusi na shërben për mirë.
Nuk mund t’i vësh zjarrin Kuvendit. Kjo nuk është çështje pazari, por është çështje proceduriale për disa çështje të rëndësishme. Janë disa detyra kushtetuese, që ne duhet t’i bëjmë bashkarisht”, deklaroi Spiropali.
Ndër të tjera ajo foli edhe në lidhje me këmbënguljen e Alibeajt se ka një marrëveshje Rama – Berisha, për funksionimin e Kuvendit.
Ajo shtoi se Komisioni i Reformës Zgjedhore pritet të ketë një produkt dhe nëse jo, do të kalojë në institucionet e tjera të Kuvendit.
“Nuk është çështje as gratash as non gratash, lexova Alibeajn ku këmbëngul për një marrëveshje, mes Berishës dhe Ramës sa i takon funksionimit të Kuvendit.
Si duket Alibeaj ngaqë nuk vjen në Kuvend dhe nuk ka se si të vijë në fakt, përderisa nuk vjen Luli, na nis në Komisionin Zgjedhor ultimatume qesharake për ndryshimin e sistemit, kjo është çështja e jona. Unë nuk dua të hyjë në mënyrën e funksionit të opozitës.
Sa na takon ne, kemi qenë këtu edhe të gatshëm. Ne kemi bërë detyrën tonë në komisione. Ato ligje janë diskutuar për orë të tëra në Kuvend. Në Zgjedhoren duhet t’i bëjmë me dije, se ky komision pritet të këtë një produkt, nëse nuk do të ketë do ta kalojmë institucionet e tjera në Kuvendit dhe do ta kalojmë se seancë plenare”, tha Spiropali.