Parti, quhet një grupim njerëzish që bashkëpunon rreth një plani të përbashkët politiko-social, partia është një lidhje e lirë, ku respektohet mendimi, veprimi, dhe vullneti politik i krijuesve dhe qytetareve që e mbështesin. Deri këtu, mendoj se këtij përkufizimi i takojnë edhe partitë e krijuara pas rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri. Por ajo që ka ndodhur vit pas viti në Shqipëri, ku njëra parti ndahej, tjetra bashkohej, apo dhe një tjeter krijohej nga e para, ka bërë që të prishet imazhi mbi “pluripartizmin” deri diku. Kjo për faktin sepse, shumë shpejt në Shqipëri, ata që “demek krijuan partitë e tyre”, ja panë hajrin pushtetit apo dhe politikës përmes saj. Sot pas afro 33 vitesh, kanë ndryshuar shumë mënyra se si funksionojnë së brëndshmi partitë, pasi nuk është më koha kur “diktati i kreut, ishte ligj për ata poshtë.
Duke dalë konkretisht tek Partia Demokratike, besoj se askush nuk e kishte menduar se, ajo do të katandisej kështu siç është katandisur sot. Askush nuk besonte se, një ditë Berisha nuk do të kishte forcën të vinte në rresht gjithë kundershtarët e tij. E ndarë në “copa-copa”, ku dikush thotë “jam kryetari”, një tjeter thotë “jam kreu i grupit parlamentar”, apo një tjeter surprizon se “vula na takon ne, ndaj na jepni edhe selinë që na grabitët”, sot është vënë në pikëpyetje fakti se, a është vërtetë parti kjo forcë e shpërndarë politike. Ekzistojnë 2 grupime parlamentare, dy kryetare, 4 nënkryetarë, 2 këshilla kombetare, 2 palë anëtarësi, nën të njëjtin flamur, sigël, apo dhe simbolikën e “dy gishtave lart”. Atehere, pse duhet ta quajmë parti, dhe jo “grupime të veçanta të një ish-partie”. Berisha, Bardhi, Basha, Alibeaj, Noka, apo dhe emra të tjerë, janë sot emrat e debateve në sallën e Parlamentit, jo për të zgjidhur “hallet e popullit”, por për të treguar para nesh se, kush është kryetari, nënkryetari, sekretari, etj..etj..Vitet rrokullisen, dhe bashkë me ato, edhe fati i një partie që po rrënohet si pjesë e një lufte klanore, krahinore, dhe bajraktariste.
Askush nga ata nuk ka mendësi të moderuar, pasi seicili mendon për të ardhmen e mandatit, dhe pasurive që ka. Duke e spostuar betejën për vulën, selinë, anetarësinë, dhe postin e kreut të partisë nga brënda saj, në Parlament, gjykata, dhe faqe gazetash, duket se as Berisha nuk e kishte menduar se, PD-ja do të thërrmohej kaq keq, sa do të ishte e pamundur ti mblidhje bashkë një ditë. Votuesi i sotëm, nuk beson më tek imagjinata e kryetarit të një partie “X”, por tek realiteti i prekshëm, tek premtimet e mbajtura, dhe konsolidimi i vazhdueshëm i një force të përgjegjshme politike. Asnjë nga këto kushte nuk për mbush sot PD-ja, atëhere pse duhet ta quajmë akoma parti politike ?