MENU
klinika

Analiza

Katër skenarët se si mund të përfundojë lufta në Ukrainë

03.05.2024 - 09:33

Tani që Shtetet e Bashkuara kanë miratuar paketën e re të ndihmës prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën, shumë analistë po i kërkojnë Shtëpisë së Bardhë që të përcaktojë më në fund se cilat janë qëllimet e saj në këtë luftë.

Në rast se humbja e Ukrainës nuk është një alternativë, dhe një ngërç vetëm sa do të vazhdojë masakrën për një kohë të pacaktuar, atëherë opsioni i vetëm i mbetur është humbja e Rusisë.

Por çfarë do të nënkuptonte saktësisht kjo e fundit? Në thelb, ekzistojnë 2 skenarë që do të përbënin një fitore të Ukrainës dhe një humbje të Rusisë. Shtëpia e Bardhë duhet të zgjedhë njërin nga opsionet dhe ta ndjekë atë me forcë. Kjo gjë kërkon vullnet politik dhe vendosmëri, pasi asnjëri nga skenarët nuk kërkon ndonjë gjenialitet për t’u imagjinuar apo zbatuar.

Skenari i parë, humbja e plotë e Rusisë, do të përfshinte goditjen e forcave të saj të armatosura në vijat e betejës, tërheqjen dhe dorëzimin e të gjithë territorit që Rusia ka pushtuar që nga viti 2014, përfshirë të gjithë rajonin e Donbassit dhe Krimenë. Por nëse ndodh kjo, presidenti rus Vladimir Putin do të diskreditohej dhe me shumë gjasa do të rrëzohej nga pushteti.

Në ato kushte rusët do të dëshironin, madje do të ishin të detyruar të kërkonin bisedime për paqe. Një disfatë e tillë e madhe, do të bazohej tek rritja e furnizimeve nga Perëndimi me të gjitha armët dhe municionet që i duhen Ukrainës për t’u mbrojtur nga raketat dhe dronët rusë dhe për t’i sprapsur forcat ruse.

Kjo gjë është e mundur teknikisht, por vetëm nëse udhëheqësit perëndimorë janë të gatshëm të veprojnë me vrull dhe vizion, dhe të bindin qytetarët e tyre se sakrificat e vogla sot do të sjellin më shumë përfitime nesër. Pasojat e një disfate të tillë do të ishin të dobishme për ukrainasit, rusët dhe pjesën tjetër të botës.

Ukraina do të mbijetonte si shtet. Ndërkohë Rusia do të shpëtonte më në fund nga një diktator gjenocidal, luftënxitës, i cili ka dërguar drejt vdekjes qindra mijëra të rinj rusë. Në këtë vend mund të nisë një rikthim drejt diçkaje që i ngjan normalitetit. Bota mund të marrë frymë e lehtësuar nga shembja e makinerisë ekspansioniste të Rusisë.

Nga ana tjetër pakicat minoritare në vend, mund të inkurajohen nga rënia e regjimit për të nisur procesin e shkëputjes, pasi ushtria do të ishte shumë e demotivuar për të ndërhyrë. Shembulli i rënies së Bashkimit Sovjetik, na tregon se shpërbërja e Federatës Ruse mund të jetë paqësore, por vetëm nëse siç ka shumë gjasa të ndodhë, pasardhësit më pragmatikë të Putinit, do ta pranojnë realitetin.

Skenari i dytë, çlirimi i të gjitha territoreve ukrainase që ka pushtuar Rusia që nga viti 2022, do t’i zhgënjente ukrainasit, por gjithsesi do të nënkuptonte një humbje të Moskës. Për arritjen e këtij synimi do të kërkohej shumë më tepër ndihmë ushtarake perëndimore për Ukrainën.

Por meqë shumat do të ishin më të vogla sesa në skenarin e parë, për udhëheqësit perëndimorë do të ishte më e lehtë që të bindnin votuesit e tyre për të bërë sakrificat e nevojshme. Nën këtë skenar, Putini nuk ka gjasa që të mbijetojë politikisht, por do të ishin më të vogla shanset që pasardhësit e tij të ndihen të motivuar për të ndryshuar rrënjësisht kursin.

Një humbje në shkallë të plotë do të ishte një traumë e madhe që mund të sillte një ri-mendim të prioriteteve të brendshme dhe të jashtme të Rusisë. Ndërkohë një humbje e pjesshme, ka të ngjarë të inkurajonte pasardhësit e Putinit të bëjnë vetëm disa ndryshime të vogla, duke ruajtur shumicën e synimeve të tij perandorake.

