Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se në takimet e sotme me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç në Bruksel u sqaruan detaje të rëndësishme.
Ndërmjetësi europian shtoi se palët janë pajtuar të mblidhen sërish javën e ardhshme me ambicien për të gjetur një zgjidhje.
“Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë prezantuar sot propozimet për rrugën përpara për personat e prekur nga rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme. Diskutimet tona të gjata ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme”, shkroi Lajçak.
Ndërkohë që zëvendëskryeministri i Kosovës foli për dallime të mëdha pas takimit, ndërsa përmendi një takim shtesë, që pritet të mbahet më 4 prill.
“U pa se ka një dallim të madh mes propozimeve të të dyja palëve dhe u dakorduam që, pas disa bisedimeve, që ka nevojë edhe për një takim të radhës, për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhjeje apo jo”, tha Bislimi, i cili nuk pranoi të japë detaje për propozimet.