MENU
klinika

Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme

Izraeli përpiqet të krijojë përçarje në Liban për të izoluar Hezbollahun

19.10.2024 - 21:00

Disa analistë thonë se Izraeli po përpiqet të nxisë ndarje të brendshme në Liban si pjesë e fushatës së tij kundër Hezbollahut. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jacob Russell nga fshati Aitou në veri të Libanit, pavarësisht luftës shkatërruese, disa libanezë shohin një mundësi për ta bashkuar vendin.

Ndërsa Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore kundër Hezbollahut në Liban, shumica e tyre kanë goditur pjesën jugore të vendit dhe periferitë e Bejrutit, zona kryesisht myslimane ku Hezbollahu ka mbështetje dhe infrastrukturë.

Disa predha kane rënë edhe në zona të largëta me popullsi të përzier ose të krishterë, sikurse fshati Aitou, vende që duket se nuk kanë lidhje me luftën më në jug të vendit.

Mbi këto rrënoja dikur qëndronte një ndërtesë që strehonte një familje të madhe refugjatësh të zhvendosur nga Libani jugor. Në fillim të javës, një raketë e rrafshoi ndërtesën, duke shkaktuar 22 viktima, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Kombeve të Bashkuara.

Izraeli nuk ka komentuar për këtë apo sulme të tjera të ngjashme, por për shumë njerëz mesazhi duket i qartë se rreziku është i lartë po të jesh pranë myslimanëve të sektit shiite apo shia.

Zëri i Amerikës bisedoi me analistin Michael Young të Qendrës Carnegie për Lindjen e Mesme.

“Mendoj se është një përpjekje izraelite për ta izoluar komunitetin shiit dhe për t’i bërë ata të padëshiruar brenda Libanit. Ata duan që Hezbollahu dhe mbështetësit e tij në thelb, ta kuptojnë se brenda Libanit, ata janë të vetëm kundër Izraelit”.

Për shumë vite, Hezbollahu ishte forca politike më e fuqishme në Liban. Tani i dobësuar rëndë, ekziston frika se një vakum pushteti mund të çojë në paqëndrueshmëri të mëtejshme, situatë që Izraeli e kupton mirë.

“Ju keni një mundësi për ta shpëtuar Libanin përpara se të bjerë në humnerën e një lufte të gjatë që do të çojë në shkatërrim dhe vuajtje sikurse në Gazë. Kjo nuk duhet të ndodhë”, tha Kryeministri Netanyahu në një fjalim me video drejtuar popullit libanez.

Vidoeja me titull “Një mesazh për popullin libanez” pati një shikueshmëri të lartë brenda vendit si një nxitje për konflikt civil.

“Fjalimi i Netanyahut drejtuar libanezëve, ku thotë se nëse nuk frenoni Hezbollahun ne do ta bëjmë Libanin si Gazën, është një përpjekje e drejtpërdrejt për të krijuar një përçarje midis popullit libanez dhe komunitetit shia.”, thotë Makram Oueiss me Qendrën Libaneze për Studimin e Politikave.

Privatisht, shumë njerëz shprehin pakënaqësitë ndaj Hezbollahut dhe mbështetësve të tyre dhe kanë frikë nga sulmet izraelite ndaj komunitetit shiit. Për ta është ende e freskët lufta civile e viteve 1970 dhe 1980.

“Askush nuk e dëshiron një luftë civile mes sekteve fetare. Duhet kuptuar se brenda shoqërisë libaneze është i rrënjosur refuzimi i çdo gjëje që mund të çojë në një konflikt sektar”, thotë analisti Michael Young.

Punonjësit e shpëtimit në fshatin Aitou dhe banorët përpiqen ta balancojnë frikën e tyre përballë dëshirës për unitet.

“Njerëzit janë vërtet të frikësuar. Sigurisht të gjithë jemi libanezë. Nuk ka dallim mes nesh dhe atyre”, thotë Jean Hetti, banor i fshatit Aitou.

Disa shohin një mundësi që në fund të luftës, shteti të rimarrë kontrollin e disa pjesëve të kontrolluara nga Hamasi.

“Patjetër që ka mundësi (për ndryshim), por mendoj se do të ishte një gabim i madh për Amerikën dhe Izraelin që të përpiqen ta imponojnë nga jashtë. Kjo do ta nxiste Hezbollahun të reagojë dhe të thotë se të dy vendet po përpiqen të imponojnë një realitet të ri në Liban”, thotë analisti Young.

Situata në Liban nxjerr në pah një tjetër paradoks, ku agresioni izraelit po arrin të mbjellë përçarje dhe të krijojë unitet në të njëjtën kohë, me një ardhme të pasigurte për vendin./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rusia dhe Kina po ndërtojnë bllokun e tyre

“Rruga Polare e Mëndafshit”, lindja e një rendi të ri global