MENU
klinika

Sektorët me rritjen më të lartë

Vitet e krizës, “na mbajtën” call center-at dhe energjia

18.01.2019 - 13:38

Shërbimet dhe energjia kanë qenë sektorët ekonomikë me rritjen më të lartë në pesë vitet e fundit. Mbështetur në të dhënat përfundimtare të Instat për Prodhimin e Brendshëm Bruto, të disponueshme deri në vitin 2016, aktivitetet me rritjen më të lartë në vitet e krizës ekonomike kanë qenë shërbimet, kryesisht aktivitetet call center.Për periudhën 2012-2016, ky sektor është rritur mesatarisht me 24% në vit, duke shënuar normën më të lartë të rritjes në ekonominë shqiptare.

Rritja e dytë më e lartë i takon aktiviteteve profesionale dhe teknike, degë e ngjashme e shërbimeve, që në pesë vjet është rritur mesatarisht me 10%.

Këto janë të vetmet degë me rritje dyshifrore, ndërsa e treta vijon energjia, me një rritje mesatare prej 6.3%. Sidoqoftë, rritja e energjisë është më shumë produkt i prurjeve të lumenjve, sesa e gjendjes ciklike të ekonomisë. Ky sektor ka luhatje shumë të mëdha nga viti në vit. Për shembull, nëse në vitin 2013 ai u rrit me 36%, në vitin pasardhës pësoi rënie me 23%.

Degët e tjera, që kanë një peshë më të lartë në prodhimin kombëtar, kuptueshëm kanë regjistruar një rritje që është më pranë rritjes mesatare të ekonomisë. Po të kemi parasysh se për këtë periudhë ekonomia është rritur mesatarisht me 2%, rritje sipër mesatares kanë regjistruar industria nxjerrëse me 4.4% dhe ajo përpunuese , me 2.6%.

Sektori me peshën më të lartë në ekonomi, tregtia, është rritur me ritme modeste, mesatarisht me 1.3%. Mes sektorëve të rëndësishëm, ndërtimi është ai me ecurinë më të dobët. Në periudhën 2012-2016, ai ka rënë mesatarisht me 4.4% në vit.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN