MENU
klinika

Çfarë ndodhi me ekonominë në 2023-shin?

Bujqësia në krizë, bumi turistik nuk rriti konsumin

02.04.2024 - 17:25

Ekonomia e vendit është rritur me 3.3% gjatë vitit të kaluar (2023) krahasuar me vitin 2022, kohë kur ekonomia ka pasur performancë më të mirë dhe është rritur me 4.8%. Referuar raportit të Institutit të Statistikave, ekonomia vjet është rritur 1.5% më pak se viti 2022.

Edhe pse Shqipëria në vitin e kaluar, përjetoi një bum të madh turistik, kontributi më i madh në rritjen ekonomike ka vijuar të jepet nga ndërtimi.

Edhe në tremujorin e fundit të 2023, që përkon me muajit tetor-dhjetor, ku ekonomia u rrit me 3.8%, ndikimi kryesor u dha nga ndërtimi me 1.28%, ndjekur nga rritja e pagave për administratën publike me mbi 1%.

Bazuar në të dhënat e INSTAT, në rritje ka qenë edhe aktiviteti i pasurive të paluajtshme, i arteve, argëtimit, informacionit, i tregtisë, akomodimit ushqimor apo fusha e sigurimeve.

Ndërsa në rënie të fortë përgjatë vitit të kaluar është shfaqur bujqësia, e cila vetëm në tremujorin e katërt të vitit ka pësuar rënie me 3.07% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.

“Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e katërt të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, shfaqen si më poshtë: Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit shënoi rënie prej 3,07%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 2,03%.

Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 10,80%. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 0,38%. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 8,81%.

Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 7,50%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 10,33%.

Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me rritje prej 10,78%. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 8,82%. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati rritje me 21,42%. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 2,23%., thotë INSTAT.

Pavarësisht rritjes ekonomike dhe bumit turistik me mbi 10 milionë të huaj që vizituan shqipërinë vjet, nuk është regjistruar rritje e konsumit, pasi të dhënat tregojnë se konsumi në fund të vitit u rrit vetëm me 1.5% që është niveli më i ulët, që pas 2020-ës, kur ishte periudha e pandemisë dhe ekonomia u mbyll.

Ndërsa përgjatë gjithë vitit konsumi i popullatës u rrit në total me 2.9%, nga 7.3% që u rrit në vitin 2022.