MENU
klinika

“Ekonomia e Gjermanisë po shkon nga keq në më keq”

Analiza: Dikur, motor i rritjes europiane, sot një pengesë!

16.11.2024 - 10:07

Gjërat mund të duken më mirë vitin e ardhshëm, por lehtësimi do të jetë i shkurtër.

Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck, vuri në dukje se kushtet ekonomike ishin “jo të kënaqshme”. Ai e tha këtë më 9 tetor, menjëherë pasi parashikimet zyrtare për vitin u rishikuan nga një rritje prej 0.3%, në një tkurrje prej 0.2%.

Kjo erdhi pas një rënieje të prodhimit prej 0.3% vitin e kaluar, që do të thotë se Gjermania po përballet me recesionin e saj të parë dyvjeçar, në më shumë se dy dekada.

Ekonomia më e madhe e Europës e ka marrë veten me vështirësi që nga goditja e pandemisë Covid-19, duke mbetur pas shteteve të tjera të pasura.

Isabel Schnabel, nga Banka Qendrore Europiane, ka vënë në dukje se rritja e Eurozonës, me përjashtim të Gjermanisë, ka qenë “jashtëzakonisht elastike” që nga viti 2021 dhe më e shpejtë se ajo e shumë ekonomive të tjera të mëdha.

Por të flasësh për ekonominë e Eurozonës pa Gjermaninë, është si të flasësh për ekonominë amerikane pa Kaliforninë dhe Teksasin. Ky vend, që dikur ishte një motor i rritjes europiane, tani është kthyer në një pengesë.

Me gjendjen e krijuar që nga viti 2021, është e vështirë të përfytyrosh një ndërthurje më të keqe rrethanash për ekonominë e Gjermanisë, tepër e varur nga eksporti dhe e mbështetur shumë në manifakturë.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, u rritën çmimet e energjisë. Tani, kapaciteti i tepërt industrial i Kinës po shkakton kërdinë në vendet e tjera.

Por edhe pse është ngushëlluese të fajësosh botën për dobësitë e tua ekonomike, në të vërtetë, problemet e Gjermanisë janë më të thella dhe shumë prej tyre kanë lindur në vend. Për më tepër, një koalicion i përçarë trepalësh në qeveri, po pengon përgjigjen politike ndaj kësaj sfide ekonomike.

Prodhimi industrial ka hasur vështirësi në vitet e fundit. Industritë që shpenzojnë shumë energji, si industria e kimikateve, përpunimi i metaleve dhe prodhimi i letrës, janë goditur veçanërisht rëndë.

Këta sektorë përbëjnë vetëm 16% të prodhimit industrial në Gjermani, por konsumojnë pothuajse 80% të energjisë industriale në vend. Shumë firma u përgjigjën ndaj kostove më të larta të energjisë, duke ndërprerë prodhimin.

Një problem tjetër për shumicën e kompanive gjermane, është ndryshimi i kërkesës globale. Siç ka vënë në dukje firma Pictet Wealth Management, marrëdhënia ekonomike e Gjermanisë me Kinën, ka ndryshuar.

Në vitet 2010, rritjet e dy shteteve plotësonin njëra-tjetrën, pra, Gjermania i shiste Kinës makina, kimikate dhe makineri, dhe nga ana tjetër, blinte nga ajo mallra konsumi dhe inpute të ndërmjetme, si bateri dhe komponentë elektronikë.

Ndërsa tani, Kina është në gjendje t’i prodhojë vetë shumë nga ato që më parë i importonte, madje për disa prej tyre, është bërë një rival serioz në treg, edhe për makinat gjermane.

Sidoqoftë, pesimizmi rreth industrisë gjermane mund të jetë i tepruar. Edhe pse prodhimi i manifakturës ka rënë që nga viti 2020, vlera e shtuar bruto e tij ka qenë jashtëzakonisht e qëndrueshme.

Kompanitë e manifakturës, në shumë raste, kanë qenë në gjendje të ndryshojnë drejtim dhe të prodhojnë mallra me vlerë më të lartë, edhe pse kanë humbur pjesën e tregut.

Dhe vitin e kaluar, ndërsa ekonomia e përgjithshme u tkurr, tregtia vazhdoi të kontribuonte në rritje, diçka që duket se do të përsëritet edhe këtë vit.

Kërkesë e dobët

Me uljen e inflacionit, të ardhurat reale më të larta të familjeve nuk e kanë nxitur shumë kërkesën, por përfundimisht, ato duhet të reflektohen në shpenzimet konsumatore.

