VISAR ZHITI/ Do të desha të thosha diçka, një mbresë a një mendim, thjeshtë që t’i ngjante një trendafili mbi mermer, për poezinë e Gasper Palit. Që kur më erdhi libri, e marr shpesh ndër duar, e shfletoj, i hollë dhe fin si vetë poezia, e nxori këtë vit botuesi “Berk” në Tiranë, e përgatiti studiuesi dhe shkrimtari Lisandri Kola, përmblodhi të gjithë buqetën e poezive, i pajisi me shënime, vuri një parathënie rigoroze me informim, një shtojcë në fund, fotografi e faksimile, një “plotëni e adhurueme”, – do të thosha në të folmen e poetit dhe të përgatitësit të librit, shkodranë të dy, të kohëve të ndryshëm, por dhe të një vazhdimësie poetike, edhe pse dhe ato të ndryshme, por i bashkon bukuria, përzierë me një si pikëllim…
Këtë do të desha të shpreh, por mbase herë tjetër më mirë… Marr prapë ndër duar librin, Gasper Pali lindi në Shkodër në vitin 1916, lexoj… pra, 4 vjet pasi Shqipëria u shpall e pavarur nga një perandori, ajo otomane, që po binte, – them me vete. Gasper Pali vdes në Shkodër në vitin 1942, kur vendi kishte 3 vjet që ishte pushtuar nga Italia fashiste, që donte të bëhej perandori.
Vetëm 26 vjet jetoi Poeti, sa pikëllim dhe shqyrtoj me vete se ai rreth 19 a 20 vjet jetoi në kohë pavarësie, mes rënies dhe mosngritjes së dy perandorive, në një vend të vogël e të mjerë midis, por në qytetin e veriut të tij me legjenda dhe kulturë, ndër më të lashtit në Europë…
Gasper Pali – meteorit në poezinë moderne shqipe, – them me vete, shkëlqeu befas dhe u shua, sa shpejt!
Si bashkëqytetari dhe bashkëkohësi tjetër i tij, Migjeni shpërthyes, 26 vjeçarë të dy, s’e di a janë takuar a kanë ndejtur bashkë, njeri pas tjetrit i hëngri tuberkulozi, por jo vetëm, – shtoj me dhimbje, – edhe poezia, korifej të vargut të lirë shqip.
Gaspër Pali është vetëm i lirë, por s’bëj dot krahësime, as është qëllimi im, vetëm desha të përshëndes botimin e ri të poezisë së Gaspër Palit, që do të duhej ta dinim më mirë dhe më shumë. Dhe ta duam…
Dhe mbase kritikët e studiuesit do të flasin prapë, pa paragjykime dhe të lirë, më me kompetencë për poezinë e tij, që rishfaqet dhe harrohet, për vezullimet e zymta të saj në vitet e arta ‘30 të letrave shqipe dhe të mendimit pluralist dhe vendin që duhet të zerë në historinë e letërsisë shqipe, te poezia, etj.
Gasper Pali – muzikant dhe poet, – ndërmend, – prandaj dhe në poezinë e tij ka muzikë të fshehtë dhe trishtim, trishtim perëndimor, kohe dhe kulture. Tre gjëra e vranë atë shumë,
– një: pushtimi i vendit nga Italia fashiste, edhe pse vetë kishte studiuar për letërsi në Itali, në Firencen magjepsëse,
– dy: një dashuri e pafat me një siçiliane në Itali dhe
– tre: tuberkulozi i pashërueshëm atëhere.
Dhe mbaroi si Migjeni. Por të paktën as Migjenit e as Gasper Palit s’ua vrau poezinë Realizmi Socialist që do të vinte më pas, i një perandorie të tretë më mizore.
Si një ngushëllim marr prapë librin ndër duar, i ngrohtë dhe si i verdhëllemtë, s’e di pse, nga sëmundja a trishtimi i përbashkët, se “bota e njerëzimi tashma, dritën ka fikë e terrin ka përqafë?” – shkruan poeti Gasper Pali, por poezia juaj është një qiri i ndezur, bën dritë, – mërmëris dhe lexoj prapë: “… e s’dim prendimin me e dallue nga agu…” – dhe bie më shumë në pesimizëm, por ah, dhe kjo poezi na ndihmon të dallojmë dhe përhetojmë çastin, që sa do i rëndë qoftë, mund të bëhet poezi, e lehtë si drita.
Do të doja të flisja për poezinë e tij, mbase herë tjetër më mirë, thashë, tani mirënjohës atyre që e nxorën prapë nga terret e harrimit dhe na e sollën…
“Bisedë me vetvedin” është njëra nga fletët që na tregon Lisandri nga fletoret e trishtuara të Gasper Palit. Po i gjithë libri është si një bisedë me vetveten, dhe pse me tjetrin dhe ky është nderi më i madh që na bëhet si lexues, kaq çiltër dhe kaq bukur!