Korporata Shqiptare e Investimeve do të ketë në dorë të menaxhojë të gjitha pronat publike të cilat i transferohen, duke i dhënë ato për përdorim tek subjekteve private përmes disa formave, siç është qiraja, leasing, shitja apo krijimi i partneritetit publik-privat.
Referuar vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, korporata përdor pronat në pronësi/përdorim të saj, në funksion të një projekti investimi të ideuar apo hartuar prej saj vetëm apo në bashkëveprim me partnerë publikë apo privatë apo një projekti investimi të ideuar dhe propozuar nga partnerë privatë apo publikë në rastin kur këto projekte kanë statusin e investimit strategjik, të investimeve me status të veçantë në një sektor të caktuar apo në raste kur prona ndodhet në zonat me përparësi për zhvillim.
Por, cilat janë kriteret bazë dhe kush përfiton nga shfrytëzimi i pronave publike? Një subjekt duhet të plotësojë kriteret ligjore, teknike dhe financiare. Kritere bazë ligjore përfshijnë që subjekti të mos jetë subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit; të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale, të ketë paguar detyrimet tatimore dhe kontributet në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës.
Sa i takon kriterit financiar, subjektet duhet të dorëzojnë bilancet e tre viteve; të kenë kapacitet financiar për të financuar projektin arkitekturor dhe për mbulimin e shpenzimeve të zhvillimit/përmirësimit të pronës në rastin e sipërmarrjes të ketë garanci bankare, minimumi për kapitalin e nevojshëm financiar në rastin e enfiteozës dhe sipërmarrjes.
Po ashtu, prona shtetërore në pronësi të Korporatës mund të shitet apo të përdoret si garanci, kolateral, peng apo hipotekë me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, proces që mund të bëhet me procedurë konkurrimi publik nëpërmjet përzgjedhjes dinamike/me zarf apo me pikëzim.