MENU
klinika

Analiza

Turqia, “vrima” në rrjetën e sigurisë perëndimore

21.03.2024 - 09:15

Turqia vazhdon të modernizojë ushtrinë e saj, dhe marrëveshja për blerjen e avionëve F-16 nga Shtetet e Bashkuara, e ka përforcuar më tej atë.

Në një tubim të kohëve të fundit, Erdogan nuk i fshehu ambiciet e Turqisë për kalimin nga një forcë rajonale në një fuqi globale, e ndihmuar nga përparimet e mëdha në industrinë e saj të mbrojtjes.

Për shkak të kundërshtimit të saj të fortë deri pak kohë më parë rreth anëtarësimit të Suedisë në NATO, kanë lindur shumë dyshime mbi angazhimin e Turqisë ndaj parimeve dhe synimeve të organizatës. Një dokumenti i janarit nga Grupi Ndërkombëtar i Punës për Sanksionet ndaj Rusisë e konfirmon këtë dyshim.

Gjetjet e grupit thonë se në 10 muajt e parë të vitit 2023, ka pasur vetëm një rënie prej 10 për qind të importit të mallrave të fushëbetejës nga Rusia në krahasim me periudhën e para sanksioneve. Është mbresëlënës fakti që 95 për qind e pjesëve të gjetura tek armët ruse në fushën e betejës, e kishin burimin nga vendet që kishin vendosur sanksione, me 72 për qind të tyre që llogariten nga kompanitë me bazë në SHBA.

Shumica e produkteve në fjalë, mbërritën në Rusi nëpërmjet ndërmjetësve të vendeve të treta, veçanërisht Kinës, Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Pozicioni i Turqisë në këtë aspekt, ashtu si edhe për një sërë çështjesh të lidhura, mbetet gjithashtu i paqartë.

Nga njëra anë, Ankaraja e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, por nga ana tjetër gëzon përfitimet e bashkëpunimit të lulëzuar ekonomik. Turqia ka refuzuar t’i bashkohet koalicionit ndërkombëtar që vendosi sanksione dhe kufizime të eksporteve ruse, gjë që përbën një çështje shumë shqetësuese për Shtetet e Bashkuara.

Një vit më parë, nënsekretari i Thesarit të SHBA-së Brian Nelson u takua me Shoqatën e Bankave të Turqisë, dhe tërhoqi vëmendjen ndaj rritjes së dukshme të eksporteve jo thelbësore turke ose ri-eksporteve drejt Rusisë.

Nëntorin e vitit të kaluar, ai shprehu shqetësim për rritjen me 6 herë të ri-eksporteve turke të teknologjisë me përdorim të dyfishtë drejt Rusisë. Rrjedhimisht, në shtator, administrata Biden vendosi sanksione ndaj 5 kompanive turke dhe një shtetasi turk për mbështetjen e Moskës në luftën e saj kundër Ukrainës.

Muajin e kaluar, Thesari i SHBA-së vendosi sanksione ndaj një rrjeti prokurimi, duke përfshirë një kompani turke, për lehtësimin e eksportit të teknologjisë së SHBA-së në Iran.

Në këtë kontekst, një çështje e pazgjidhur me Turqinë mbetet padija ndaj bankës shtetërore turke, Halkbank, për ndihmën e dërgimit të më shumë se 20 miliardë dollarëve në Iran.

Në tetor 2023, pas një sulmi terrorist në Ankara për të cilin përgjegjësinë e mori PKK (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit), presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan u bëri thirrje aleatëve të Turqisë që të merrnin një qëndrim të qartë kundër terrorizmit.

Për shembull, në Sirinë Verilindore, Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga milicia kurde YPG, po luan një rol udhëheqës në operacionin “Inherent Resolve” kundër ISIS. Megjithatë, Turqia e ka futur YPG në një listë më PKK-në, dhe në mënyrë indirekte ka kritikuar Shtetet e Bashkuara, pasi Erdogan iu referua “mbështetjes së hapur për organizatat terroriste në Sirinë Veriore”.

Për këtë arsye, gjatë vizitës që zhvilloi javën e kaluar në Uashington nën kujdesin e Mekanizmit Strategjik SHBA-Turqi, Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan i kërkoi Shteteve të Bashkuara të ndërpresin lidhjet e tyre me anëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Në vitin 2014, David L.Phillips, drejtor në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut të Universitetit të Kolumbias në Nju Jork, publikoi investigimin e tij të detajuar mbi lidhjet midis Shtetit Islamik dhe Turqisë.

Në vitin 2020, gazetari turk Can Dundar u dënua me mbi 27 vite burg me akuzën e mbështetjes së terrorizmit, vetëm sepse në vitin 2015 kishte botuar një artikull që zbulonte transportin e armëve nga shërbimi sekret turk për rebelët në Siri.

Tre vjet më parë, Thesari i SHBA-së, përmendi gjatë një memorandumi drejtuar Departamentin e Mbrojtjes në lidhje me operacionin “Inherent Resolve”, se ISIS mbështetej tek institucionet financiare për të transferuar fonde midis Irakut dhe Sirisë, por edhe ndërkombëtarisht, shpeshherë duke u mbështetur tek qendrat logjistike në Turqi.

Së fundmi, presidenti turk Erdogan ka përsëritur atë që kishte thënë më parë në tetor të vitit të kaluar, se “askush nuk mund të na detyrojë ta klasifikojmë Hamasin si një organizatë terroriste”, duke shprehur mbështetjen e vendosur të Turqisë për të.

Megjithatë, Brian Nelson, theksoi në një konferencë për mediat në nëntor në Stamboll, se ishte “tejet i shqetësuar” mbi aftësinë e Hamasit për të vazhduar me mbledhjen e fondeve ose gjetjen e mbështetjes financiare në Turqi për sulme të mundshme terroriste në të ardhmen.

Përballë pasojave nga vite të tëra të keq-menaxhimit ekonomik, sot fjala kyçe në Turqi është “vetëpërmbajtja”, qoftë siç shihet në Deklaratën e Athinës për Marrëdhëniet Miqësore dhe Fqinjësinë e Mirë apo edhe në afrimin e fundit midis Turqisë dhe Egjiptit.

Siç tregohet edhe nga vizita e fundit e Ministrit të jashtëm turk Hakan Fidan në Uashington, aktualisht po flitet për rigjallërimin e marrëdhënieve dypalëshe SHBA-Turqi. Për shembull nënsekretarja e Shtetit Victoria Nuland, po mendon të propozojë ri-pranimin e Turqisë në programin e ndërtimit të avionëve të rinj luftarakë F-35.

Njëkohësisht, Turqia vazhdon të modernizojë ushtrinë e saj, dhe marrëveshja për blerjen e avionëve F-16 nga Shtetet e Bashkuara, e ka përforcuar më tej atë. Në një tubim të kohëve të fundit, Erdogan nuk i fshehu ambiciet e Turqisë për kalimin nga një forcë rajonale në një fuqi globale, e ndihmuar nga përparimet e mëdha në industrinë e saj të mbrojtjes.

Në gusht të vitit të kaluar, Asli Aydintasbas dhe Jeremy Shapiro mbështetën kultivimin e një marrëdhënie transaksionale të SHBA-së dhe BE-së, me Turqinë post-perëndimore të Erdoganit, e cila si “mbrojtësja e fundit e gardhit”, mund të jetë rruga më e mençur për t’u adoptuar.

Burimi: “National Interest”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë po ndodh në Mesdheun Lindor

A do të nisë luftë mes Turqisë dhe Greqisë?