MENU
klinika

Nga Petrit Zeneli

11 janar 1914, 105 vjet më parë, dimër i madh e i egër si sot…

12.01.2019 - 22:24

Krenari!

….PANARITI I KORÇËS – i pari vend në Shqipërinë Juglindore, e para ditë (pas Shpalljes së Pavarësisë 1912), ku Flamuri ynë Kombëtar valoi në viset e pushtuara prej Greqisë.

I pari akt që bëri realitet një ëndërr shqiptare dhe shkatërroi planet e kahershme greke për të aneksuar me çdo kusht Korçën me krahinat përreth.

Vepër kjo e patriotëve të mëdhenj të shqiptarizmës: Themistokli Gërmenji, Qamil Panariti, Sali Butka, Kozma Trebicka, Gani Butka, Dajlan Panariti, Sabri Panariti, Vasil Tromara, Miçe Frashëri, Vangjel S. Treska, Sotir Dh. Treska, Pasa Pema, Gavrill Pepo, Lipe Kërrëku, Dido S. Panariti etj, me popullin më patriot që ka njohur ky vend, panaritasit e panënshtruar nga çdo pushtues.

Dhe hakmarrja më ç’njerëzore greke nuk vonoi, masakrimi i gjithë popullsisë së pambrojtur me 374 banorë të therur në 10 korrik 2014.

Po shpërblimi sot…?! Askush nga Korça zyrtare (themeluar prej panaritasve) nuk e di, pa le më ta përkujtojë këtë datë me rëndësi të jashtëzakonshme historike! Fatkeqësisht, as mediat, që kanë të drejtë të mos e dinë..! Dhe historia korçare vërtitet sot në një qerthull të mbyllur e nuk del dot nga patetizmi

“Parisi i vogël”, “serenatat korçare”, “pikat e famshme turistike”, “lakrori në saç”, “birra e famshme”, etj, etj, që padyshim janë vlera të cilat na mbushin me krenari të gjithëve, por asnjëherë gjithçka! Korça është krenari e të gjithëve dhe jo vetëm e atyre që kanë aty një shtëpi! Historia as nuk haet e as nuk pihet, por motivon, që në rast rreziku sot e nesër, ja vlen të sakrifikosh për Korçën e gjithë vendin!

Çetat që çliruan Korçën në Luftën e Parë e të Dytë Botërore ishin nga të gjitha krahinat e Qarkut, dhe jo vetëm qytetas! Korçarët (si kudo) kanë të gjithë një origjinë fshatare (shumë të nderuar), që kanë ardhur aty gradualisht gjatë shekujve!

 

Dhe Panariti ka të njëjtin dimër të egër edhe sot, pas 105 vjetësh, veçse në vatra tashmë jo me andartët, por dhimbjen e izolimit dhe mallin për ato figura madhore, që atëhere edhe atë pjesë të mëmdheut e konsideronin Korçë! Sot…..?!

Ky informacion është për të gjithë ju të nderuar miq të fb, ndërsa më poshtë, për çdo kureshtar që do të dijë më shumë për këtë ngjarje:

….Një dimër i madh dhe i rëndë zotëronte në ato vise, në muajin janar. Udhët ishin të zëna nga dëbora e madhe që kishte mbuluar dheun dhe njerëzia rrallë e tek pipëtinin andej këtej. Kishim mbetur të shurdhër pa mësuar ndonjë lajm nga Korça a gjetkë, prej të cilavet na ishin mërzitur veshët në kohërat e shkuara…Evropa vendosi kështu, Grekërit ikin nesër, Shqipëtarët vijnë sot etj. Në këto kohëra unë ndodhesha në Panarit, në dyqanin tim.

