Në një kohë të trazuar për mbarë botën, ku krizat politike, ekonomike, ushtarake, luftërat dhe pasiguria e hedhjes në treg të armëve bërthamore po rriten, në një kohë që Ukraina po digjet, Lindja e Mesme është në flakë dhe Azia me problemet e saj, të cilën e ndan fija e perit nga një konflikt, nuk është çudi që Shqipëria dhe Serbia të kthejnë sytë nga lindja. SHBA e ka futur në rrethin e kuq kryeministrin Edi Rama dhe Brukseli me korrupsionin galopant që sa vjen dhe shtohet nuk ka ndërmend që të integrojë Tiranën në BE, sidomos me një qeveri që gjysmën e saj e ka në burg dhe gjysmën tjetër me dosje. Në të njëjtën situatë është edhe Serbia, ku presidenti Aleksandër Vuçiç është në një presion të madh nga SHBA për shkak të qëndrimeve të ashpra ndaj Kosovës dhe mbështetjes që ka shfaqur hapur ndaj Moskës. Në këtë situatë të ndezur është futur në lojë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan për të rritur ndikimin e Turqisë në Ballkanin Perëndimor.
“Sulltani” ka promovuar bashkëpunimin ekonomik dhe politik me vendin tonë dhe Serbinë, duke ofruar një alternativë ndaj dominimit perëndimor. Kjo ka sjellë një ngjallje të marrëdhënieve, veçanërisht për Shqipërinë, e cila ka shprehur dëshirën për t’u pozicionuar më afër partnerëve të saj të rinj, pasi situata aktuale në Shqipëri paraqet një sfidë të madhe për Edi Ramën, i cili duket se është në një moment të vështirë, përballë presionit të SHBA-BE, por edhe llogarive të hapura që ka me drejtësinë. SPAK i financuar nga amerikanët nuk po kursen askënd. Goditja që bëri ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha paralajmëron se të njëjtin fat mund të pësojë dhe Edi Rama. Edhe vizita e tij e fundit në New York tregoi se marrëdhëniet midis kryeministrit shqiptar dhe SHBA janë në nivelin më të ulët që mund të ketë pasur ndonjëherë një kryeministër në raport me të vetmin aleat strategjik në 30 vitet e fundit.
I
Rama shpëtimin mund ta gjejë te aleatët e rinj dhe këtu si “kumbar” futet Erdogan. Ky i fundit pas vizitës në Tiranë, do të jetë në Beograd. Pas Serbisë ai do të shkojë edhe në Kazan të Rusisë për Samitin e BRICS ku do të takohet me presidentin e Rusisë Vladimir Putinin. Vizitat vijnë pas takimeve që Erdogan zhvilloi në SHBA para disa ditësh me Vuçiçin dhe Ramën. Këta dy të fundit madje dyshohet se kanë zhvilluar dhe një takim privat në hotelin ku qëndroi kryeministri shqiptar nw New York.
Ideja e BRICS
Nuk dihet nëse Erdogan ka biseduar privatisht me Edi Ramën, apo dhe me Vuçiçin për Samitin e BRICS, por e sigurt është se Turqia është shteti i parë i NATO-s që kërkon anëtarësimin në grupin joperëndimor BRICS. Në qershor, ministri i jashtëm turk Hakan Fidan deklaroi se Turqia synonte të bashkohej me bllokun, përpara se të diskutonte çështjen me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë. Edhe mediat serbe kanë ngritur pikëpyetje për vizitën e Erdogan në Beograd në momentin kur ai pritet të shkojë në samitin e BRICS. “DANAS” shkruan se vizita e presidentit turk vjen në një kohë tensionesh të mëdha gjeopolitike. “Këto ngjarje janë arsyeja që Turqia, mund të thuhet, pas një aktiviteti shumë të gjallë diplomatik në Ballkan, ka pasur disa prioritete të tjera të politikës së jashtme gjatë viteve të fundit. Vetë kriza ekonomike në Turqi, lufta në Ukrainë, konflikti në Kaukaz dhe konfliktet aktuale në Lindjen e Mesme, e devijuan fokusin e Turqisë, para së gjithash, nga situata rreth Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, por edhe Sanxhakut. Megjithatë, gjatë asaj kohe, Turqia ka pasur një rritje solide të bashkëpunimit ekonomik me Serbinë dhe pritet që në fokus të kësaj vizite të jenë edhe aktivitetet ekonomike”, shkruan “DANAS”.
Ftesa e Putinit për Vuçiç
Nga ana tjetër, media serbe shkruan se pas vizitës në Beograd, presidenti turk do të jetë në samitin e ardhshëm të vendeve të BRICS-it, ndryshe nga presidenti serb Vuçiç, i cili deklaroi se në atë kohë pret vizita të rëndësishme nga jashtë. Thuhet se arsyeja e mungesës së samitit të BRICS është vizita e kryeministrit polak Donald Tusk në Serbi më 23 dhe 24 tetor. Vuçiç, vetë e ka pranuar më parë se ka marrë ftesë nga presidenti i Rusisë, për t’iu bashkuar samitit, i cili po mbahet nga 22 deri më 24 tetor në Kazan. DANAS shkruan se në opinionin serb, kjo shihet si një gisht i paregjistruar deri tani në syrin e presidentit rus Vladimir Putin, i cili në një farë mënyre e ftoi drejtpërdrejt presidentin serb në samitin e lartpërmendur. Edhe pse të dyja palët u përpoqën të zgjidhin këtë përçarje diplomatike, mbeti një përshtypje e fortë e hezitimit të lidershipit serb për të shprehur publikisht dashurinë vëllazërore midis Serbisë dhe Rusisë. Kujtojmë se kur termi u krijua për herë të parë në 2001, BRICS është rritur nga një akronim në një aleancë informale që ka kaluar bllokun G7 të udhëhequr nga SHBA në pjesën e tij të PBB-së globale, ka bankën e vet të zhvillimit dhe është zgjeruar nga katër anëtarë – Brazili. Rusia, India dhe Kina – në nëntë, përfshirë Afrikën e Jugut, Iranin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.