Gruri, një nga produktet më bazike të popullatës, si rezultat i importeve nga tregu rajonal dhe botëror, si dhe të politikave jo stimuluese nga ana e qeverisë po njeh rënie të sipërfaqes së kultivuar nga viti në vit. Sipas të dhënave zyrtare vetëm në tre vitet e fundit sipërfaqja e mbjellë ka njohur vetëm rënie. Në vitin 2022 në Lushnje janë mbjellë 8800 hektarë me grurë, në vitin 2023 4700 hektarë dhe këtë vit 3400 hektarë.
Kultivuesit e kulturës së grurit e kanë humbur interesin për shkak të rënies së çmimit të grumbullimit. Aktualisht prodhimi i ri po merret nga pikat e grumbullimit me 23 deri 25 lekë për kilogram.
Çmim që për fermerët në zonën e Tërbufit nuk mbulon as kostot e prodhimit.
Nga ana tjetër drejtuesit e autokombajnave detyrohen që shërbimin e korrjes së grurit ta ofrojnë me çmime të larta për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve dhe pjesëve të këmbimit për mjetet e tyre.
Tregu vendas dominohet nga drithi që vjen nga importi me çmim më të ulët për këtë arsye bizneset dhe konsumatori i plotësojnë nevojat për drith dhe nënproduktet e tij nga tregu i jashtëm.