Këtu kishte kohë që qëndronte një fuqi mjaft e madhe ushtarësh grekë; shkaku se ishte kufi me Shqipërinë provizore. Në këtë kohë aty kishte mbetur një pakicë e vogël ushtarësh; tërë kohën kishim patur marrëveshje me atdhetarët që ndodheshin në Shqipërinë e lirë; disa prej tyre ishin edhe Zyrtarë, po në këto kohërat e fundit radhitjet i kishim më të dendura, shkaku ishte që kufia s’munt të ruhej me aqë ushtarë sa qëndronin këtu.

Letrat që kishim marrë këto ditë nga Themistokli Gërmenji, ish nën Prefekt në Skrapar, dhe Sali Butka, që ndodhej në Staraveckë, na siguronin se afroj dita që viset që po lëngonin ndënë thundërn Greke së shpejti të shijojnë lirinë ndën hien e Flamurit Kombëtar.

Më 23 dhjetor (1913), një erë dhe turfan i madh mbulonte ditën; e ftohta ishte e hidhur edhe asnjeri nuk guxonte të dilte përjashta, por rrinte i qetë me fëmijën e tij rreth zjarrit. Papandehur një ngjarje prishi jo vetëm qetësinë por edhe i bëri të dridhen nga frika. Ushtarët Grekë që ndodheshin në Panarit, pas urdhërit që kishin marrë, ishin përndarë nëpër fshat dhe pa vënë re të ftohtë e turfan, bastisnin shtëpitë për të gjetur armë!

Pandeha se ndonjë gojë e ligë do të kishte kallëzuar dhe popullit të mjerë s’i ishin mbaruar vuajtjet. Ndërkohë një tok ushtarë me një reshter në krye i shoh jashtë. Menjëherë më ngriu gjaku, siç më ndodhte shpesh. Grekët kishin mbërdhihur dhe dojnin zjarr. Si u ngrohnë pak, më thonë të pregatitemi për të pritur shqiptarët, se ata të nesërmen na linin shëndenë. Menjëherë gjaku i ngrirë zuri të çkrinjë e të lëvrinjë me nxitim; zemra po regëtinte me ngazëllim e fytyra të merte një ngjyrë tjetër…

Dita e nesërme, të cilën e prisja me padurim, u gdhi. Era dhe turfani kishin pushuar. Qielli ishte i kthjellët dhe dielli lëshoi shkëndijat e tij të ndriçime mbi majat e maleve zbardhur nga dëbora. Njerëzia ende nuk kishin dalë nga foletë e tyre dhe asnjë regëtimë nuk ndihej së jashtmi. Menjëherë dola përpara portës dhe hodha një vështrim përtej, në godinën që qëndronin ushtarët grekë. Ata dilnin e hynin brenda dhe pas pak u radhitën për udhë. Njerëzit që i donin dhe adhuronin ishin fort të paktë, e një pikëllim i kish mbuluar. Shumica gëzoheshin dhe fytyrat e të gjithëve qeshnin e lusnin Zotin që të mos i shihnin prapë.

Të nesërmen, në Kishë, mësuam nga ata që ardhë se tërë ushtria që ndodhej në Kolonjë, pasi bastisi gjithë fshatrat me radhë dhe rrëmbeu ç’munt të ngrihej në krahë, u ngrit për në Korçë edhe vendi mbeti në duart e andarëvet, ose të komitetit Ethniqi Amina.

Ditët e Krisht-Lindjes i shkuam të qetë e të lirë. Këngët kombëtare që ishin aq kohë në pushim zunë të tingëllojnë; por, në mes të këtij dëfrimi, një lajm jo i mirë na vjen: çeta andarësh kishin dalë në rrethet e Kolonjës prej Erseke, ku rrihnin, bastisnin dhe rrëmbenin.

Pasi ndenja 4 ditë, kujtojva që duhet të shkoj, të mësoj ç’ngjet e ç’bëhet nga Shqipëria, dhe të lajmëroj ç’pashë e ç’dëgjova. Por sa harrita në Panarit, marr një letër nga shoku im, Sabriu, i cili me lajmëroi se duhet të shkoj në shtëpi të tij. Menjëherë vajta, ku i gëzuar më rrëfen letrat që kishte marrë nga Themistokliu, që të pregatitemi se ai shkonte në Vlorë, sipas urdhërit që kishte marrë, të vinte për t’u këshilluar me Qeverinë dhe me oficerët Hollandezë, për të pastruar këto vise edhe për t’ju afruar Korçës.

