Është e lehtë ta kuptosh kundërshtimin e njohjes së njëanshme të një shteti palestinez nga ata që e kundërshtojnë zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez përmes krijimit të 2 shteteve. Por është shumë më e vështirë të kuptosh kundërshtimin që vjen pikërisht nga mbështetësit e kësaj zgjidhjeje.
E gjithë bota e kupton tashmë se pala e vetme që e bllokon themelimin e këtij shteti janë Shtetet e Bashkuara, të cilat javën e kaluar vendosën veton kundër një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që rekomandonte pranimin e Shtetit të Palestinës si një anëtare me të drejta të plota të Kombeve të Bashkuara.
Çfarë shansi i humbur! Dhe çfarë shtytje e madhe në drejtimin e duhur – rikthimi në rrugën e diplomacisë – mund t’u kishte dhënë bota izraelitëve dhe palestinezëve po të mos ishte vetoja amerikane.
“Veprimet e parakohshme… edhe duke pasur synime më të mira, nuk do të arrijnë të krijojnë dot një shtet për popullin palestinez… nuk do të arrijnë njohjen e palestinezëve si shtet”- tha zëvendës/zëdhënësi kryesor i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Vedant Patel në një konferencë shtypi pas votimit.
Vërtet? Edhe sa vite të tjera mund t’u thoni palestinezëve “Ende jo”, dhe të jeni akoma në gjendje ta shihnin veten në pasqyrë? Zëvendës ambasadori i SHBA-së në OKB Robert Wood shpjegoi: “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqimisht një zgjidhje të konfliktit përmes krijimit të 2 shteteve. Vota jonë e fundit nuk pasqyron kundërshtimin ndaj shtetit palestinez. Përkundrazi, përfaqëson pranimin se ai do të vijë vetëm nga negociatat e drejtpërdrejta midis palëve”.
Është një gjë ta dëgjosh një turbullim të tillë nga ambasadori ynë foshnjarak i OKB-së, Gilad Erdan: Duhet falënderuar që arriti të fshehë të qeshurën e tij, kur paralajmëroi Këshillin e Sigurimit se miratimi i rezolutës do të dëmtonte perspektivat për dialogun me palestinezët në të ardhmen.
Por nga amerikanët?! Mjaft është mjaft. Një shtysë e tillë duhet të ishte lënë pas në botën e para 7 tetorit 2023, bashkë me pjesën tjetër të gënjeshtrave me të cilat ne i kemi ngopur palestinezët. Mesazhi më i rëndësishëm që Amerika duhet t’i dërgojë Izraelit është se nuk varet nga ne nëse do të krijohet apo jo një shtet palestinez.
Dhe as nëse vendosim për këtë “në mënyrë demokratike”, pra me një votë në Knesset (parlamenti i Izraelit) apo me një referendum publik. Miqtë tanë amerikanë, duhet të korrigjojnë keqkuptimin që ekziston në Izrael, sipas të cilit shumica e bën çdo gjë legjitime, dhe të na e bëjnë të qartë se një konsensus hebre nuk mjafton për të përcaktuar se palestinezët nuk do të kenë një shtet.
Sanksionet që po vendosin amerikanët dhe evropianët ndaj së djathtës ekstreme të Izraelit janë veprime të shkëlqyera dhe të rëndësishme, pasi ato shënojnë kufirin e legjitimitetit të Izraelit. Noa Landau kishte të drejtë kur tha se sanksionet mund të hedhin poshtë alibinë e klasës politike të Izraelit se “sikur këto sjellje ekstreme të zhduken nga jeta jonë, Izraeli do të rikthehet të jetë një demokraci liberale madhështore”, në një kohë kur pushtimi dhe vendbanimet e paligjshme janë në tërësi vepër e saj.
Që kjo klasë politike të mos vazhdojë të mashtrojë, duhet të ketë njohje të njëanshme të një shteti palestinez. Sanksionet do të vendosin kufij për normat e Izraelit dhe njohja e Palestinës do ti vendosë izraelitët në rrugën e zgjidhjes së vetme me legjitimitet ndërkombëtar: zgjidhjen me dy shtete.
Njohja e njëanshme e Palestinës do të arrijë disa objektiva: Do t‘ua bëjë të qartë izraelitëve se nuk është vendimi i tyre, duke i çliruar ata nga iluzioni i zgjedhjes por edhe nga barra e tij (nëse duhet t’ia japin apo jo). Po ashtu do ta detyrojë diskursin politik të kthehet tek zgjidhja e konfliktit, pas vitesh të tëra trajtimi të çdo lloj çështjeje, përveç pushtimit, dhe do ta shtyjë përsëri establishmentin politk në Izrael tek zgjidhja me dy shtete, pa frikë apo nevojë për të kërkuar falje.
Nga ana tjetër njohja e shtetit palestinez do të nxisë edhe një debat mbi mënyrën se si dhe jo çfarë. Çfarë ka të bëjë me një marrëveshje e përfunduar: një shtet palestinez përkrah Izraelit. Çfarë shteti saktësisht? Cilat janë kufijtë e saj? Çfarë marrëdhëniesh do të ketë me Izraelin?
Palët do t`i negociojnë të gjitha këto, por nuk do të ketë asnjë dyshim për destinacionin përfundimtar. Bota ka vendosur tashmë të njohë një shtet palestinez. Kjo ndodhi më 29 nëntor 1947, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi planin e ndarjes.
Është e vërtetë, që arabët nuk u pajtuan me të. Nga ajo kohë nën urë ka kaluar shumë ujë, dhe është derdhur shumë gjak mes lumit dhe detit. Kufijtë më të rëndësishëm sot janë ata të vitit 1967. Megjithatë, rezoluta njohu edhe shtetin e Izraelit. Ka ardhur koha për të pagëzuar edhe lindjen e motrës së saj binjake.