Ardian Ismajli është padyshim një nga emrat më të kërkuar në merkaton e futbollit italian në këto momente. Të shumta janë klubet e interesuara për qendërmbrojtësin shqiptar, i cili po dhuron paraqitje mbresëlënëse me fanellën e Empolit.
Juventusi, Interi dhe Napoli janë tre emrat kryesorë të futbollit italian që po ndjekin me vëmendje mbrojtësin shqiptar dhe janë gati ta afrojnë që në janar, duke parë se kontrata e tij me Empolin në fakt përfundon në verë.
Megjithatë, nuk do të jetë e thjeshtë, pasi Empoli kërkon një shifër relativisht të lartë për një futbollist i cili mund të largohet me parametër zero në qershor.
Mediat italiane kanë bërë të ditur se klubi aktual i mbrojtësit, kërkon 3 milionë euro për ta lënë të lirë atë që në janar, pasi kërkon të përfitojë financiarisht nga shitja e tij, duke parë emergjencën në prapavijë që kanë skuadrat e mësipërme e të cilat kërkojnë një përforcim cilësor që tani, pa pritur verën.