MENU
klinika

AI Studio

Çdo përdorues në Instagram do të ketë “klonin” e tij të Inteligjencës Artificiale

31.07.2024 - 14:13

Herën tjetër që mund t’i shkruani një “creator”-i në Instagram, përgjigjen mund ta merrni nga Inteligjenca Artificiale. Meta është gati për të lançuar AI Studio, një set mekanizmash që përdoruesit të krijojnë një simulim me IA që u përgjigjet pyetjeve dhe bisedon me ndjekësit në emër të tyre.

Kompania e prezantoi AI Studio në eventin Connect që u organizua vjeshtën e shkuar, por vetëm së fundmi ka nisur testimin me disa përdorues të famshëm në Instagram. Opsionet e reja do të jenë të disponueshme kryesisht për përdoruesit në SHBA dhe të tjerët do të eksperimentojnë me “karakteret” e specializuara të Inteligjencës Artificiale.

Sipas Meta, IA do të zgjidhë një çështje që i ka shqetësuar për një kohë të gjatë përdoruesit që kanë shumë ndjekës. Mesazhet që ata marrin çdo ditë nuk mund të marrin një përgjigje për shkak të fluksit. Tani Inteligjenca Artificiale do të jetë si një “zgjatim” i vetes së tyre.

“Këta përdorues mund të përdorin komentet që kanë bërë, diçiturat, transkriptet e Reels që kanë postuar apo udhëzime të personalizuara kështu që Inteligjenca Artificiale mund të përgjigjet në emër të tyre”, shpjegon Connor Hayes, përfaqësues i Meta.

Mark Zuckerberg ka treguar se ka shumë ambicie për “chatbot”-ët. Në një intervistë me “Bloomberg” ai tha se pret që të ketë “qindra milionë” simulime të Inteligjencës Artificiale në aplikacionet e Meta.

Por nuk dihet nëse përdoruesit e tjerë do të kishin interes që të bisedonin me versionin virtual të një “creator”-i. Meta ka eksperimentuar me yje si Snoop Dogg dhe Kendall Jenner por nuk ndodhi ajo që pritej.

AI Studio do të jetë edhe për përdoruesit e tjerë. Çdokush mund të krijojë një karakter me IA që mund të flasë për tema specifike, të bëjë “meme” ose të këshillojë. Përdoruesit mund t’i ndajnë me të tjerët dhe të shohin sa njerëz po i përdorin, por jo se çfarë kanë bërë.