Një person i dyshuar si terrorist është dënuar me burg, i akuzuar për veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Sipas njoftimit për mediat, i pandehuri B.Elshani, në janar të 2019 ka publikuar mesazhe kërcënuese kundër kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
I dyshuari teksa ka folur para gjykatës për postimin e tij kërcënues, të cilin prokuroria e cilësoi si përgatitje të veprave terroriste, tha se nuk ka pasur asnjë qëllim të kërcënojë kryeministrin.
“Siç e kam thënë edhe në deklaratë, nuk ka qenë qëllimi im që ta kërcënoj kryeministrin sepse edhe po të doja nuk kam mundësi ndërsa kam menduar se ai nuk e do fenë islame duke i dëgjuar disa deklarata se po flet keq për myslimanët”, tha Elshani në Gjykatë.
Elshani, në seancën për caktimin e masës së sigurisë ka thënë se postimin e cilësuar si kërcënues nga prokuroria e ka bërë nga mendjelehtësia.
“Unë me atë postim i cili nuk ka qenë i imi por e kam përdorur dhe e kam qit veç si thënie por nuk kam pasur ndonjë qëllim të keq por krejtësisht nga mendjelehtësia e kam kryer këtë ashtu që edhe njëherë i kërkoj falje gjykatës”.