MENU
klinika

Shtegtimi i aktorit nga Tirana në Los Anxhelos

Timo Flloko: Si më ndiqte nëna nëpër sallë!

24.08.2023 - 11:29

Ndonjëherë, kur i hedh një vështrim së shkuarës, s’di pse koha e jetës, e viteve, muajve, ditëve, orëve e çasteve sikur ngrin në përfytyrim, një ngrehinë e brishtë, por kështjellore e vendosur në zemër të elementeve të natyrës, erës, shiut, detit, relievit të vet të papërsëritshëm e të ndryshëm në gjeografinë emocionale të kujtesës… në fantazi sa në vetëdije. Fëmijëria më shfaqet me figurën e vet, me qytetin “miturak” të saj; adoleshenca rend me një hap më ekspresiv e dinamik kurse ajo që do t’i përkiste kohës së munguar në qytetin e origjinës ku s’ke jetuar një ditë të vetme, i përngjet gjithaq një ngrehine surreale, të ngritur në mjegull a përsëthelli saj… dhe brenda vetes, secili e ndien se koha e jetuar është një histori, e cila ka pa fund çaste, ngjarje e mbresa, me emocione të secilës stinë të jetës.

Këto kujtime, ky udhëtim fizik dhe mendor, si te çdo njeri, kanë ndikuar tek unë si frymëzim për të shprehur në poezi çfarë është disi e veçantë, trazuese, mbresuese, e njëjtë apo e ndryshme në kohë, rrënjosur në vete në vite, një univers real e metaforik i qyteteve ku kam jetuar.

1. QYTETI ËNDËRR…

Gjirokastra, qyteti i tim eti, i gjyshit Grigor dhe gjyshes Katerina, i xhaxhallarëve të mi dhe të afërmve të tyre… Qytet ku gjyshi ndërtoi një shtëpi, në vitin 1927, që ndodhet përballë gjimnazit të qytetit, Asim Zeneli, në krye të Palortosë (sot bulevardi “Kadare”). Në atë shtëpi jetoi familja e Grigorit, im atë dhe vëllezërit e tij deri pas lufte, kur familja u vendos në Vlorë. Unë nuk kam jetuar në Gjirokastër asnjë ditë, s’kam fjetur në atë shtëpi asnjë natë (shtëpinë e kishin dhënë me qira te doktor Zhusti, i ungji i mikut tim, aktorit Viktor Zhusti; ata jetuan aty deri në fund të viteve ’60-të). Kam xhiruar katër filma në Gjirokastër, kam jetuar atje në mënyrë “virtuale”, artistike nëse e kthej në metaforë, vetëm përmes roleve në filma, që nga filmi i parë, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, deri te Çerçiz Topulli, heroi legjendar, i kthyer në legjendë jo vetëm përmes bëmave të tij asokohe (që vrau dhe bimbashin turk), por edhe prej statujës së mrekullueshme në bronz, të punuar me art nga Odise Paskali i madh…!

Në këmbën e djathtë të atij monumenti ka një shpim plumbi, qëlluar hershëm nga një ushtar a komit grek, me ose dhe pa qëllim… Dhe vitet ikën si nëpër erë, duke lënë historitë e këtij qyteti magjik pas, të legjendarizuara e të kthyera në mite kohëve…

Në bulevardin “Ismail Kadare”, dikur Palortoja, nga shtëpia e Fllokajve, te Skëndulajt dhe më tej deri te Hoxhajt (shtëpia e udhëheqësit komunist Enver Hoxha), diku në midis, merr për poshtë Sokaku i të Marrëve, më i përfoluri, më i çarturi, më i çuditshmi dhe më absurdi… në qytetin kryelartë.

Sokaku i të Marrëve (Qytetit të origjinës)

Tatëpjetë Sokakut të të Marrëve zbres,
Nëpër të mistertin katakomb, në terr.
(Ç’fantazi e prapë ta ketë shpikur, vallë,
Këtë pjerrinë a udhë të fshehtë për ferr?)
T’i merr mendtë, të pataks ky qytet,
Që rri pezull atje përmbi re,
Ngritur lartësive, dozot, enkas,
Erërave të qiellit për t’u bërë fole.
Yjet varur sa s’i prek me dorë,
Dritë e Hënës e ngjyros me ar qytetin,
I çuditshëm duket ai, surreal,
Si në pikturat e Bashkim Zano-Ahmetit
Mbahem fort mos më merr rrëpira,
Tatëpjetë atij honi mesjetar,
Rrapëllimës, ku dikur lëshoi
Aeroplanin Dino Çiçua i marrë…
Si i verbër mund të qorrollisesh,
Të gremisesh, shenjë të humbësh fare,
Ca më keq, mendsh të ikësh përngaherë,
Kur shkon poshtë Sokakut të të Marrëve.
Si skaj ëndrre që s’ia gjen dot fundin,
Të tërheq me vete e të merr.
(Tek shkel gurë prej stralli, më ngjan vetja
Si Virgjili i Dantes nëpër ferr…)
Kufi i shuar mes dheut, nëndheut,
Arkeolog në botë ta ndajë s’e ka të lehtë,
Nën një sterrë të këtij labirinti, ndoshta,
Fshihet Grali, misteri i shenjtë.
Sokak i fantaksur, kryemarrë,
Më i thikëti pa fjalë në univers,
Që mbyt grahma dhimbjesh gjer në zgrip,
Dhe jep shpirt te pragu i Kadaresë.
Më bëhet se prej shekujsh endem,
Si një hije nëpër gjurmët e të parëve,
I përhënur nga magjí e natës zbres
Si i marrë Sokakut të të Marrëve.

2. QYTETI KU LINDA

Peja, i rrethuar malesh të lartë deri në qiell, në përfytyrimin tim prej fëmije, nga Bjeshkët e Namuna, përgjatë grykës përpirëse të Rugovës, ku derdhet gjithë pesha e atyre maleve si një uragan erërash të forta, sa herë përmbysëse… Lindja dhe frymëmarrja e parë, thonë se lidhet me mbrujtjen e bionatyrës njerëzore, si të thuash se ajri që thith në vitet e parë të jetës, krijon dhe prirjen e trupit përshtatur me atë klimë, të ftohtë a të ngrohtë, krijon kiminë ndjesore, fizio-biologjike, të individit njerëzor. Në vite kam ndjerë se pëlqej në rastin më të parë, klimën malore, sa më lart nivelit të detit…! Peja më afron si ndjesi klimatike me Lurën, Voskopojën, Leskovikun…

Në Pejë jetova 8 vite, para se të vendosesha në Vlorë, në një klimë mesdhetare, sigurisht, nga më të jashtëzakonshmet mbi glob… por disi të panatyrshme për mua në krye të herës… Në Pejë kalova miturinë, bri lumit të Bistricës, që përshkon qytetin; në breg, bri saj. Shtëpia jonë ishte në rrethin qendror të qytetit, përballë kinemasë (aty ku nisën ëndrrat) dhe në afërsi të Teatrit të qytetit. Në kinema isha i përhershëm, një spektator pa “portofol”, me hyrje të lirë në çdo seancë, ku me orë të tëra, mahnitesha nga filmat western me cowboys…! Sa herë ndodhte të më merrnin kur errej e vonoja të kthehesha në shtëpi.. Ndieja dorën e ashpër të nënëgjyshes ose zërat e butë të tezeve apo dhe të nënës kur ndodhte të vinte përmes errësirës së sallës ku shfaqej filmi… Në atë bioscop (kinema), lindi embrioni i dashurisë për t’u bërë një aktor filmi, i frymëzuar me plot ëndrra aventurash në kryet e mi, një dëshirë e dashuri e pavetëdijshme prej fëmije… Për mos t’i thënë të gjitha, po e lë këtë rrëfim në mes sa edhe në imagjinatën e kureshtjen e lexuesit, me idenë se ka kohë kurdoherë për t’i thënë gjërat që s’janë thënë…

PEJA
(Vendlindjes)

Pejë,
në ijë të Bjeshkëva të Namuna,
që si pleq të moçëm
me plisa resh mbi krye,
qiejsh kuvendojnë…
Gërryer thellë, zhuritur,
Gryka e Rugovës.
Lart malet shpinat shtrijnë,
murana flijimi,
ku heshtjen e vet ha durimi,
me lot ujëvarash,
sytë e kalimtarëve i nginj…
Ka rrjedhur koha lumë,
por shtrati i mallit s’është tharë.
Nga padurimi klith:
Më ke pritur herët,
po vij!
Gryka zërin e përpin…
Më pështjell një erë, më mpin.
Nderem në ajrí,
dhe më merr harrimi…
Pejë,
vendlindja ime,
në zgrip të pikëllimit!…

3. VLORA, FËMIJËRI DHE RINI E PARË.

Mbërrita prej së largu, si një alien, nga një botë e natyrë tjetër, në një qytet të diellt, të ngrohtë e mikpritës pa kufi por edhe të ashpër e të egër nga natyra e njerëzve. Mbërrita i brishtë, i “sjellshëm”, i ndryshëm nga të gjithë moshatarët e mi, nga vëllai im Aleksandër, i vetmi mik e vëlla, i pari që më krijoi hapësirë e kohë, së bashku me Medinin dhe Jahjanë, shokët më të afërt, që natyrshëm të ambientohesha… Nga dita e parë dmth, nga klasa e tretë deri në maturë… 11 vite jetë, formova “veten”, përgjatë një trajektoreje nga më të paimagjinueshmet, me dinamikë intensive, me frekuencat, uljet e ngritjet, rëniet e ngjitjet në rrugën e kalimit (si në kapërcyell), nga fëmijëria dhe çuditë e lojërave të saj në adoleshencë, në zgjimin e dëshirave për art, për poezi e vajza… Nga s’shkova me shokë e s’brodha, nga s’u ngjita e s’u hodha, Qafës së Topit, nga ku Selam Musai qëlloi me top anijet e Italisë së ’20-ës, siç thoshin të moçmit, a kur lëshohesha tëposhtë Budakut të lugetëve në Tophana… apo kur hidhesha prej majës së Kalasë detit poshtë me krye e jo me këmbë (tani veç kur e shoh nga poshtë, më pushton tmerri..); dhe si notoja largësisë e zhytesha thellësive për të prekur fundetin, si personazhi i Xhon Steinbekut, te Margaritari, për të shkulur pina (guaska të mëdha) kumit (rërës) disa pashë nën ujë… Nuk dyshoj se ato aventura, krijuan përvojat e hershme emocionale, pa të cilat s’mund të imagjinohet krijimtaria e aktorit. Duke u rritur e duke u larguar nga prapësitë e duke iu afruar librit, leximit, pasionit të të mësuarit të poezive përmendësh e duke provuar si një adhurues naiv artin e të shkruarit… poezi, novelëza, frymëzuar nga leximet, nga Mopasani, Cvajgu, Gogoli… Si ritual, e ndaja kohën e të shkruarit me kohën e plazhit, të lojës së futbollit në rërë me shokët, me kohën e peshkimit netëve vonë me tim atë… Isha plot ëndrra dhe ndonjëherë, i romantizoja netët me firmamentin plot yje mbi vete, me ëndërrimet rinore si personazh romantik përrallash, me pritjet e sahershme të sirenës që do të dilte nga deti, mbështjellë me luspa peshku… (!) Por… krahas dëshirës për të “fluturuar” (ku e gjej dhe shkakun e dëshirës së atëhershme prej fëmije për t’u bërë pilot… gjë që e kam shprehur në ndonjë intervistë…), përsëri, filmi ishte pasioni dominues, sa në pavetëdije aq në pamundësi… Si çdo djalosh, isha i pushtuar çdo çast nga dashuria për muzikën e huaj, atë italiane më tepër se na ndante veç deti në midis, ndiqja hit-paradat, adhuroja Modunjon, Çelentanon, Batistin, Luçio Dalan…

Filmat e huaj asokohe kur s’kishte nisur ashpër lufta dhe në art, apo më keq akoma, ndalimi i çdo gjëje të kulturës perëndimore, shfaqeshin filma të huaj, sidomos filma francezë dhe italianë me shumicë, me aktorë të mëdhenj si, Zhan Gaben, Zherar Filip, Belmondo, Mastrojani, Iv Montan, Klaudia Kardinale, Ani Zhirardo…etj. Nuk ndodhte të lija një film pa parë, atyre që s’lejoheshin për moshën, ua gjenim hilenë, duke kapërcyer murim dhe hyrë fshehtazi a kërcyer nga muri i lartë në kinemanë verore, para se të errej dhe pastaj dilnim nga poshtë stolave (ku rrinim si në llogore) porsa niste filmi… Ato aventura e jo vetëm, më ngulitën në mënyrë më serioze një qëllim për të realizuar, një ëndërr, disi të kristalizuar, dhe një ditë kur mbarova maturën, dhashë konkursin në profilin e artin dramatik për t’u bërë aktor dhe fitova! Rastësia e solli por ëndrra i dha krahë. 11 vite në Vlorë, mësova të rritem, të kuptoj, t’u jap formë e trup vizioneve, të notoj e të “fluturoj”, të shijoj bukuritë plot mistere të nënujit, t’i dashuroj njëmend si detin dhe qiellin.

S’mora kum te bova
(Vlorës, qytetit të rinisë së hershme)

Ndarja me ty, Vlorë, ishte më e hershmja.
Sa ndarje pata… si jotja, rrallë në jetë.
Dashurive të shtira ua mbylla portat,
Me ndarje të tilla ku e ku më lehtë.
Ika prej teje me një valixhe të drunjtë,
Mbushur me ëndrra dhe dëshira-peng,
Një vështrim fajshëm në ikje i hodha,
Orës së qytetit ngelur dymbëdhjetë.
Zemra m’u zbraz, u ndjeva i përzënë,
Më tepër nga vetja, Vlorë, se nga ti.
(Mos po ikja larg udhëve pa kthim,
Prapa diellit ta hasja fatin tim?)
A më përzije se dashuria qe sosur?
Zemra jote me pashë s’matet dot,
Shtatin ma ndoqe me nishane sysh,
Stepja ndaj rrezikut nuk më ra për short.
Sa herë kryet rrokullisa Qafës së Topit,
Mbi humnera, vdekjes pranë i shkova,
Zhytur thellësive, frymën gjatë e mbajta,
Cika fundësitë, s’mora kum te bova.
Ma mbolle fatin si një rrënjë ulliri,
U deha nga deti, nga jod’ i Jonufrit,
Dunave u shtriva netëve plot magji,
Mblodha yje të këputur gushti.
Ngashëreva mbytur agut kur u nisa,
Rrugica e ngushtë shkretane mbeti,
Më tërhiqte pas çdo skërkë e shkelur,
Nga majë e Shashicës në Shesh të Kateqit.
Lehtas m’u çapit pas nëna, loti iu këput,
Kollën e babait e gërreu heshtja,
Më humbi vështrimit mëhalla e fjetur,
Kuiste era, më përcillte vjeshta.
Vura Sazanin në vend të zemrës,
Rrëmbeva blunë e detit dhe të qiellit,
Perëndimet okër të Nestor Jonuzit,
Thellësinë plumb të Skënder Kamberit.
I mora edhe retë ngarkuar me vete,
Lundrën me kujtime, vitet e një jete,
Harruar pastaj rashë në gjumë të thellë,
M’u bë se fjeta mbase njëqind vjet.
Gjithçka ndryshoi, dashuria ime jo!
Rrënjosur thellë meje, Vlorë, a s’e ndien,
Në këtë heshtje burri mallin e patretur,
Kthimin tim aty ku zemrën lashë peng?

4. TIRANA?!

Asnjë poezi për të, asnjë varg…?! Çudi vërtet, se s’ndodh që një dashuri e gjatë dhe e madhe të mos marrë çfarë natyrshëm i takon. Tiranën, mendoj se e kam pasur ngaherë me vete, në vete, të pandarë sysh e në sy, ndryshe nga qytetet e mi të dikurshëm, të cilët, nga droja se po i humbja, më largoheshin e largoheshin, duke më lënë të vetëm apo në të kundërt, duke u ndierë “ata” të braktisur prej meje. Tirana është qendra e botës sime. Jetova e jetoj mbi shtat të saj, në shtrojën e kraharorit ku ndiej rrahjet e forta të zemrës së saj të madhe, që kur shkela për herë të parë në oborrin e shkollës Aleksandër Moisiu, pranë Teatrit Popullor, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare për t’u bërë, siç thonë njerëzit, artist dhe bëra emër.

5. SHTEGTIMI, LOS ANXHELOS?! ASNJË MBRESË, ASNJË DEDIKIM, GLORIFIKIM, FASHINIM… ASNJË VARG?!…

Jo. S’ndodhi, siç kishte ndodhur dikur, në librin e parë, me poemën kushtuar Parisit, “Natë në Montparnasse”, një poemë e gjatë programatike, po ca më shumë çudi poemi qiellor, “Takim me të dashurën Mari…” shkruar si në trans, ndaj një qyteti imagjinar të së ardhmes, si të kishte pas qenë real e jo në fantazi, pas një kthimi nga fluturimi fantastik në tokë pas 9.000 vitesh, në një raketë me shpejtësinë e dritës…(!) (Pse jo, kur qielli është për këdo qyteti i fundit, i përjetshmi.)

Nuk ka arsye, as ndonjë paradigmë a rregull, se përse nuk lind një poezi a çfarëdo vepër arti në çdo rast, të pritshëm madje; për këtë ka veçse një fjalë: destin, si dashuria, e cila nuk ka shpjegim se si e pse ndodh… a lind.. dhe mbetet mister. Enigma e krijimit fshihet më përtej, në zona të paprekura a ndoshta në disa ndjesi të mistershme e besëtyte, ku ta dish. Asgjë s’mund ta shpjegojë si rregull veçse ta imagjinojë shtysën fanepsëse të frymëzimit, Pulëbardhën e Anakreontit…

Jetoj në Tiranë, shkoj në Los Anxhelos, në Vlorë pranë detit, në Pejë më rrallë, në Gjirokastër, në shpirt të surreales a të ëndrrës dhe, pas çdo ikjeje e shtegtimi në ato qytete, në kthim, ndjej në zemër të më marrë malli…

Marrë nga ExLibris

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Profil/ Një jetë në skenë Valbona Selimllari

Miss-i shqiptar që kurrë nuk u plak