I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka shprehur keqardhje që në Bruksel dje nuk ka pasur një takim trelateral mes tij dhe kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit e kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviç në kuadër të procesit të dialogut. “Më vjen keq që nuk i trajtuam çështjet më urgjente në një format trepalësh sot. Unë mbetem në dispozicion të Palëve dhe do të vazhdojmë në javët në vijim”, ka shkruar shkurtimisht në platformën sociale, X, pas takimeve ndara që Lajçak pati me Bislimin e Petkoviç-in. Si diçka “misterioze” e ka cilësuar zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, mungesën e takimit trelateral në kuadër të dialogut në Bruksel, të martën, ndonëse sipas tij, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në ftesën e dërguar paralajmëronte se do të kishte një takim të tillë.
Në një prononcim për media pas takimit me diplomatin sllovak në kuadër të dialogut në nivel kryenegociatorësh, Bislimi ka potencuar se ishte pala serbe ajo që ka refuzuar takimin trelateral duke kërkuar “futjen e temave të saj të cilat janë për konsum politik”. Nga ana tjetwr, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, pas takimit bilateral me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se gjatë takimit ka insistuar në demarkimin e kufijve kadastral “si parakusht” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve. Në një konferencë për media, kryenegociatori i palës serbe ka insistuar në demarkimin e zonës në Suhadoll në Mitrovicë të Veriut. Petkoviç ka njoftuar ndër të tjera për një takim eventual me përfaqësuesit e NATO-s lidhur me urën mbi lumin Ibër.