MENU
klinika

Trokasin bullgarët dhe hungarezët

Harta e investimeve të huaja po ndryshon

17.01.2019 - 13:14

Siç ishte paralajmëruar që në dhjetor, grupi OTE zyrtarizoi këtë javë shitjen e kompanisë Telekom Albania te një konsorcium investitorësh bullgarë, i kryesuar nga aksioneri kryesor i Vivacom, kompania më e madhe e telekomunikacioneve në Bullgari. Blerja prej 50 milionë eurosh shënon investimin më të madh bullgar në ekonominë shqiptare.

Deri tani, prania e kapitalit bullgar në ekonominë shqiptare ka qenë modeste. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të shtatorit 2018, totali i investimeve bullgare në Shqipëri ishte vetëm 24 milionë euro. I vetmi investitor i rëndësishëm është Banka e Parë e Investimeve apo siç njihet me emrin tregtar Fibank.

Fibank ka qenë një ndër bankat me rritjen më të shpejtë gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të shtatorit 2018, Fibank zotëronte 1.6% të tregut bankar, për një total asetesh prej 23.7 miliardë lekësh.

Madje, banka bullgare ka qenë ndër aktorët më të interesuar për t’u zgjeruar përmes shitblerjeve dhe ishte një nga ofertuesit për blerjen e Tirana Bank dhe NBG Bank. Pavarësisht se nuk pati sukses në tentativat e zgjerimit përmes blerjeve, Fibank synon të forcojë pozicionin në treg përmes rritjes organike. Në pesë e vitet e fundit, Fibank pothuajse e ka dyfishuar portofolin e kredisë, ndërkohë që ka rritur totalin e aktiveve me afro 40%.

Blerja e Telekom do të sjellë një prani akoma më të rëndësishme të kapitalit bullgar në sektorët strategjikë dhe konfirmon një lloj zhvendosje gjeografike të investimeve të huaja gjatë viteve të fundit. Ndërkohë që interesi nga kompanitë e Eurozonës është në rënie dhe shumë prej tyre po largohen, në tregjet strategjike po forcohet prania e investitorëve lokalë dhe e atyre nga tregje të reja.

Blerja e Societe Generale Albania nga hungarezët e OTP është një shembull domethënës. Edhe Bullgaria po bëhet një faktor i rëndësishëm, ndërsa investime në përmasa më të vogla ka pasur edhe prej ndërmarrjeve nga Estonia, Letonia, apo Gjeorgjia.