“Lufta diplomatike e Beogradit është ditë e natë”, tha së fundmi presidenti serb Aleksandër Vuçiç, duke lënë të kuptohet se Serbinë në muajin e ardhshëm e presin sfida të shumta, aspak të këndshme, të politikës së jashtme. Siç shkruan media serbe “Danas”, e para prej tyre është sigurisht seanca e rregullt e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të shqyrtohet raporti i UNMIK-ut për Kosovën, për të cilin vetë Vuçiç thotë se është i pabalancuar, dhe ku kërkohet të sillen organizatorët e incidentit të Banjskëspara drejtësisë sa më shpejt. Megjithatë, ajo thjesht hap rrugën për disa sfida të tjera, që nga anëtarësimi i Kosovës në KiE tek rezoluta për Srebenicën. Sigurisht merren me mend se të trija nuk do të jenë “pilula të lehta për tu marrë” nga Serbia, e cila e gjen veten të izoluar në skenën ndëkombëtare.
Sulmi në Banjskë
“Më 22 prill është seanca e rregullt e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Kemi një raport të pabalancuar dhe të keq nga Unmik. Shpesh kemi pasur raporte të mira dhe të mira, këtë herë nuk e pasqyron situatën në Kosovë”, ka thënë Vuçiç gjatë fundjavës. Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e UNMIK-ut është caktuar për ditën e sotme. Një pjesë e madhe e raportit i kushtohet ngjarjeve të 24 shtatorit në Banjskë, e cila cilësohet si “incident i rëndë sigurie”. Gjithashtu thuhet se lidershipi i Kosovës akuzoi Serbinë për nxitje dhe sponsorizim sistematik të dhunës. Siç shtohet, përgjegjësinë për ngjarjen e ka marrë Milan Radoiçiç, i cili më 3 tetor u vu në paraburgim nga autoritetet serbe.
Rezoluta për Srebenicën
Pas diskutimit të rregullt për raportin e UNMIK-ut, Serbia po përballet me një tjetër ngjarje të vështirë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, shkruan “Danas”. Në fillim të majit do të bëhet një deklaratë për propozimin e Rezolutës për Srebrenicën, për të cilën autoritetet në Serbi pretendojnë se synon ta cilësojë popullin serb si fajtor. Rezoluta kërkon, ndër të tjera, të dënohet pa rezerva çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë, si dhe veprime që lavdërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë. Theksohet rëndësia e përfundimit të procesit të kërkimit dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit dhe mundësimit të varrimit të tyre dinjitoz.
Anëtarësimi i Kosovës në KiE
Goditja më e madhe e politikës së jashtme do të pasojë më 16 maj në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, kur pritet të pranohet Kosova, shkruan media serbe “Danas”. “Në fakt, asgjë nuk është iniciuar, por thonë se kjo është arsye që ne të votojmë Kosovën në Këshillin e Evropës. Pra, kjo është diçka që do të ndodhë”, tha Vuçiç. Ai gjithashtu vlerësoi se gjëja më qesharake në shpjegimet e tyre është se gjithçka për KiE është një proces normal. “Kemi dërguar shumë letra, zyrtare, shumë udhëzime DKP-ve tona, shumë shpjegime në adresa të ndryshme. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Vuçiç, i cili si reagim ndaj pranimit të Kosovës në KE, paralajmëroi edhe daljen e Serbisë nga kjo organizatë.
Telashe për Serbinë
Diplomati Sreçko Gjukiç beson se Serbia duhet të presë probleme edhe me Brukselin për shkak të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, mundësisë së përdorimit të fondeve zhvillimore etj. Nebojsha Vujoviç, ish-shefi i misionit të RFJ-së në SHBA, arsyen e sfidave të akumuluara në politikën e jashtme e sheh në faktin se Serbia nuk ka dhe nuk ndjek një politikë të jashtme serioze. Sipas tij, avokatët seriozë nuk shohin rrezik në tekstin e Rezolutës, ata shohin rrezik vetëm në lëvizjet e paparashikueshme të Vuçiçit. “Individët janë me emër dhe mbiemër, gjë që është vendosur nga gjykata. Por Vuçiç ringjall demonët inekzistent që të gjithë ne serbët të gjunjëzohemi dhe t’i themi: “O i paprekshëm, na ndihmo”, thotë bashkëbiseduesi i “Danas”. Ai po ashtu vlerëson se Kosova do të anëtarësohet në KiE, por se nuk është faji i Dora Bakojanit, të cilën Vuçiç ka “shënjestruar”. “Vuçiç nuk është i vetmi fajtor, ne jemi edhe fajtorë sepse e lejojmë ta kthejë Serbinë në Vuçiçland”, përfundon Nebojsha Vujoviç.