Eliminimi i miteve mbi shëndetin mendor mund të ndihmojë në shpërbërjen e stigmës dhe krijimin e një kulture që i inkurajon njerëzit e çdo moshe të kërkojnë mbështetje kur kanë nevojë. Në vijim janë dhënë shtatë keqkuptimet e zakonshme mbi shëndetin mendor:
1. Miti: Nëse një person ka gjendje të shëndetit mendor, kjo do të thotë se personi ka inteligjencë të ulët.
Fakti: Sëmundjet mendore, sikurse se edhe sëmundjet fizike, mund ta prekin këdo, pavarësisht nga inteligjenca, pozita shoqërore ose niveli i të ardhurave.
2. Miti: Ju duhet të kujdeseni për shëndetin tuaj mendor vetëm nëse keni ndonjë gjendje të shëndetit mendor.
Fakti: Të gjithë mund të përfitojnë nga ndërmarrja e hapave aktive për ta promovuar mirëqenien e tyre dhe për ta përmirësuar shëndetin e tyre mendor. Në mënyrë të ngjashme, të gjithë mund të ndërmarrin hapa aktive dhe të angazhohen me shprehi të shëndetshme, me qëllim të optimizimit të shëndetit të tyre fizik.
3. Miti: Shëndeti i dobët mendor nuk është problem i madh për adoleshentët. Ata thjesht kanë luhatje të disponimit, të shkaktuara nga luhatjet hormonale dhe veprojnë për shkak të dëshirës për vëmendje.
Fakti: Adoleshentët shpesh kanë luhatje të disponimit, por megjithatë kjo nuk do të thotë se ata mund të mos kenë telashe edhe me shëndetin e tyre mendor. Katërmbëdhjetë për qind e adoleshentëve në botë përjetojnë probleme të shëndetit mendor. Në nivel global, ndër moshat 10-15 vjeç, vetëvrasja është shkaku i pestë më i përhapur i vdekjeve, ndërsa për adoleshentët e moshës 15-19 vjeçare është shkaku i katërt më i zakonshëm. Gjysma e të gjitha gjendjeve të shëndetit mendor fillojnë në moshën 14 vjeçare.
4. Miti: Asgjë nuk mund të bëhet për t’i mbrojtur njerëzit nga zhvillimi i gjendjeve të shëndetit mendor.
Fakti: Shumë faktorë mund t’i mbrojnë njerëzit nga zhvillimi i gjendjeve të shëndetit mendor, duke përfshirë përforcimin e aftësive sociale dhe emocionale, kërkimin e hershëm të ndihmës dhe mbështetjes, zhvillimin e marrëdhënieve familjare mbështetëse, marrëdhënieve të dashura dhe të ngrohta, si dhe posedimi i mjedisit pozitiv shkollor dhe modeleve të shëndetshme të gjumit.
Aftësia për tejkalimin e vështirësive mbështetet në një kombinim faktorësh mbrojtës, andaj as faktorët mjedisor të stresit e as ato individual nuk do të rezultojnë domosdoshmërisht në probleme të shëndetit mendor. Fëmijët dhe adoleshentët, të cilët ia dalin mirë përballë vështirësive, zakonisht kanë rezistencë biologjike, si dhe marrëdhënie të forta, mbështetëse me familjen, miqtë dhe të rriturit përreth tyre, duke rezultuar në një kombinim të faktorëve mbrojtës për ta mbështetur mirëqenien.
5. Miti: Gjendja e shëndetit mendor është shenjë dobësie; nëse personi do të ishte më i fortë, nuk do ta kishte këtë gjendje.
Fakti: Gjendje e shëndetit mendor nuk ka të bëjë me të qenit i dobët ose me mungesë të fuqisë së vullneti. Kjo nuk është kusht, që njerëzit mund ta zgjedhin ta kenë ose mos ta kenë. Në fakt, njohja e nevojës për të pranuar ndihmë për një gjendje të shëndetit mendor kërkon forcë dhe guxim të madh. Çdokush mund të zhvillojë një gjendje të shëndetit mendor.
6. Miti: Adoleshentët që marrin nota të mira dhe kanë shumë miq nuk do të kenë probleme të shëndetit mendor, sepse nuk kanë asgjë për të rënë në depresion.
Fakti: Depresioni është një gjendje e zakonshme e shëndetit mendor, që rezulton nga një ndërveprim kompleks i faktorëve social, psikologjik dhe biologjik. Depresioni mund ta prekë këdo, pavarësisht nga statusi i tyre socio-ekonomik ose sa e mirë duket jeta e tyre në vlerë nominale. Të rinjtë, të cilëve iu shkon mirë shkolla mund të ndiejnë presion për të pasur sukses, gjë që mund të shkaktojë ankth ose mund të kenë sfida në shtëpi. Ata gjithashtu mund të përjetojnë depresion ose ankth pa ndonjë arsye që mund të identifikohet lehtë.
7. Miti: Prindërimi i keq shkakton gjendje mendore tek adoleshentët.
Fakti: Shumë faktorë – duke përfshirë varfërinë, papunësinë dhe ekspozimin ndaj dhunës, migrimin si dhe rrethanat dhe ngjarjet tjera të pafavorshme – mund të ndikojnë në mirëqenien dhe shëndetin mendor të adoleshentëve, kujdestarëve të tyre dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre. Adoleshentët që vijnë nga shtëpitë me dashuri dhe mbështetje mund të përjetojnë vështirësi në shëndetin mendor, siç mund të përjetojnë adoleshentët nga shtëpitë ku mund të ketë kujdestarë që kanë nevojë për mbështetje për ta ruajtur një mjedis optimal për zhvillim të shëndetshëm të adoleshentëve. Përmes mbështetjes së duhur, kujdestarët mund të luajnë një rol thelbësor për t’i ndihmuar adoleshentët për ta kapërcyer çdo problem që ata e përjetojnë.