MENU
klinika

Nga Roland Qafoku

Partia Demokratike në skaner një vit përpara zgjedhjeve

20.05.2024 - 12:59

Jemi fiks një vit përpara zgjedhjeve të 11-ta parlamentare pas rënies së komunizmit dhe ndryshe nga çdo herë tjetër, një pjesë e mirë e opinionit publik i ka sytë nga opozita me një radhë me pyetje. Ajo më kryesorja është: A do të arrijë Partia Demokratike të përmbysë hegjemoninë e pushtetit të Partisë Socialiste prej 3 mandatesh rresht dhe synon të fitojë të katërtin si një rekord absolut? Dhe pyetja tjetër: A do të arrijë Partia Demokratike të ketë fuqinë të përmbysë perceptimin se PS qëndron në pushtet falë dobësisë së opozitës? Apo do të humbasë duke fundosur edhe më shumë këtë parti dhe duke krijuar një situatë surreale për parimet e demokracisë. Për të gjithë ata që nuk i pëlqejnë kritikat për opozitën dhe këtë e quajnë apriori mbështetje ndaj qeverisë, mund të lexojnë shkrimin tim të datës 25 mars në gazetën “Fjala” për të kuptuar jo vetëm diçka më shumë se sa atë që dëshirojnë, por edhe disa gjëra përtej hundës së tyre. Janë të paktën 10 çështje që tregojnë shumë për Partinë Demokratike dhe për atë që do të ndodhë në zgjedhjet e pranverës së vitit të ardhshëm. Janë çështje që nëse nuk zgjidhen, apo së paku të përmirësohen në 12 muajtë në vijim, gjasat janë që kjo parti të humbasë duke sjellë fitoren e katërt të Partisë Socialiste që do të ishte një dëm i madh për demokracinë në Shqipëri.

Problemi i parë i Partisë Demokratike është përçarja e madhe që e ka përfshirë këtë parti. Së pari ndarja dhe çarja e madhe që ndodhi 16 shtator 2021, kur Sali Berisha nisi aksionin “Foltore” dhe më pas krijoi grupimin “Rithemelimi” ndërkohë që PD zyrtare e Bashës mbajti dhe mban ende logon dhe vulën. As Berisha si kryetar i “Rithemelimit” dhe as Basha si kryetar zyrtar i PD, prej afër tre vitesh nuk arritën t’i bashkonin demokratët. Një vit përpara zgjedhjeve kjo parti ndodhet më e ndarë se kurrë nga qendra në bazë dhe vetëm një Zot e di se si mund të fitojë zgjedhjet në këtë situatë që ndodhet. Sforcimet me fraza boshe se “demokratët janë më të bashkuar se kurrë” nuk pinë më ujë dhe mjafton të shikosh se në protestat e Rithemelimit ka gjithnjë e më pak mbështetës, ndërsa në mbledhjet e PD-së zyrtare mblidhen më shumë për qokë se sa për të synuar rrëzimin e Ramës. Por përçarja nuk duket vetëm të grupimet e mëdha. Janë me dhjetra raste dhe çështje të rëndësishme që deputetë dhe drejtues lokalë të Rithemelimit ndahen në mendime dhe përpjekja tjetër për t’i vizituar si diversitet një grupim që duket i rrëmujshëm e bën deri qesharake situatën.

Problemi i dytë i Partisë Demokratike është e ardhmja politike e Sali Berishës. Nuk ka asnjë gabim në deklaratat e bëra nga ish-deputeti Myslim Murrizi, i cili më shumë se një herë është shprehur se liderët kryesorë të PD-së mezi presin të ikë Berisha që ata t’i zënë vendin. Shikoni lëvizjet dhe atë që bëjnë në grupimin e Rithemelimit Gazmend Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj por edhe të tjerë. Edhe pse iu bashkangjitën këtij grupimi me tam-tame, praktikisht asgjë nuk ka ndodhur në këtë grupim. Nuk kanë asnjë vizion për të ardhmen dhe duke bërë xhiro bosh të gjithë të duken sikur bëjnë llogaritë për moshën dhe vitet që mban mbi supe Berisha. Nëse deri më 30 qershor Berisha do të qendrojë akoma në arrest shtëpie atij do t’i digjet mandati i deputetit. Dhe nëse procesi gjyqësor ndaj tij shkon i tillë që ai do të dënohet, Berishës i ndalohet të kandidojë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Duke i shtuar edhe moshën 80-vjeçare, Berisha nuk mund të jetë e ardhmja e PD, por problemi është se kjo krijon një ngërç aq të madh për këtë parti sa duket sikur ai e ka marrë peng. Idealja do të ishte që Berisha të tërhiqej nga politika, por kjo as që bëhet fjalë dhe në këto kushte, Rithemelimi dhe e gjithë opozita po rrotullohet rreth asaj që do të ndodhë me Sali Berishën.