Pas pak ditësh, më 9 janar (1914), marrim një lajm se një fuqi andarësh prej 300 shpirt arriti në Kaltanj e në Selenicë të Pishës dhe vendasit mundohen shumë prej tyre. Ndërkohë na vjen një letër nga Gani Butka, se një fuqi e fortë prej shqipëtarësh, me Flamurin e Skënderbeut përpara, do të vijë në Panarit, të cilët më 11 janar, ndënë kryesinë e Sali Butkës dhe z. Dajlan ja mbërritën. Menjëherë vrapova të bashkoj shokët, të shikoj Flamurin, ëndërr të mbushur e të realizuar. Flamuri me shqiponjën dy krenore ishte ngulur përpara shtëpisë së Dajlan Panaritit dhe rrethuar prej një tok trimash, midis të cilëve edhe Ganiu.

Posa më pa, u derth, më qafoj i mallëngjyer, dhe më tha: ja, harriu dita e shënjtë që po e prisnim pej kaq kohësh, që neve bashkë me këtë Flamur, me leje të Qeverisë, të hyjmë në këto vise për herë të parë.

Gëzohu pra! Era frynte dhe shenja e kombit, simboli i trimërisë, valonte madhësisht. Ishte i pari vend, e para ditë, që Flamuri ynë valonte në viset e shkelura prej Greqisë (Sotir Dh. Treska, Revista “Ylli i Mëngjesit”, 1917, Volumi I, Boston Mass SHBA, Tuesday, January 30, 1917, Nr. 2; pjesa I, fq. 53-54).

Sali Butka dhe Dajlan Panariti, pas urdhërit që kishin, posa hynë në kufi, lajmëruan gjithë fshatrat e Vakëfeve, me letra, ardhjen e tyre dhe i këshillonin të mos kenë frikë dhe u luteshin që të mos bëjnë ndonjë gabim, i cili kundër dëshirës së tyre dhe mirësisë kombëtare sillte ndonjë turbullim të dëmshëm.

Dita e nesërme u gdhi. Janari sot numronte 12 ditë. Menjëherë mora një letër nga Ganiu, ku më lajmëron se, natën që shkoi, Themistokli Gërmenji ishte në Backë dhe këtë ditë, i shoqëruar me një fuqi të fortë, vinte në Panarit. Më pas më njoftuan se duhej të ndodhem për të pritur Themistoklinë, i cili po vinte.

Posa arrita, shikoj njerëzinë togje-togje, dhe me gëzim të madh po prisnin Themistokli Gërmenjin, i cili në një kohë jo të gjatë që ndenji në Skrapar, si Nënprefekt, me sjelljet e tij të drejta e të urta kundrejt popullit, dhe me trimërinë e guximin e tij kundrejt ligjeve, kishte mundur të fitonte dashurinë dhe simpatinë e tij, jo vetëm në ato vende ku qeveriste, po edhe këtu ku ishte Greku akoma.

Dielli po afronte në perëndim, vargu nisi të radhoset ndë një të tërthorme, dhe një Flamur i madh me anë të qendisura u hiqte udhën. Prapa këtij vargu, një tok njerës mbanin nga një Flamur të vogël në dorë. Më në fund vargu arriti atje ku qëndronim neve.

Si u përshëndoshëm shumë, erdhi radha edhe për Themistoklinë, i cili ishte mbrapa shumicës, bashkë me disa djem të ardhur prej Rumanie dhe Amerike, mes tyre Qamil Panariti etj. (Thursday, February 15, 1917, Nr. 3; pjesa II, fq. 94-95)

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët