MENU
klinika

Më shumë vreshta në prodhim

Verërat “Made in Albania”, zgjerohet terreni i shitjeve në botë

16.07.2024 - 15:23

Vera “Made in Albania” është produkt që po zgjeron çdo ditë e më shumë terrenin në tregjet ndërkombëtare, kjo si rrjedhojë e investimeve që kanë bërë fabrikat dhe kujdesit që po i kushtojnë cilësisë së prodhimit. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, tregojnë se përgjatë vitit 2023, eksporti i verës, është rriture me 138% më shumë në sasi, krahasuar me vitin paraardhës. Kështu, nga 25.9 ton që u eksportuan në 2022, gjatë vitit të kaluar shifra arriti në 61.7 ton. apo rreth 2.5 herë më shumë. Po të krahasohet nga viti 2019 dhe në vijim, rritja ka qenë me hapa të konsiderueshëm, pasi përpara 6 viteve eksportoheshin vetëm 7.3 ton verë.

Kjo rritje vjen edhe për shkak të mbështetjes që i është dhënë sektorit të verës nga Skemat Kombëtare në vite dhe Programi IPARD për rritjen e sipërfaqeve të vreshtave, investimet në pajisje teknologjike për procesin e prodhimit, rritja e certifikimi i fidanëve autoktone dhe mbështetja për të marrë pjesë në panaire ndërkombëtare në tregje elitare. Në vitin 2023 janë regjistruar 10178 hektarë vreshta dhe 9822 hektarë vreshti në prodhim. Prodhimi total i rrushit përgjatë këtij viti regjistrohet në 179.7 mijë ton. Vreshtaria dhe prodhimi i verërave cilësore shqiptare sot është kthyer në një sektor kyç për zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

Vitin e kaluar Shqipëria është bërë shteti i 50-të në botë i anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV), gjë që do ti japë më shumë mundësi prodhuesve për të depërtuar më shumë në tregjet e huaja, për të krijuar ura bashkëpunimi si dhe për tu njohur me kultivarë dhe teknologji të reja të prodhimit. Po ashtu, ligji i ri i vreshtarisë i cili hyri në fuqi në vitin 2024, konsiderohet si një tjetër instrument në të mirë të sektorit, i cili vendos rregulla të reja, kontroll të shtuar si dhe pritet të ndikojë në rritjen formalizimit, i cili është problem kryesor.