MENU
klinika

Marrëveshja PS-PD për ‘Zgjedhoren’

Gjiknuri: Dakordësia me Rithemelimin nuk do të prekë Reformën në Drejtësi

15.03.2024 - 17:49

Pas dy vitesh duket që puna komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore do të mbyllet pa një produkt konsensual mes PS dhe PD së Lulzim Bashës.

Bashkëdretjuesi socialist Damian Gjiknuri në një intervistë për A2CNN ka treguar që nuk pritet të ketë shtyrje të afatit të këtij mekanizmi pasi palët nuk kanë arritur të gjejnë dakordësinë.

“Nuk kemi produkt të përbashkët akoma. Për aq kohë sa u bë mbi dy vjet që ky komision funksionon, nuk është në kushtet për të nxjerrë një produkt. Zgjatja duhet të ishte me vend kur palët të kishin bërë progres dhe të kishin gjetur dhe donin edhe pak kohë, por me ç ‘duket nuk do të ketë një produkt”, tha ndër të tjera Gjiknuri.

Edhe pse kishte veton si bashkëdrejtues, i besuari i Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeaj dështoi t’i imponohej kolegut socialist për të ndryshuar sistemin zgjedhor.

Madje ky i fundit tregoi edhe pse erdhi ky propozim nga demokratët. Gjiknuri nuk e mohon që në diskutimet për ndryshimin e sistemit, socialistët të kenë hedhur në tryezën e bisedimeve politike edhe përfshirjen e primit.

Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi herësin, listat janë plotësisht të hapura thotë Gjiknuri, pavarësisht se është i idesë që duhet gjetur një tjetër formulë.

Për të arritur këtë duhet një dakordësi mes të majtëve dhe të djathtëve dhe platforma e duhur për t’u diskutuar mund të jetë grupi i punës që do ngrihet në Parlament nga marrëveshja politike me Rithemelimin.

Njësoj si Gazment Bardhi, edhe Gjiknuri mohon që dakordësia me Rithemelimin të shkojë deri në rishikimin e ligjeve të reformës në drejtësi. Për këtë, të dyja palët garantojnë se do të kërkohet aprovimi i ndërkombëtarëve.