Gaz Bardhi, ditët e fundit, është bërë më opozitar se kurrë. Madje, ai thotë se “gjithçka e bën për popullin, për vendin, për interesa madhore, dhe jo për vehten”. E lezetshme kjo deklaratë e tij, sidomos kur thotë “nuk e bëj për vehten”. Në fakt Gazi, në rast se nuk do të gjente “strehë” tek Berisha, sot do të ishte mes kryqezimeve pa zgjidhje. Me Lul Bashën, ai kurrë nuk bashkohet më, dhe kjo pasi Luli e ka përzënë njëherë e mirë nga grupi tij.
Por edhe tek Berisha, e shohin si me “dyshim” çdo lëvizje të tij, çdo deklaratë apo veprim konkret që bën me emrat dhe listat e komisioneve. Gazi në fakt edhe pse ka vajtur tek Berisha, nuk ka hyrë me “dy këmbët” atje. Gazi aspiron për më shumë, ndoshta për ti zënë vendin Mulit ose dhe Berishës. Atje ku ndodhet sot, si kryetar grupi parlamentar, Gazi nuk e ka të sigurtë as mandatin e ri të 2025. Ndaj i mbetet për tu bërë më shumë ‘opozitar, më shumë patriot, më shumë demokrat se kushdo”.
Kjo është stina dhe koha kur Gazi duhet ti tregojë paksa “dhëmbët” edhe Berishës, por edhe Edi Ramës. Gjithmonë kjo sipas Gazit. Dhe çfarë po bën ? Dy ditë më parë, Gazi nxorri nga “syndyku”, goxha dokumenta ku sipas tij faktohej se “Vëllai kryeministrit Rama, na qenkësh në grupin e drogës së Xibrakës”. Dhe Gazi tha se “qëllimisht organet e drejtësisë e kanë përjashtuar Olsi Ramën nga procesi identifikimit hetimor”. Imagjino, të ishte Gazi kryetar gjykate, apo kreu i SPAK-ut. Do të kishte bërë qametin me arrestime dhe gjykime….Ja pra që Gazi, nuk paskësh qenë as i Lulit dhe as i Berishës. Gazi është i Gazmend Bardhit, pasi i intereson karriera politike, ambicja e të bërit kryetar PD-je ose një hap më lart, posti i Mul Nokës. Por deri atëhere, ka akoma kohë dhe pengesa të tjera për të kaluar.
Gazi në fakt, “trokitjet” i bën ti dëgjojë Berisha, dhe ta mendojë mirë vendin që duhet ti japë atij në PD. Edhe pse ka futur njërën këmbë në PD, edhe pse deklaron se “PD është sot unike”, Gazi sërish mban pas vehtes emrat e grupimit të tij, si garanci për fushatën e ardhshme elektorale. Nuk i dihet asnjëherë se ç’ngjet në atë parti, aq më tepër kur Berisha po e sheh se nuk ka shanse të rehabilitohet nga drejtësia. Ndaj, Gazit i duhet të bëhet sot më shumë se kurrë, “shumë patriot dhe shumë demokrat”, natyrisht duke ushtruar edhe pak presion në distancë, mbi oratorin e ballkonit në rrugicë, ndryshe mund ta pësojë si shumë të tjerë që Berisha i ka flakur, pasi i ka përdorur siç ka dashur.
Ndaj, Gazi betejën me “Xibraka dhe sistemet TIMS”, nuk e ka me Ramën (pasi nuk e ha dot atë malore) por me Berishën dhe berishët në PD.