Japonia është fuqia e tretë ekonomike botërore mbas SHBA dhe Kinës, me një GDP rreth 5 triliard dollarë.
Padyshim sot ajo është një potencë e vërtetë industriale, teknologjike, shkencore në avantguardë. Por në strukturën bazë të një shteti të këtij klasi, ajo ka një handikap shumë të madh dhe këto janë Forcat e armatosura.
Mbas mbarimit të Luftës së dytë Botërore, SHBA e pushtoi Japoninë dhe i imponoi vendit një kushtetutë unike në botë (as Gjermanisë nuk iu imponuan në këto kushte), ku hiqej dorë nga lufta përgjithmonë.
Artikulli 9 i Kushtetutës nuk e lejon Japoninë të ketë zyrtarisht forca të armatosura dhe e ndalon atë të përdorë forcën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare.
Zhvillimet e fundit gjeopolitike në Azi e kanë vënë në një pozicion mjaft të vështirë Japoninë dhe po e shtyjnë atë tashmë në mënyrë definitive drejt rishikimit të Kushtetutës dhe braktisjes së të shkuarës së saj 70-vjeçare pacifiste, duke ndërmarrë tashmë rrugën mjaft të rrezikshme të militarizimit dhe drejt konfrontimit potencial me fqinjët e saj.
Javën e shkuar Kryeministri Shinzo Abe miratoi në qeveri të ashtuquajturën Linja Udhëheqëse për Planin e mbrojtjes kombëtare. Ky plan parashikon që Japonia të shpenzojë 243 miliard dollarë për mbrojtjen në 5 vitet e ardhshme deri në vitin 2024. Në këtë dokument theksohet qartësisht preokupacioni i madh i Japonisë për rritjen e pasigurisë rajonale, dhe që hapur i drejtohet militarizimit të ethshëm të Kinës.
Agjencia britanike Reuters theksonte se shpenzimet ushtarake të Kinës tejkalojnë 3 herë ato të Japonisë.
Tashmë Kina është një potencë ekonmike botërore, që po synon hapur shndërrimin edhe në një fuqi ushtarake globale. Kina është një realitet i ri strategjik që nuk mund të neglizhohet më.
Ajo që e shqetëson në mënyrë të veçantë Japoninë është fuqizimi i frikshëm i Flotës luftarake detare të Pekinit.
Kina së fundmi futi në veprim aeroplanmbajtësen e dytë Tip 001-Liaoning dhe synon që brenda 2025, të ndërtojë edhe 4 aeroplanmbajtëse të reja. Gjthashtu Flota luftarake kineze synon që brenda 2010 të arrijë në 350 njësi, nga 275 të SHBA. Nëndetëset e reja bërthamore të sulmit Tip 094 -JIN nuk kanë asgjë më pak se ato amerikane e ruse. Plani kinez për të arritur numrin imponent prej 82 nëndetëse (SHBA dhe Rusia kanë nga 60) brenda vitit 2026 flet për një disbalancim të frikshëm me forcat detare japoneze.
Shtuar këtyre prodhimin e avioneve të rinj stealth J-20 dhe J-31, raketave balestike Dong -Feng 41,si dhe armëve të reja supersonike, situata bëhet me të vërtetë alarmante për Japoninë.
Pikërisht në këtë moment Japonia ka vendosur të ndryshojë kurs. Ajo nuk mund ta lërë më veten në mbrojtjen eskluzive të SHBA, por duhet të reagojë vetë, sa nuk është akoma vonë.
Në fakt Japonia nuk ka ndenjur duarkryq ndaj veprimeve të Kinës. Forcat e saj SDF të mbrojtjes kombëtare janë nga më të pajisurat dhe efikaset në botë. Japonia ka vendosur blerjen e 100 avionëve F-35 stealth për rreth 12 miliard dollarë dhe raketave Tomahaëk. Po kështu ka blerë dy luftanije interceptuse AGIS-ASHORE (zyrtarsht kunder Korese së Veriut) me një vlerë prej 2,4 miliard dollarë. Japonia në 2018 nisi transformimin e dy anijeve në aeroplanmbajtësëe për të vendosur variantin detar të F-35 B duke shkaktur reagimin e ashpër të Kinës.
Hija e Flotës Imperiale imponente prej 10 aeroplambajtësve të Luftës së Dytë është një kujtim që evokon kujtime të këqia në kontinent.
Japonia ka një çështje territoriale me Kinën, dhe këta janë ishujt Senkaku në jug të Okinavës, pranë Tajvanit, ku disa herë vitet e fundit kanë qenë duke u konfrontuar ushtarakisht midis tyre
Po nuk është vetëm Kina që natyrisht është rreziku më i madh për Kinën. Japonia është një vend, që për pasojë të Luftës së Dytë Botërore, ka marrëdhënie politike mjaft të komplikuara me të gjithë fqinjët megjithëse është 1000 km larg Kinës.
Një element i ri i ka dalë tashmë Japonisë dhe kjo nuk është Koreja e Veriut, ku Trump po arrin një lloj kompromisi mjaft pozitiv.
Problem është Koreja e Jugut, një tjetër potencë ekonomike e klasit të parë. Marrëdhëniet politike midis dy vendeve kanë qenë dhe janë mjaft të ndera, edhe për shkak se nuk kanë përcaktuar kufirin detan dhe kontestimeve për ishujt Dokdo-Takeshima.
Koreja e Jugut është, ndoshta i vetmi vend në botë, që akoma nuk i ka falur masakrat e përbindshme japoneze ndaj popullsisë koreane gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Me 20 dhjetorin e shkuar, destrojeri jugkorean KDX-1, i fiku radarët një avioni vrojtues japonez në Detin e Japonisë, duke e fiksuar atë për goditje. Reagimi i Japonisë ishte mjaft i ashpër, por kjo tregon tensionin që karakterizon marrëdhëniet midis dy aleatëve të SHBA në rajon. Në fakt ecuria pozitive e bisedimeve me Korenë e Veriut, e ka bërë Korenë e Jugut të kthejë vështimin drejt dy fqinjëve problematikë, Kinës dhe Japonisë, duke nisur edhe ajo një plan riarmatimi potent për t’iu përgjigjur komplikimit të situatës rajonale gjeopolitike. Dhe nuk duhet harruar se Koreja e Jugut është prodhuesja më e madhe e anijeve në botë, si edhe e komponentëve elektronikë, dhe Flota e saj luftarake detare është nga më modernet në botë.
Fqinja tjetër e Japonisë, ajo më e rrezikshmja nga ana ushtarake, Rusia po e shikon me shumë dyshim këtë plan riarmatimi të Japonisë, që është vetëm 80 km larg Sahalinit dhe 8 km nga ishujt Kurile.
Riaktivizimi i aerodromit të braktisuar të Luftës së Ftohtë në ishullin Iturup si dhe vendosja e raketave detare Bastion si dhe ulja e skuadriljeve të SU- 35-E, dëshmon se palët po e shikojnë me dyshim njëra tjetrën.
Edhe mundësia e një marrëveshje për kthimin e dy ishujve Kurile nga ana e Rusisë, për të cilën Abe ka 10 vjet që negocion me Putinin, mbas këtij plani riarmatimi të Japonisë, mund të vihet në dyshim.
Pra, siç shihet ka një vringëllim armësh të frikshëm në Azi, natyrisht për kënaqësinë e veçantë të industrisë së luftës.
Por të gjithë strategët ushtarakë japin me një probabilitet të madh se konflikti ushtarak në këtë shekull do të jetë në Paqësor, mdis SHBA dhe Kinës, që natyrisht do të përfshijë gjithë vendet e këtij rajoni.
Në këtë situatë gjeopolitike kur në sfond po duket një aleancë mjaft negative për Japoninë, ajo midis Kinës dhe Rusisë, dhe të gjithë fqinjen e saj, po riarmatosen me shpejtësi edhe Japonia siç duket nuk i ka mbetur rrugë tjetër veçse ta pranojë sfidën, duke u futuar edhe ajo në këtë dinamikë të re, mjaft të rrezikshme.
Japonia nuk ka më tashmë sigurinë absolute se, në rast të një konflikti me Kinën, qoftë edhe për ishujt Senkaku, SHBA do të hyjë ushtarakisht në krah të Japonisë, duke hapur një luftë botërore.
Kështu që ajo ka vendosur që gjithë potencën e saj ekonomike, teknologjike, shkencore (Japonia mund të prodhojë brenda një viti gjithë 240 testatat nukleare që ka Kina, duke u shndërruar në një fuqi bërthamore) ta përdorë për të krijuar një ushtri potente, moderne, e aftë për tu përballur me kundërshtarët e saj.
Ajo që është me të vërtetë shqetësuese është se në Azinë Lindore dhe Paqësor po shkohet drejt një përshkallëizimi me një shpejtësi impresionuese, dhe skenarët e një konfrontimi nuk janë më fantashkencë, por një kërcënim real për gjithë paqen globale.