Kriza më e keqe e energjisë, gjithashtu ka kaluar. Shumica e vëzhguesve presin një rritje ekonomike vitin e ardhshëm.

Qeveria ka parashikuar një rritje prej 1.1% në vitin 2025 dhe 1.6% në vitin 2026, duke u mbështetur në hamendësimin se konsumi privat do të fillojë të rimëkëmbet. Ministrat mendojnë se kjo do të ndodhë pjesërisht për shkak të politikave të tyre nxitëse të rritjes.

Por një rritje e vonuar ekonomike, nuk mund të ndreqë problemet strukturore afatgjata të vendit. Në të vërtetë, dobësimi ekonomik i Gjermanisë ka nisur që përpara goditjeve gjeopolitike dhe ekonomike të kohëve të fundit.

Siç vuri në dukje zonja Schnabel këtë muaj, PBB-ja gjermane në fund të vitit 2021, ishte vetëm 1% më e lartë se katër vite më parë, krahasuar me një rritje prej 5% në pjesën tjetër të Eurozonës dhe më shumë se 10% në Amerikë.

Suksesi gjerman në vitet 2010 erdhi falë përparësisë konkurruese të vendit ndaj pjesës tjetër të Europës. Në fillim të shekullit, Gjermania po përballej ende me tronditjet e ribashkimit të vendit.

Niveli i çmimeve ishte më i lartë se në vendet e tjera të Eurozonës (shih grafikun 3). Më pas, në fillim të viteve 2000, reformat e Hartz-it, që përfshinin liberalizimin e tregut të punës, kufizuan kostot, duke dobësuar fuqinë negociuese të krahut të punës.

Në të njëjtën kohë, rritja e nxitur nga borxhi në Europën Jugore, e rriti nivelin e çmimeve në Eurozonën në tërësi.

Por me kalimin e kohës, kjo përparësi konkurruese e Gjermanisë, është gërryer. Pas krizës së borxhit në fillim të viteve 2010, ekonomitë europiane periferike nisën reformat strukturore.

Duke filluar nga viti 2015, pas një dekade moderimi, pagat gjermane filluan të rriteshin më shpejt. Deri në vitin 2019, hendeku i nivelit të çmimeve midis Gjermanisë dhe pjesës tjetër të Eurozonës, ishte ngushtuar.

Kriza e energjisë, që në Gjermani ishte edhe më e mprehtë, për shkak të varësisë së vendit nga gazi rus, e rriti edhe më tepër nivelin e çmimeve në vend. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, Gjermania nuk ka një përparësi kostoje ndaj homologëve të Eurozonës.

Ndërsa Gjermania po vuan nga kjo humbje e konkurrencës, ajo duhet të përballet edhe me ndryshimet demografike. Në vitet e fundit, plakja e popullsisë është baraspeshuar nga emigracioni i lartë.

Por tani po vijnë më pak emigrantë, duke i lënë kompanitë pa punëtorë. FMN-ja pret që popullsia gjermane në moshë pune të tkurret me 0.5% në vit për pesë vitet e ardhshme, rënia më e madhe në çdo ekonomi të madhe.

Produktiviteti

Zyrtarët e FMN-së thonë se, nëse produktiviteti nuk përmirësohet, rritja ekonomike e Gjermanisë do të ulet në 0.7% në vit, sa gjysma e nivelit para pandemisë.

Kjo mund të nxitet nëpërmjet shpenzimeve qeveritare, por ministrat janë të kufizuar nga rregullat fiskale të vetimponuara. Investimi vjetor neto publik ka rënë nga 1% e PBB-së në fillim të viteve 1990, në zero.

Rregulli i “frenës së borxhit” e kufizon deficitin strukturor federal në 0.35% të PBB-së në vit, dhe megjithëse qortimet ndaj kësaj politike janë rritur, pak ekspertë presin ndonjë ndryshim përpara zgjedhjeve federale të vitit të ardhshëm.

Recesioni i Gjermanisë është i dhimbshëm si për vetë gjermanët, ashtu edhe për Eurozonën. Një rimëkëmbje ekonomike vitin e ardhshëm, e nxitur nga inflacioni më i ulët dhe kostot më të ulëta të energjisë, nuk do t’i lehtësojë dot problemet strukturore të vendit.

Ekonomia e Gjermanisë po tregonte shenja tendosjeje shumë kohë përpara se të godiste pandemia, përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën dhe përpara se Kina të fillonte më subvencionet për industritë në vështirësi. Ekonomia gjermane do të vazhdojë të shfaqë shenja tendosjeje edhe për disa kohë./Monitor