Përafërsisht 60 për qind e pjesëve të huaja të armëve ruse të përdorura në fushën e betejës në Ukrainë vijnë nga Kina, tha të martën këshilltari i presidentit ukrainas, Vladislav Vlajsuk.“Nëse merrni të gjitha llojet e zakonshme të armëve dhe numëroni komponentët e prodhuar nga jashtë, rreth 60 për qind do të jenë nga Kina. Ne patëm bisedime të gjata me disa prodhues për këtë”, tha Vlajsuk. “Unë do të thoja se Republika Popullore e Kinës është problemi më i madh”. Këshilltari i Volodymyr Zelenskiy tha se disa nga pjesët e rëndësishme të përdorura në vëzhgim, drone dhe raketa erdhën nga Shtetet e Bashkuara, Holanda, Japonia dhe Zvicra, së bashku me vende të tjera perëndimore. Pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt 2022, komuniteti ndërkombëtar vendosi sanksione tregtare ndaj Moskës, por Rusia që atëherë ka arritur të furnizojë makinën e saj të luftës me mikroçipe dhe gjysmëpërçues perëndimor, shkruan Reuters.
Pavarësisht lidhjeve të forta tregtare midis Rusisë dhe Kinës, Pekini ka mohuar në mënyrë të përsëritur furnizimin me armatim për ndonjë palë dhe ka thënë se nuk ishte i përfshirë në konfliktin e Ukrainës. Sakaq, presidenti Volodymyr Zelensky tha se Rusia po përdor satelitët kinezë për të fotografuar termocentralet bërthamore në Ukrainë, si pjesë e përgatitjeve për t’i goditur ato potencialisht. “Informacionet e fundit janë se Rusia ka përdorur satelitët kinezë dhe ka fotografuar detajet e objekteve në objektet bërthamore. Dhe në përvojën tonë, nëse Rusia fotografon objekte të caktuara, atëherë ekziston një kërcënim për goditje ndaj objekteve bërthamore. ”, tha presidenti ukrainas.