Problemi i tretë është se Partia Demokratike kërkon rrotacion, por nuk kërkon ndryshim. Në çdo aktivitet apo manifestim politik të PD kjo parti rreket dhe zgjat kohën me akuza e kritika dhe sharje për qeverinë. I gjithë ligjërimi politik i deputetëve dhe liderëve të saj rrotullohet vetëm në këtë aspekt. Të sulmosh qeverinë dhe kundërshtarët kjo është normale. Por problemi është se populli i di dhe i njeh po aq mirë problemet e qeverisë. Por ata duan zgjidhje dhe zgjidhja nuk vjen vetëm nga dëshira që të ikin nga pushteti socialistët dhe të vijnë demokratët. Nuk mjafton pasioni për të qenë në pushtet se të vjen radha, por PD duhet synojë të sjellë ndryshim. E vërteta është se asnjë nga liderët demokratë nuk artikulon teza se në ku do ndryshojë PD nga PS dhe çfarë të reje do të sjellë ajo nëse vjen në pushtet. Praktikisht na duket se kemi një forcë politike në pushtet dhe një forcë politike si PD e ndarë në dy grupime, por që nëse i bëjmë bashkë është tamam si Partia Socialiste. I vetmi ndryshim është se PD është në pritje të ethshme për të qenë një ditë në pushtet. Kjo jo vetëm nuk tërheq masën e njerëzve ta votojnë por krijon irritim sepse te opozita njerëzit presin të shikojnë partinë ndryshe dhe jo partinë e njëjtë që pret ta zëvendësojë me një parti të njëjtë.

Problemi i katërt është morali që ka kjo Parti Demokratike. Sigurisht që në këtë forcë politike ka gra dhe burra të ndershëm që kanë vënë idealizmin e tyre për t’i shërbyer vendit. Kjo nuk vihet fare në diskutim. Por ama në të njëjtën kohë një pjesë e konsiderueshme e lidershipit dhe e grupit parlamentar janë aty pa ndonjë moral të lartë. Personazhe të akuzuar për abuzime gjatë kohës që kanë qenë në pushtet dhe të tjerë që janë milionerë me dhe pa letra nuk mund të krijojnë perceptimin se janë ata njerëzit e duhur për të ardhur në pushtet. Politikanë që në opozitë bëjnë biznese me qeverinë dhe bëjnë milionë nuk mund të frymëzojnë. Dhe kjo është një çështje thelbësore për këtë opozitë.

Problemi i pestë është mungesa e theksuar e demokracisë në Partinë Demokratike. Këtu nuk ke nga t’ia nisësh më parë: Nga katapultimi i Gazmend Bardhit si kryetar i grupit parlamentar dhe nënkryetar i PD apo i Agron Gjekmarkajt që u bë nënkryetar i parlamentit nga Lulzim Basha dhe nënkryetar i PD-së nga Berisha? Këto dy raste kanë sjellë një situatë që e kanë dëmtuar rëndë parimin krysor në këtë parti, votën. Me anë të saj kjo parti do të vërtetonte se ishte ndryshe nga PS. Por kjo nuk ka ndodhur. E pra, një opozitë që nuk ka demokraci është e destinuar të mos ketë mbështetje të gjerë dhe si e tillë nuk ka avantazhe për të ardhur në pushtet.

Problemi i gjashtë i Partisë Demokratike është Lulzim Basha. Një kryetar që mban vulën dhe logon e partisë që pasi dështoi me sukses për 8 vjet e gjysmë në krye të asaj partie, befas proklamon veten se është e ardhmja e vërtetë e kësaj partie. Një kryetar që në realitet ka një vulë dhe një logo, por nuk ka parti. Një kryetar që funksionon që thjesht të jetë në lojë pa patur asnjë ide, qëllim dhe mbi të gjitha moral. E gjitha ajo që ai bën, është dëmtuese e kësaj partie dhe e të gjithë misionit të opozitës.

Problemi i shtatë i PD është qendrimi i saj për dy çështje kardinale, për SHBA dhe për SPAK. Nuk mund të vijë në pushtet një forcë politike që është armike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk mund të vijë në pushtet një forcë politike që është kundër institucionit kryesor të reformës në drejtësi gjithashtu. E pra, kur mbështetja popullore ndaj SHBA dhe SPAK është maksimale, ndërkohë që një forcë opozitare pikërisht atyre u shpall armiqësi, këtu ka një problem të madh. Dhe problemi nuk është i popullit por i PD-së.

Problemi i tetë është ai i raportit të PD-së me mediat. Me të drejtë, ka jo pak akuza të PD-së ndaj Edi Ramës për raportin e tij me mediat. Si një gazetar me një përvojë 27-vjeçare e them me bindje se kjo është e vërtetë, por po aq e vërtetë është se edhe PD në opozitë ka të njëjtën sjellje me median si Edi Rama dhe qeverisja e tij. PD bën selektime ndaj mediave dhe gazetarëve. PD në opozitë ka gazetarët e saj të preferuar dhe gazetarët non grata. PD në opozitë ka mediat e saj, ka moderatorët e saj të përkëdhelur, ka madje analistët e saj që thonë në emisione çfarë u servirin kundrejt disa benefiteve. Atëherë ku ndryshon kjo PD me pushtetin? Në fakt, i vetmi ndryshim është se kjo parti mban statusin e të qenit në opozitë. Kurrë më parë një forcë opozitare nuk ka funksionuar kështu.

Problemi i nëntë i Partisë Demokratike është mungesa e prodhimit të figurave të reja politike. është e habitshme se si gra dhe burra me shumë potenciale në PD nuk arrijnë të ngrihen në nivelin e liderëve. Janë relativisht të rinj, por sillen më të vjetër se të vjetrit. Si ka mundësi që kjo parti nuk po nxjerr një grup të ri politikanësh që të spikasin te ata statura e liderit? Dikush mund të thotë se nuk i lënë. Padyshim që kjo tezë është kryekëput e gabuar. Ai që ka cilësi lideri i shfaq ato pavarësisht çdo vështirësie.

Problemi i dhjetë i PD-së por jo i fundit është se kësaj partie i mungon rinia si fizikisht dhe në mentalitet. Ajo po bëhet një forcë e plakur, pa shumë energji dhe me ide, stil dhe impulse të vjetra. Nuk po bëjmë llogaritë vetëm për moshën mesatare të kupolës së PD që ia kalon edhe pleqësisë së 28 nëntorit të vitit 1912 që u zgjodh në Vlorë. Por për mungesën e afrimeve të vajzave dhe të të rinjve që mund të arrijnë kapërcimin e mendësive të vjetra dhe për ta zëvendësuar atë me ide të reja. Më demokratikë ishin ata demokratë të vitit 1991 dhe 1992 që nuk e kishin idenë se çfarë ishte demokracia, por përpiqeshin të bënin diçka. Ndërsa ata pak të rinj dhe të reja në PD kanë një mentalitet ku e ku me ata. Janë gati të përbetohen për liderë të veçantë të partisë dhe nuk kanë fare sjellje demokratike. Dhe kjo është akoma më e rëndë edhe se sa mungesa masive e të rinjve.

Mbështetur në të gjitha këto 10 probleme, duket shumatorja e tyre vë në rrezik fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Megjithatë, nëse ka vullnet, për 12 muaj mund të rregullohen jo pak gjëra. Ndryshe, kjo forcë politike do ta shikojë përsëri me dylbi pushtetin. Nëse nuk ndryshon, ajo nuk do të bëjë gjë tjetër, por do t’ia servirë Partisë Socialiste në tabaka të agjendtë fitoren e katërt. Gjithçka është vetëm në dorë të saj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN