MENU
klinika

Pse ukrainasit fajësojnë Gjermaninë

Telefonata me Putinin, Schoz hap “kutinë e Pandorës”

18.11.2024 - 16:35

Kancelari gjerman Olaf Scholz zemëroi ukrainasit kur, pas gati dy vitesh, pati një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin të premten. Kjo hap “kutinë e Pandorës” sepse e nxjerr Putinin nga izolimi, argumentoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Biseda u koordinua me aleatët perëndimorë, shkruan gazeta gjermane “Der Spiegel”. Kjo pritej pas zgjedhjeve amerikane, dhe para samitit të G20 që fillon në Brazil. Biseda zgjati 60 minuta. Siç njoftoi zyra e kancelarit, në bisedë Scholz dënoi edhe një herë qartë dhe ashpër luftën e agresionit rus, veçanërisht sulmet ajrore ruse ndaj infrastrukturës civile. Fakti që Rusia po përdor tani ushtarë të Koresë së Veriut në luftën kundër Ukrainës përfaqëson një “përshkallëzim serioz dhe zgjerim të konfliktit”. Megjithatë, kritikat për Scholz nuk u pakësuan, madje janë shtuar edhe më shumë pas një lëvizjeje të Rusisë.

Sulmi rus

Rusia nisi dje sulmin më të madh ajror në Ukrainë në gati tre muaj, duke lëshuar 120 raketa dhe 90 drone, duke vrarë shtatë persona dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në rrjetin elektrik, thanë zyrtarët. Për javë të tëra, ukrainasit kanë pritur për një tjetër sulm rus ndaj sistemit energjetik që tashmë kishte filluar, nga frika e ndërprerjeve të gjata të dimrit dhe presionit gjithnjë e më të fortë psikologjik pas gati 1000 ditësh që kur Rusia filloi një pushtim të atij vendi. Sulmet ajrore ruse kanë shkaktuar ndërprerje të shumta të energjisë elektrike, duke lënë njerëzit pa energji dhe ngrohje, mes pasigurisë për kthimin e afërt në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, i cili është zotuar se do t’i japë fund luftës dhe ka ngritur perspektivën që ai do avokojnë negociatat. Disa shpërthime të fuqishme ranë në qendër të Kievit gjatë natës dhe u dëgjuan gjithashtu mbrojtje ajrore ukrainase duke u përpjekur të rrëzonin dronët. Zyrtarët konfirmuan dëmtimin e “infrastrukturës kryesore” të Ukrainës të shkaktuar nga “sulmet masive të kombinuara ajrore” të ushtrisë ruse dhe ndërprerjet e energjisë në të gjithë vendin, nga Vokin, Rivna, Lviv në Dnipropetrovsk në perëndim dhe Zaporizhia në juglindje.

Përgjigje për Scholz

Ushtria ukrainase njoftoi se rrëzoi 104 raketa dhe 42 dronë dhe 41 dronë u zhdukën nga radarët. Të paktën shtatë persona u vranë në sulmet në Mykolaiv, Lviv, Odesa dhe Dnipropetrovsk. “Rusia ka kryer një nga sulmet më të mëdha ajrore: drone dhe raketa kundër qyteteve paqësore, civilëve të fjetur, infrastrukturës kritike”, tha kreu i diplomacisë Andriy Sibiha. Ai e përshkroi sulmin si “përgjigje reale” të Moskës ndaj liderëve botërorë që folën me presidentin Vladimir Putin, një kritikë e dukshme ndaj kancelarit gjerman Olaf Scholz, i cili të premten zhvilloi bisedime me liderin rus për herë të parë që nga fundi i vitit 2022.

Alarm në NATO

Si një masë paraprake kundër sulmeve ajrore ruse, Polonia, një anëtare e NATO-s në kufi me Ukrainën në perëndim, ka ndalur avionët e saj ushtarakë brenda hapësirës së saj ajrore. Është bërë e ditur se “janë aktivizuar të gjitha forcat dhe burimet që disponon, janë ngritur avionët luftarakë në detyrë dhe sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të zbulimit të radarit janë në nivelin më të lartë të gatishmërisë. Kohët e fundit, forcat ruse kanë përparuar me shpejtësi në lindje, në përpjekje për të kapur të gjithë zonën industriale të Donbass. Forcat ukrainase po përpiqen të mbajnë territorin që ata pushtuan në rajonin e Kurskut të Rusisë në gusht, dhe Kievi shpreson që një ditë të jetë e dobishme në negociata. Rusia aktualisht mban një të pestën e territorit të Ukrainës. “Sulmi i kryer mbrëmë, një nga më të mëdhenjtë në luftë, është dëshmi se diplomacia telefonike nuk mund të zëvendësojë mbështetjen reale të gjithë Perëndimit. Javët e ardhshme do të jenë vendimtare, jo vetëm për vetë luftën, por edhe për të ardhmen tonë. ”, tha kryeministri polak Donald Tusk.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN