Janë miratuar nga qeveria fushat dhe programet e studimit, që janë prioritet kombëtar, si dhe mbështetja financiare për studentët e shkëlqyer që do të ndjekin këto degë gjatë vitit akademik 2024-2025.
Ky vendim është shkruar në fletoren zyrtare dhe do të zbatohet menjëherë me nisjen e sezonit të ri arsimor.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 112, të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Në vendimin nr. 386, datë 1.6.2022, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Shkronja “c”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon: “c) Studenti, i cili ka zgjedhur të ndjekë një prej programeve të studimit, që përbën prioritet kombëtar, të përcaktuara nga komisioni ad hoc, i ngritur pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, për çdo vit akademik, sipas fushave të studimit të miratuara në shtojcën nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi”, thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren zyrtare.
Gjithashtu në këtë vendim bëhet me dije gjithashtu se studenti përfitues, për vitin e parë të studimeve përfiton mbështetje financiare me bursë, në masën e pagës bazë minimale mujore, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas programeve që përbëjnë prioritet kombëtar për vitin akademik. Pas vitit të parë të studimeve, studenti përfiton mbështetje financiare me bursë deri në masën e pagës bazë minimale mujore, mbi bazën e arritjeve akademike.
Përkatësisht me ruajtjen e notës mesatare mbi 8.00, studenti përfiton 100% të masës së pagës minimale; me ruajtjen e notës mesatare nga 6.5 deri në 8.00, përfiton 60% të masës së pagës minimale; ndërsa me ruajtjen e notës mesatare deri në 6.5, student përfiton 30% të masës së pagës minimale. Por në vendim nënvizohet se studenti duhet të ketë shlyer të gjitha detyrimet akademike të vitit përkatës akademik për përllogaritjen e notës mesatare vjetore.