MENU
klinika

“E piva kafen e helmët pa ty!”

Një poezi nga Timo Flloko, në nder të kolosit të letrave shqipe

06.07.2024 - 14:18

Aktori i mirënjohur, Timo Flloko ka publikuar një poezi të realizuar prej tij, në ndër të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë në moshën 88-vjeçare.

Poezinë e tij, Flloko e ka shoqëruar me një fotografi përkrah shkrimtarit të madh, në një nga takimet e tyre private.

Ndërkohë që në vargjet e tij kushtuar Ismail Kadares, Timo Flloko e nis poezinë me dhembjen e madhe që la për vendin ikja e gjeniut të letrave shqipe.

KADARE
(Requiem)

Nga Timo Flloko

E piva kafen e helmët pa ty, këtë mëngjes,
Dhembjen, fillikat, me kë ta ndaja,
Chateau Juvenilja tek e shoh më ngjan,
Më shkretëtirë se Saharaja…

Ike heshtjes si gjigant, i menduar,
(Bëre vallë pakt të fshehtë me ikjen?!)
Le bosh pas vetes, në mijëra zemra,
Zbrazëti pa skaj, apokaliptike…

(Pse vijnë gjenitë dhe ikin nga kjo botë..?!)
Ikja jote është shtegtim qiellor,
Vdekjen s’mund as ta imagjinoj dot!

Mortin s’mund ta marr as me mend..
Një zog erdh’ a m’u faneps
Fluturimin ndali, u ul në vendin tënd,

(Të ish hij’ e Nobelit ai udhëhumbës,
Me pendesën në vete, një gjasë aq e rrallë,
U nis por mbërriti vone, nga erërat që frynin,
Korb u bë nga mërzia, se s’të gjeti gjallë…)

U përmenda ne fund, humbës në atë bosh,
Hodha sytë në qiell, përtej, te e panjohura,
Me pafundësinë u shkri, atje përjetshëm,
Shpirti yt shtegtar që kapërcen kohërat.

NGJARJA E RENDE

Redaktori i Shtëpisë Botuese Onufri Bujar Hudhri deklaroi se autori i njohur vdiq të hënën në mëngjes në QSUT, pasi u dërgua në urgjencë. U mësua se Ismail Kadare pësoi një arrest kardiak dhe ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare.

Kadare u bë i njohur ndërkombëtarisht pas botimit të romanit të tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin 1963, kur Shqipëria qeverisej ende nga diktatori Enver Hoxha.

Kadare u largua nga Shqipëria në Francë në vjeshtën e vitit 1990, vetëm pak muaj para rënies së regjimit komunist pas protestave studentore. Ai jetonte në Paris dhe pak kohë më parë ishte kthyer në Tiranë.

Vitin e kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron i dha atij titullin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit” gjatë një vizite të presidentit francez në kryeqytetin shqiptar. Franca e kishte bërë më parë edhe bashkëpunëtor të huaj të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike, si dhe Komandant të Legjionit të Nderit.

Kadareja është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare për veprat e tij, të cilat përfshinin më shumë se 80 romane, drama, skenarë, poezi, ese dhe përmbledhje tregimesh të përkthyera në 45 gjuhë.

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale