Shtimi i turistëve të huaj, por edhe çmimet e larta të apartamenteve, po fuqizojnë tregun e qiradhënies. Çmimet e qirave janë rritur në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar thotë Banka e Shqipërisë, për shkak të kërkesës së lartë për apartamente me qira.
“Çmimet e qirasë sipas agjentëve kanë shënuar rritje gjatë periudhës. Ky informacion mbi kërkesën dhe çmimet e qirasë vjen kryesisht nga agjentët që kryejnë aktivitet në zonën e kryeqytetit”, thotë Banka e Shqipërisë.
Aktualisht në Tiranë, qiratë e apartamenteve të madhësive të ndryshme, vijojnë nga 350 euro e më lartë. Ndërsa në periferi mund të gjesh edhe poshtë kësaj vlere. Por teksa qiratë raportohen të rritura, kompanitë e anketuara thonë se është ulur çmimi për metër katror për apartamentet e shitura.
Banka e Shqipërisë raporton se kompanitë e pyetura kanë deklaruar se çmimet e apartamenteve kanë rënë me 7.6% në raport me gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, por janë 3.2% më të larta se vjet, ndërsa vetëm në Tiranë u ulën me 10.1% nga qershori në dhjetor 2023.
Ndikim në këtë rënie të çmimeve ka dhënë edhe ulja e kërkesës nga qytetarët të cilët po orientohen drejt shtëpive me qira. Ndërkohë që është rritur pesha e pronave të shitura që blihen nga të huajt. Shpesh shtetasit jo-rezident janë ‘fajësuar’ si shkaktarët kryesor për këtë shtrenjtim të apartamenteve, pasi për të ardhurat e tyre çmimet në Shqipëri janë të përballueshme.
26% e apartamenteve në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar u blenë nga të huajit, kryesisht në qendër të vendit dhe përgjatë bregdetit.
“Rreth 2/3 rezultojnë shtetas të vendeve të BE-së. Në tërësi, pesha e blerësve jo-rezidentë është rikthyer në rritje pas një ecurie në rënie që prej vitit 2020”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Ndërsa pronat e tjera të blera për banim, 60% janë financuar me kredi bankare dhe huaja ka mbuluar deri në 60% të vlerës. Vjet teprica e kredisë për qytetarët për blerje banesë është 180 miliardë lekë, ndërsa për bizneset ishte 160 miliardë lekë.