MENU
klinika

Vizita e Kurtit në Bruksel, “zbutet” BE

Masat ndaj Kosovës mund të hiqen këtë vjeshtë

23.09.2024 - 11:16

Më shumë se një vit prej kur Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, duket se Brukseli është zbutur, dhe më në fund Prishtina zyrtare mund të ketë arsye konkrete të besojë se po afron heqja e tyre. Vendimi për masa është marrë mbi arsyetimin se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i ulur tensionet në veri të vendit, në maj dhe qershor të vitit të kaluar. Disa javë pas vendosjes së masave, BE-ja pati arritur marrëveshje me Kosovën për shtensionimin e situatës në veri, në këmbim të heqjes së masave. Ndër kërkesat kryesore kanë qenë zvogëlimi i pranisë policore në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës dhe organizimi i zgjedhjeve të reja. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se i kanë përmbushur të dyja. Njëkohësisht, disa burime kanë thënë se ka edhe vende anëtare të BE-së që janë të zemëruara, pasi besojnë që masat kanë shkuar tej limiteve. Megjithatë, si pasojë e kësaj, por edhe sjelljes së Prishtinës zyrtare, lajme të mira priten këtë vjeshtë.

Heqja e masave

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka komentuar situatën politike në vend dhe raportet aktuale mes Kosovës e Bashkimit Europian derisa kryeministri Albin Kurti qëndroi në Bruksel këtë javë. Ai tha se Kurti ndoqi këshillën e BE-së për të mos e hapur Urën e Ibrit për qarkullim të veturave dhe thotë që pasi udhëheqja e re e bllokut të vihet në vend, masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të hiqen këtë vjeshtë. Këtu ai e lidhi edhe me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. “Kryeministri Kurti është në Bruksel këtë javë që sigurisht mund të lobojë që masat e BE-së të hiqen. Ai ka ndjekur këshillën e BE-së për të mos rihapur urën e Mitrovicës për trafik. Por lidershipi i ri i BE-së nuk ka marrë ende detyrën pas zgjedhjeve të Parlamentit të BE-së qershorin e kaluar. Komisioni i ri u emërua vetëm sot. Dialogu Beograd-Prishtinë duhet të rifillojë së shpejti. Kështu që pres që masat e BE-së kundër Kosovës të hiqen më vonë këtë vjeshtë me kusht që të ketë një periudhë qetësie në veri dhe që Prishtina të bëjë përpjekje për të riintegruar serbët në polici, gjyqësor dhe administratën lokale. Vuçiç ka bërë thirrje që kjo të ndodhë dhe do të jetë një provë për të që të punojë në mënyrë konstruktive për të ndihmuar në zbatimin e saj”, tha dje ai për mediumin publik.

Hapja e urës së Ibrit

Në lidhje me urën mbi Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, Kurti e akuzoi Serbinë se dëshiron ta mbajë të mbyllur. “Serbia dëshiron ta mbajë të mbyllur urën në Mitrovicë sepse dëshiron ta mbajë të gjallë ëndrrën për ndarjen e Kosovës. Ajo dëshiron ta shndërrojë urën mbi Ibër në një kufi të ri. Kjo nuk do të ndodhë”, tha ai. Tani ura është e hapur vetëm për këmbësorë dhe ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në të. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.

Vizita në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka marrë pjesë në një drekë pune në Bruksel, me ftesë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Gjatë takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor, Kurti e ka uruar von der Leyen për rizgjedhjen si presidente e Komisionit Evropian dhe ka theksuar gatishmërinë për avancimin e marrëdhënieve me BE-në. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka bërë thirrje për trajtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe heqjen e masave ndaj Kosovës, të cilat i quajti të padrejta. “Theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta, të hiqen”, thuhet në njoftim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kërkesa e Kurtit ndaj komandantit të NATO

“Kërkoj forcat shtesë të KFOR të ruajnë kufirin”

Albin Kurti: Kushtetuta e Kosovës nuk lejon që…

“Asociacioni mund të trajtohet në marrëveshjen finale me Serbinë”


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!