MENU
klinika

'iPhone' ngelet në duart e SPAK

Gjykata e Lartë refuzon kërkesën e Monika Kryemadhit

05.04.2024 - 11:12

Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën e Monika Kryemadhit për kthimin e një aparati celular të sekuestruar nga SPAK.

Aparati celular i llojit “iPhone” i është sekuestruar një personi të afërt të Kryemadhit, ndërsa dyshohet nga SPAK se përdorej prej saj.

Një kolegj penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici vendosi në Dhomë Këshillimi të mos pranojë rekursin e bërë nga Kryemadhi, duke lënë kështu në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm të 4 janarit 2024, që nuk liroi nga sekuestroja telefonin.

SPAK është duke hetuar në një dosje të vetme dy kallëzime të bëra ndaj bashkëshortëve Meta-Kryemadhi. I pari është kallëzimi i ish-deputeti Halit Valteri, i cili ka pretenduar “korrupsion” e “fshehje pasurie”. Kallëzimi tjetër është bërë nga avokati Idajet Beqiri, i cili pretendon se bashkëshortët kanë kryer shpenzime të pajustifikuara në burime të ligjshme për shërbime estetike.