Sipas të gjitha gjasave, ata do ta shihnin disfatën vetëm si një pengesë të përkohshme, e cila u jep mundësi të riorganizohen, riarmatosen dhe rinisin sulmet. Në të dy skenarët ka disa gjëra të pa ndryshueshme. Ndihma e vazhdueshme perëndimore për Ukrainën është e domosdoshme që të ndodhë të paktën njëra prej tyre.

E nevojshme është edhe një rritje e konsiderueshme e vullnetit politik në Perëndim. Të dyja qëllimet mund të arrihen nëse këtë e dëshiron Perëndimi. Putin ka të ngjarë të rrëzohet në të dy skenarët, sepse ai e ka shndërruar luftën në projektin e tij kryesore, duke e lidhur legjitimitetin, popullaritetin dhe mbijetesën e tij me një përfundim të suksesshëm të saj.

Së fundi, mundësia e përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia është e ulët në të dy skenarët. Duke e armatosur seriozisht Ukrainën, Perëndimi do t’i sinjalizonte Kremlinit se një sulm bërthamor, do të përballej me siguri me një kundërsulm konvencional shkatërrues, me të cilin nuk do të dëshironte ta përballej asnjë udhëheqës rus i arsyeshëm.

Dallimi kryesor qëndron tek rezultatet brenda dhe për Rusinë. Humbja në shkallë të plotë në Ukrainë, do të çelte perspektivën e shfaqjen në të ardhmen të një Rusie thuajse demokratike, e cila në gjendjen e saj të dobësuar, mund të bjerë viktimë e disa lëvizjeve për pavarësi.

Në mënyrë ideale, udhëheqësit e rinj të Rusisë do të ishin mjaftueshëm të ndritur për të kuptuar se demokracia është më e preferueshme se perandoria, dhe se dhënia e autonomisë rajoneve të pakënaqura është shumë më efektive sesa shtypja brutale e kërkesave të tyre. Meqenëse në këtë skenar Putin dhe pasardhësit e tij më të afërt ka gjasa të zhduken nga skena, ka shumë gjasa që të zgjidhet një rrugë e tillë.

Skenari i dytë, një tërheqje e pjesshme e ushtrisë ruse, duket në pamje të parë më pak i rrezikshëm për Rusinë. Në fakt nuk është ashtu. Regjimi rus do të mbetej ndoshta shumë autoritar dhe aspiratat e tij imperialiste do të jenë po aty. Lufta me Ukrainën nuk do të përfundonte; por vetëm sa do të shtyhej për më vonë.

Skenari më i keq për Rusinë, do të ishte një disfatë e pjesshme që sërish do të inkurajonte pakicat jo-ruse që të kërkonin pavarësinë nga Moska. Meqë ushtria ruse do të mbetej e paprekur dhe udhëheqësit e saj të përkushtuar ndaj perandorisë, mund të shpërthente lufta civile, një perspektivë katastrofike për Rusinë dhe të gjithë fqinjët e saj.

Dhe çfarë ndodh nëse nuk ndiqet asnjë nga këto opsione, dhe Perëndimi mbetet i përkushtuar ndaj skenarit të vazhdimit të ngërçit në fushën e betejës? Do të vdesin edhe ukrainas edhe rusë të tjerë. Infrastruktura ukrainase dhe ajo ruse do të vazhdojnë të shkatërrohen.

Miliona ukrainas dhe rusë do të emigrojnë në Evropë, dhe herët a vonë me siguri që lufta do të përhapet edhe në shtetet baltike, Moldavi, Poloni dhe vende të tjera pranë kufirit me Rusinë. Prandaj, ngërçi është skenari më i keq, përveç atij të një fitoreje të dukshme të Rusisë. Sepse nëse rrënon dhe nënshtron Ukrainën, Putin do të marshonte në Estoni, Letoni, Lituani, Poloni, Moldavi dhe Kazakistan. Ndoshta në mënyrë të njëpasnjëshme, por mbase njëkohësisht.

Dhe nëse NATO dështon që të kundërpërgjigjet, rezultati do të ishte një kolos rus dhe vdekja e mundshme e demokracisë. Nëse aleanca reagon, rezultati do të ishte Lufta e Tretë Botërore. Duke marrë parasysh të gjitha gjërat e lartpërmendura, duket sikur mposhtja e Rusisë dhe rrezikimi i copëtimit të saj paqësor mund të jetë më i preferuar se Apokalipsi.