Sot nis zbatimi i ligjit për “Amnistinë Penale”, i cili u miratua javën e parë të prillit në Kuvend. Nga ky ligj përfitojnë 1100 të dënuar me burgim, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi. Po ashtu, nga amnistia përfitojnë edhe 2 700 persona në shërbim prove.
Sipas ligjit të zbardhur në fletoren zyrtare, nga kjo amnisti do të përfitojnë personat që u ka marrë formë të prerë dënimi deri në datën 31 mars 2024.
Përfitojnë të dënuarit burra që u kanë mbetur pa vuajtur më pak se 4 vjet dhe gratë e të miturit që u kanë mbetur 5 vite. Përfitojnë gratë që janë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç kur kanë marrë dënimin.
Amnistia shtrin efektet në vetëm 5% të veprave penale që ka Kodi Penal, ndërsa 95% të veprave të tjera nuk do të jenë në efektet e amnistisë. Ulja e dënimit dot të jetë në 1.5 vite për burrat dhe 2 vite për gratë si masë lehtësuese. Për vepra të lehta penale amnistia shtrihet vetëm për kundërvajtjen penale që është 2 vjet.
Nga ndjekja penale me këtë amnisti do të përjashtohen të gjitha kallëzimet për disa lloje veprash penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të zhvilluara deri në datën 31 mars 2024. Nga amnistia do të përfitojnë 11 gra, dhe 11 të mitur që lirohen menjëherë.
Kush perjashtohet nga vuajtja e denimit?
Personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31.3.2024, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi;
Personat femra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 5 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 31.3.2024, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi;
Personat meshkuj, dënuar me burgim, të cilëve deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 4 vjet; personat femra, dënuar me burgim, të cilave, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 5 vjet; personat e dënuar meshkuj, të cilët në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç;
Personat e dënuar femra, të cilat në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 50 vjeç; personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
Përjashtohen nga vuajtja e dënimit, pavarësisht masës së dënimit, personat e dënuar për veprat penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të zhvilluara deri në datën 31.3.2024, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre.