MENU
klinika

SHBA “blindon” Evropën

Gjashtë bazat sekrete ku ruhen bombat e frikshme amerikane

20.06.2024 - 18:19

Më shumë se dy vjet luftë në Ukrainë i ka nxitur vendet e NATO-s në Evropën Lindore, afër territorit rus, të investojnë shumë në fuqinë e tyre ushtarake, megjithëse nuk posedojnë armë bërthamore. Brenda aleancës, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë armë bërthamore, por disa baza evropiane mbajnë armë bërthamore taktike të SHBA. Në prill, presidenti polak Andrzej Duda tha se Varshava ishte “gati” për të pritur armë bërthamore të NATO-s për të forcuar krahun lindor të aleancës. Rusia i quajti komentet si “shumë të rrezikshme”. Megjithatë, rrugën e Polonisë po e ndjekin edhe shtete të tjera europiane. Edhe ligjvënësit suedezë të martën, miratuan një marrëveshje të diskutueshme të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara, për të cilën kritikët kanë frikë se mund të çojë në vendosjen e armëve bërthamore dhe bazave të përhershme amerikane në vend. Marrëveshja e Bashkëpunimit të Mbrojtjes (DCA) është një hap i madh për një komb që në mars i dha fund dy shekujve të mosaleancës ushtarake për t’u bashkuar me NATO-n.

Marrëveshja me Suedinë

Nënshkruar nga Stokholmi dhe Uashingtoni në dhjetor, marrëveshja i jep SHBA-së akses në 17 baza ushtarake dhe zona stërvitore në Suedi dhe lejon ruajtjen e armëve, pajisjeve ushtarake dhe municionit Marrëveshja u miratua me një shumicë të gjerë në parlament pas një debati pothuajse pesë orësh, me 266 deputetë që votuan pro dhe 37 kundër, ndërsa 46 mungonin. Kundërshtarët kryesorë, partitë e Majtë dhe të Gjelbërve, kishin argumentuar se marrëveshja duhet të deklaronte drejtpërdrejt se vendi skandinav nuk do të lejonte armë bërthamore në territorin e tij. “Ne duam të shohim legjislacionin që ndalon futjen e armëve bërthamore në tokën suedeze,” tha deputetja e Partisë së Gjelbër Emma Berginger në parlament gjatë debatit të së martës. “Për fat të keq, qeveria ka zgjedhur të nënshkruajë një marrëveshje që nuk i mbyll derën armëve bërthamore dhe për këtë arsye Partia e Gjelbër do të votojë jo për këtë marrëveshje”, tha ajo gjatë debatit. Udhëheqësi i të Gjelbërve, Daniel Hellden kishte argumentuar të hënën se marrëveshja e bëri Suedinë “një objektiv për armët bërthamore” pasi “ne do të kemi 17 baza ku amerikanët mund të ruajnë materiale ushtarake”.

Kritikat

Shoqata Suedeze e Paqes dhe Arbitrazhit, një nga kritikët më të mëdhenj të masës, tha se dy qeveri suedeze të njëpasnjëshme këmbëngulën gjatë procesit të aplikimit në NATO që Suedia do të kishte të njëjtin qëndrim ndaj armëve bërthamore si Danimarka dhe Norvegjia fqinje. “Por ndryshe nga marrëveshjet DCA të Norvegjisë dhe Danimarkës, nuk ka asnjë klauzolë në marrëveshjen e Suedisë kundër futjes ose vendosjes së armëve bërthamore në Suedi,” shkroi kreu i shoqatës Kerstin Bergea në një shkrim të tij. Përveç kësaj, Finlanda, e cila u bashkua me NATO-n në prill 2023, “ka një ligj kombëtar që ndalon armët bërthamore në territorin finlandez dhe marrëveshja DCA e Finlandës i referohet këtij ligji”. Një klauzolë e ngjashme suedeze do të “forconte rajonin nordik dhe do të kontribuonte në një de-përshkallëzimin e përbashkët vis-a-vis armëve bërthamore ruse”, tha Bergea.

Armë bërthamore në Evropë

Stoqet aktuale bërthamore amerikane janë të klasifikuara, por analistët e sigurisë vlerësojnë se Shtetet e Bashkuara kanë rreth njëqind bomba bërthamore të ruajtura në të gjashtë objektet në Evropë. Bazat në fjalë, të zbuluara nga disa dokumente sekrete, janë Kleine Brogel në Belgjikë, Büchel në Gjermani, Aviano dhe Ghedi në Itali, Volkel në Holandë dhe Incirlik në Turqi. Sakaq, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë forcat e tyre bërthamore dhe nuk presin më armë amerikane. Arsenali bërthamor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë përbëhet tërësisht nga bomba të gravitetit B61, të cilat janë projektuar për t’u hedhur nga bombarduesit aleat ose avionët luftarakë. Në shërbim për më shumë se pesëdhjetë vjet dhe i modernizuar shumë herë, B61 është arma e fundit taktike bërthamore e mbetur që Shtetet e Bashkuara kanë. Ai mund të mbajë koka luftarake me një gamë të gjerë rendimentesh, duke dhënë shpërthime në qindra kiloton.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Furnizimi i Ukrainës me bomba me uranium

“Përgatituni për luftë”, Finlanda ngre alarmin

“Rezervat e predhave të artilerisë janë konsumuar”

Analiza e DW: Çfarë mund të bëjë Europa ushtarakisht për Kievin?

Ja si do të duken luftërat e së ardhmes

“Shekulli blu”, superfuqitë do të “ndeshen” nën ujë