MENU
klinika

Detajet nga projekti i qeverisë

Kush përfiton 900 euro pagë

10.06.2024 - 13:28

Eksperti i ekonomisë, Ferti Selimi komentoi premtimin e kryeministrit Edi Rama për rritjen historike të pagave në sektorin publik. Pak ditë më parë kryeministri Rama ka theksuar se në muajin korrik paga mesatare do të rritet në 900 euro. Një lajm i tillë është mirëpritur nga të gjithë punonjësit e administratës e jo vetëm. Por kush përfiton nga ky vendim dhe çfarë pritet të ndodhë. Gazeta “SOT” po sjell sot për lexuesin një analizë të detajuar ekonomiko-financare, ndërkohë që ka kontaktuar edhe me ekspertin Ferit Selimi, për të mësuar më shumë rreth këtij vendimi. Zoti Selimi gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, u shpreh se ky është një vendim i shumëpritur për të vlerësuar më shumë punën në raport me të ardhurat e tjera. Ndërkohë ekonomisti, Ferit Selimi tregon impaktin e këtij lajmi në shoqëri. “Është një vendim pozitiv, i pritshëm prej shumë kohësh i domosdoshëm për të gjitha kategoritë dhe strukturën e pagave në sektorin publik dhe si nxitje dhe detyrim për sektorin privat. Niveli i pagave më shumë se një politikë sociale varet nga produktiviteti i ekonomisë dhe mundësitë financiare që ka çdo vend për ta zbatuar. Në Shqipëri prej vitesh ka pasur një handikap lidhur me niveli ne pagave jo vetëm krahasueshëm me vende që kanë performancë të ngjashme ekonomike me Shqipërinë. Nga çdo këndvështrim është vendim i shumëpritur dhe besoj se do jetë një politikë më strukturore për të vlerësuar më shumë punën në raport me të ardhurat e tjera. Efektet pozitivi te rritjes se pagës mesatare, konkretisht: të punësuarit do të kishim më shumë të ardhura, duke pasur më shumë të ardhura ato do të kishin një buxhet personal apo financiar më të konsoliduar. Do të kishin mundësi të blinin më shumë mallra dhe shërbime që do të thotë që edhe bizneset indirekt do te rrisnin marzhet e fitimit. Një tjetër element shumë i rëndësishëm i parë në aspektin makro-ekonomik është fakti që skema e pensioneve do të kishte më shumë pozitivitet, me shume pluse për shkak se do të kishte më shumë të hyra nga kontributet. Megjithatë duhet ta theksojmë që fillon rritja në mënyrë të menjëhershme në kategoritë më sensitive, duke filluar me mësues, mjekë dhe mbrojtja. Ato që kanë përfituar rritjen e plotë vitin e kaluar, nuk përfitojnë. Ndërkohë, që kategoritë që nuk kanë përfituar do të përfitojnë”, deklaroi Eksperti i ekonomisë, Ferti Selimi gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”. Ndërkohë më poshtë gazeta “SOT” po sjell edhe një analizë ekonomiko-financiare, referuar deklaratës së kryeministrit Edi Rama.

Analiza ekonomiko-financiare

Të dhënat

Kryeministri Rama ka deklaruar se nga 1 korriku paga mesatare në shtet do të rritet në 900 euro. Por çfarë ka ndodhur me pagat në sektorin publik? Të dhënat tregojnë se paga mesatare ka arritur aktualisht në 87.800 lekë. Paga është rritur mesatarisht me 12% në vit, ose në total për dy vitet e fundit me 24%.

Sa ka mbetur nga kjo rritje në xhepat e punonjësve?

(GR2) Inflacioni, treguesi që dëshmon për rritjen e çmimeve ka pasur një rritje në dy vitet e fundit me 11.5% në total. Kjo do të thotë se gjysma e rritjes së pagës në shtet ka shkuar për amortizimin e çmimeve dhe rritja reale është vetëm 12% për dy vite ose rreth 6% në vit. Kryeministri Rama ka premtuar se duke filluar nga korriku paga mesatare në sektorin publik do të jetë 900 euro. Në ekonomi, krahasimi bëhet mbi tregues të ngjashëm. Kjo do të thotë se ka vlerë që kryeministri të prezantonte sesa do të ishte rritja e pagës në lek, pasi ne ushqimet nuk i blejmë në euro dhe as faturat e dritave dhe ujit nuk i paguajmë në euro. Ndërkohë që të gjithë jemi dëshmitarë të forcimit të lekut kundrejt euros.

Le ta analizojmë këtë premtim të Ramës

Paga aktuale mesatare në shtet është 87.800 lekë që e konvertuar në euro është 870 euro. Rama premton 900 euro, pra një rritje aktualisht me 30 euro, ku përfitues do të jenë mbi 184 mijë punonjës të administratës publike, përfshi ata të pushtetit vendor, duke qenë se është premtuar unifikimi i pagave në të gjitha bashkitë. Përtej diskutimit nëse është e madh apo e vogël kjo rritje në kushtet kur euro është 1 me 1 me lekun, vlen të theksohet se një përfitues shumë i madh i rritjes së pagave në shtet është vetë qeveria. Kjo pasi mbledh më shumë të ardhura nga tatimi i pagës. Shqipëria ka normat më të larta tatimore për punonjësit në rajon, me disa fasha: 0, 8, 13 dhe 25%. Ndërkohë që të gjitha vendet e tjera janë poshtë nesh. Kjo do të thotë se ne i taksojmë punonjësit apo punën më shumë se gjithë të tjerët. Rrjedhimisht, nga rritja e pagave, qeveria do të mbledhë më shumë të ardhura, raporton televizioni “A2 CNN”.

Ky nuk është përfitimi i vetëm i kësaj lëvizje të kryeministrit

Rritja e pagave, që rrit edhe të ardhurat e disponueshme të të punësuarve në shtet, pavarësisht shumë apo pak, ndodh përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, pra efekti elektoral është i pashmangshëm. Nga ana tjetër, qeveria siguron më shumë të ardhura nga tatimi i pagës dhe jo vetëm. Më shumë të ardhura do të mblidhen edhe nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe kjo do të financojë deficitin e skemës së pensioneve. Para që qeveria do të ishte e detyruar t’i jepte. Por në vend që t’i jepte direkt për skemën e pensioneve, i jep indirekt nëpërmjet rritjes së pagave, duke e shitur si një produkt elektoral efikas. Një tjetër përfitim është edhe tërheqja e rritjes së pagave në privat, pasi shteti bëhet konkurrues me biznesin, në kushtet kur vijon edhe rritja e numrit të të punësuarve në administratë.