MENU
klinika

Nëndeklarimi i pagave nga privati

Qeveria, plan për të luftuar informalitetin

22.09.2024 - 15:07

Më shumë se 185 mijë punonjës në vend paguhen me vetëm 40 mijë lekë në muaj, sa paga minimale. Ky do të jetë grupi i parë që do të kalojë në filtrin e Administratës Tatimore, Inspektoriati të Punës dhe Institutit të Sigurimeve, për të goditur fenomenin e nëndeklarimit të pagave. Kjo për shkak se prej vitesh prej bizneseve është vënë re deklarimi vetëm me pagë minimale të punonjësve dhe pjesa tjetër jepet në dorë.

Ne strategjine afatmesme te te ardhurave e hartuar nga Ministria e Financave thuhet se grupi me i madh i pagave te deklaruara, qe aktualisht eshte ai i pagave nga 60 mije deri ne 95 mije leke, do te futet gjithashtu ne site. Sipas të dhënave të INSTAT, janë 26.8% e të punësuarve në Shqipëri që janë në këtë kategori pagash ose rreth 196,482 punonjës. Ndjekur me pas nga 20% e te punesuarve (146,628 punonjes) me paga ne pragun e minimales 40-50 mije leke. (Perllogaritjet e shifrave te punonjesve ne raport me pagat jane bere duke marre si reference numrin prej 733,144 punonjesish ne fund te 2023-shin sipas shifrave qe jane pjese e strategjise).

Në ‘lupën’ e kontrolleve do të jenë edhe të punësuarit me turne, orët e punës, sa ditë në javë punohet si dhe deklarimi i saktë i profesionit të punonjësit nga ana e biznesit. Vetë administrata tatimore thotë se çdo muaj evidentohen tatimpagues të cilët nuk deklarojnë ose ndryshojnë deklaratat e mëparshme me ulje. Brenda viteve 2025-2027, do të ndërmerren disa masa kryesore për të goditur tregun e zi të punësimit.

Puna e institucioneve do të bazohet kryesisht në regjistra duke përdorur teknologjinë. Fillimisht do të bëhet një kontroll i detajuar i listëpagesave që parandalojnë shmangien e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Mbi bazë të këtyre kontrolleve do të ngrihen ‘Modulet e Riskut’ po për këtë qëllim, për të kaluar më pas tek kontrollet sektoriale. Përmes sistemeve do të analizohen të dhëna mbi pagat për sektorë të ndryshëm si dhe do të zhvillohen kontrolle ‘blitz’ në bizneset për të cilat ka dyshime se bëjnë nën-deklarim pagash në bazë të kryqëzimit të të dhënave. Së fundmi do të organizohet fushatë kombëtare për deklarimin real të pagave, për të këshilluar punonjësit që të refuzojnë këtë praktikë, si dhe do të ketë takime me bizneset për konkurrencën e padrejtë dhe punësimin informal.

“Zhvillimi i një fushate të gjerë ndërgjegjësimi, duke garantuar konfidencialitetin e të dhënave të individit, dhe rritjen e ndërgjegjësimit se raportimi i punës së pa deklaruar dhe nëndeklarimet e pagës, janë një përfitim jo vetëm për shtetin por mbi të gjitha për individin”, thuhet në strategji.

Me realizimin e këtyre objektivave, pritet që të rriten të ardhurat tatimore me 4.9 miliard lekë nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Qeveria përmes këtyre masave synon të rrisë me 16% deklarimin e pagës reale deri në fund të vitit 2027, praktikisht kjo përqindje aktualisht është pjesa informale në tregun e punës. Po për të luftuar informalitetin vetë qeveria ka paralajmëruar se brenda tetorit do të shpaloset një reformë e re e bazuar në teknologji dhe inteligjencë artificiale.

ÇFARË DO TË SYNOJË FUSHATA NDËRGJEGJËSIMIT?

· Edukimi i tatimpaguesve në lidhje me rreziqet jo-tatimore të nëndeklarimit të të ardhurave, p.sh. pakësimi i pagesës së kontributeve të sigurimeve, qasje të kufizuar në kredi dhe aftësi e kufizuar për të shitur një biznes në të ardhmen.

· Marrja e informacionit të detajuar nga tatimpaguesit me qëllim rritjen e aftësive për të zbuluar dhe trajtuar aktivitetet e ekonomisë informale. Kjo ka për qëllim rritjen e besimit të komunitetit në efektivitetin e administratës duke demonstruar se shmangësit e tatimeve janë vënë para përgjegjësisë dhe do shërbejë si një pengesë e rëndësishme për të tjerët që mund të mendojnë të angazhohen në mosrespektimin e ligjit.

· Publikimi i masave/veprimeve kundër evazionit. Raportimi i rezultateve të arritura duke përfshirë ndjekjet penale të suksesshme që rrjedhin nga këto aktivitete./Shqiptarja.com

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Në tetor nis rritja e pensioneve

Çfarë po përgatit qeveria për të moshuarit?

Eksperti i ekonomisë jep detajet e rëndësishme

Formula re e qeverisë për të rritur pensionet e ulëta


Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!