MENU
klinika

Rusët të lodhur nga lufta

Si do ta zgjidhë Rusia krizën e vazhdueshme për ushtarë?

22.03.2024 - 08:30

Dy vjet pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës, Kremlini po ristrukturon dhe zgjeron ushtrinë e vendit në pritje të një konflikti me NATO-n në plan afatgjatë, por edhe të një sulmi apo ofensive në Ukrainë, në plan afatshkurtër. Ndryshe nga pritshmëritë e presidentit rus Vladimir Putin, muajt e parë të pushtimit zbuluan mangësi të thella në planifikimin ushtarak rus. Ekspertët si dhe zyrtarë amerikanë dhe të huaj nxituan ta shpallnin ushtrinë ruse një “tigër letre”. Por ndërsa lufta hyn në vitin e tretë, duket sikur koha ka mbetur në vend dhe sërish Rusia e gjen veten duke luftuar me një “krizë” për ushtarë. Ushtria ruse po përballet gjithnjë e më shumë me mungesën e trupave për ti dërguar në vijën e frontit në Ukrainë. Vendi ka humbur tashmë qindra mijëra jetë në luftën e tij katastrofike në Ukrainë.Rusia aktualisht duhet të angazhojë më shumë njerëz në forcat e saj të armatosura. Ndaj, në këtë kontekst, shpjegohen të gjitha “fushatat e rekrutimit”, nga më normalet tek më çnjerëzoret.

Time and troops in finite supply for Russia's army in Ukraine | Lowy Institute

Nga burgu në front

Rusia vazhdon të zbrazë burgjet dhe të dërgojë “vullnetarë” nga kolonitë penale në front. Këshilli i Federatës, dhoma e lartë e parlamentit të Moskës, ka miratuar një projekt-ligj që u lejon atyre që janë dënuar ose janë nën hetim për krime të rënda të mesme, të zëvendësojnë periudhën e tyre të burgut me shërbimin ushtarak në Ukrainë. Një dekret i parë i tillë hyri në fuqi në vitin 2023 dhe zbatohej gjithashtu për krimet e kryera para shpalljes së tij. Tani, praktika është sistemuar dhe kodifikuar brenda Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Ata që kanë kryer krime kundër sigurisë publike, abuzim seksual të të miturve, akte terrorizmi ose krime kundër themeleve të rendit kushtetues dhe sigurisë shtetërore, përjashtohen nga mundësia e shmangies së burgut. Ndërsa për qytetarët rusë që vendosin të nënshkruajnë një kontratë me forcat e armatosura, ndëshkimi dhe hetimet në lidhje me ta do të pezullohen. Sjellja e tyre do të monitorohet nga komandantët e njësive të ndryshme dhe, nëse një person kryen një krim tjetër gjatë shërbimit ushtarak, gjykatat do të marrin parasysh dënimet e mëparshme. Nëse një nga këta “vullnetarë” dekorohet gjatë kohës së tij në Ukrainë, ai do të jetë në gjendje të shijojë heqjen e çdo “njolle” nga rekordi i tij kriminal.

Taktikat e Prigozhin

Vetë praktika nuk është asgjë e re. I pari që e përdori atë gjatë konfliktit ishte Yevgeny Prigozhin, kreu i ndjerë i kompanisë Wagner, i cili gjatë periudhës së “lavdisë” së PMC-së së tij rekrutoi mijëra luftëtarë nga popullsia ruse e burgjeve. Që nga prilli i vitit 2023, qeveria e Moskës e ka imituar atë duke krijuar njësitë “Storm-Z”, batalionet penale të trajnuar për rreth dhjetë ditë përpara se të dërgoheshin për të luftuar në zona të nxehta si Bakhmut dhe Avdiivka, ku ata pësuan humbje që varionin nga 40 deri në 70 % e fuqisë punëtore. Pasi mbaroi periudha e tyre e shërbimit, shumë nga kriminelët e mbijetuar që u kthyen në Rusi si njerëz të lirë kryen krime të tjera, shpesh të dhunshme, duke krijuar një problem real social në shumë komunitete në vend. Sipas dëshmive të mbledhura nga Wall Street Journal, gjyqtarët e Federatës gjithashtu do t’u rezervonin atyre një trajtim më të butë për faktin se ata luftuan kundër Kievit.

Dy ushtri të reja

Ka gjithashtu raporte se po rritet numri i ushtarëve që refuzojnë të kthehen në front, kjo ka detyruar Moskën të krijojë batalione vullnetare. Rusia tha së fundmi se ushtarët e saj po zmbrapsnin forcat ukrainase dhe se ata do të përforcoheshin me dy ushtri të reja dhe 30 formacione deri në fund të këtij viti. Rusia kontrollon pak më pak se një të pestën e territorit të Ukrainës dhe presidenti rus Vladimir Putin e urdhëroi atë të përparojë më tej pasi pushtoi qytetin lindor të Avdiivka muajin e kaluar. “Grupe ushtarësh rusë ende po e shtyjnë armikun nga pozicionet e tyre”, u tha gjeneralëve ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu.Ai njoftoi se Rusia, e cila ka rekrutuar qindra mijëra mercenarë, do të krijojë dy ushtri të reja dhe 30 formacione, duke përfshirë 14 divizione dhe 16 brigada.