I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta nisë sot vizitën e tij në Kosovë, ku pritet të takohet me liderët e vendit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, opozitën dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, për të biseduar për çështjen e dinarit serb.
Emisari amerikan tha të martën se gjatë vizitës në Prishtinë, do ta ketë në fokus “një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për ta ndaluar dinarin, si dhe për transferet prej Serbisë për qytetarët e Kosovës, të cilët varen prej tyre”.
Banka Qendrore e Kosovës e filloi zbatimin e një rregulloreje të re nga 1 shkurti, e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret për pagesa me para të gatshme, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.
Escobar, gjatë një bashkëbisedimi të hapur me gazetarë në Bruksel të martën, e quajti “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve kosovare për të zbatuar këtë rregullore.
Serbia deklaron se ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Në mungesë të dinarëve në vendbanimet e tyre në Kosovë, serbët e Kosovës të martën udhëtuan dhjetëra kilometra drejt qyteteve serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, për t’i tërhequr mjetet që ata pranojnë nga Qeveria e Serbisë.
Escobar i ka përmendur disa arsye pse SHBA-ja nuk pajtohet me mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së: shpejtësia me të cilën është zbatuar, mungesa e ofrimit të ndonjë alternative për të pranuar paratë, nuk janë kontaktuar komunitetet e prekura prej vendimit, komuniteti ndërkombëtar ka pasur vështirësi që ta bindë Kosovën që të ofrojë ndihmë teknike.
“Qeveria e Kosovës duhet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur zgjidhje për këtë vendim, që do ta quaja katastrofik dhe madje jokompetent, të zbatimit të vendimit që ka krijuar kaos në ekonominë e Kosovës”.
Escobar ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për ndikimin që ka te komuniteti serb.
Vizita e tij në Prishtinë është pjesë e një turneu tetëditor në vendet si Belgjika, Austria dhe Mali i Zi, të cilin e nisi më 10 mars./REL