MENU
klinika

Luks i shfrenuar

Në vitin 2025 do të hetohen pasuritë e pronarëve të makinave luksoze

12.03.2024 - 17:01

Të gjithë ata që janë pronarë makinash luksoze, por që nuk i justifikojnë dot me të ardhurat e tyre, do të hetohen. Personat që dorëzojnë deklaratën Individuale të të Ardhurave në 2025-ën, e që kanë makina luksoze që nuk justifikohen me të ardhurat e deklaruara do të kalojnë në filtrin e kontrolleve.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thotë se mbi bazën e këtyre deklarimeve do të nisë ballafaqimi me pasuritë që këta individë disponojnë.

Fillimisht përgjatë vitit që vjen administrata Tatimore do të vërë në sitën e verifikimit makinat luksoze, për të parë nëse pronarët e tyre justifikojnë mjetin bazuar në të ardhurat që ata deklarojnë.

Ky është një projekt pilot që Administrata Tatimore do të ndërmarrë në bashkëpunim me DPSHTRR, dhe është në të njëjtën linjë me nismat që administrata tatimore do të marrë në luftën kundër informalitetit.

“Aktualisht jemi në fazë idesh, diskutimesh për identifikimin e hapave që do të bëjë secila palë, ku ky projekt pilot do të implementohet. Procesi mendohet të fillojë gjatë vitit 2025 me mbylljen e deklarimit të të ardhurave vjetore për vitin 2024”, thuhet në përgjigjen e Tatimeve.

Administrata tatimore thotë se ende nuk ka një shifër se sa persona do të bëhen pjesë e verifikimit të pasurisë, pasi do të vendoset pasi të dorëzohet deklarata individuale e të ardhurave.

Sipas të dhënave nga DPSHTRR, në vend janë të regjistruara 21.814 automjete luksoze.

“Automjet Luksoz konsiderohet autovetura deri në 6+1, e cila plotëson të paktën njërin nga kushtet e mëposhtme: cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm kub ose vlera të jetë e barabartë ose më shumë se 5 milionë lekë”, thuhet në përgjigjen e DPSHTRR-së.

Por ky është vetëm hapi i parë pasi do të ketë edhe ballafaqime të të ardhurave me pasuri të tjera që kanë qytetarët të cilët pas një analize të tatimeve do të vlerësohen me risk, pra për të cilët ka dyshime që të ardhurat e fituara janë më të larta se ato të deklaruara.

“Qëllimi është sigurimi i çdo të dhëne nga palët e treta që mundëson krahasimin e të ardhurave të deklaruara nga individët nga të gjitha burimet e tyre me pasuritë që disponojnë. Nëse rezultojnë mos deklarime të ardhurash të vërtetuara do të zbatohen dispozitat ligjore të ligjit 9920/2008 “Për Procedurat Tatimore në RSH” i ndryshuar dhe ligjit Të Tatimit mbi të Ardhurat, ku përfshihen edhe penalitetet për mos deklarim”, vijon përgjigja.

Ky ballafaqim pasurie nis me personat që kanë detyrim plotësimin e DIVA-s, ku referuar të dhënave zyrtare këtë vit duhet të dorëzojnë këtë deklaratë afro 106 mijë qytetar, nga të cilët 75 mijë kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë.

Detyrimin për të dorëzuar deklaratën individuale (DIVA-n) e kanë të gjithë të dy punësuarit pavarësisht të ardhurave, dhe të gjithë personat e tjerë që përgjatë vitit kalojnë 2 milionë lekë të ardhura. /Report Tv